1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë vërtet të shkëlqyera!

23 Shtator 2010

Ambasadorja e re e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper në intervistë ekskluzive flet për kontaktet e para me Shqipërinë para se të merrte detyrën, si edhe për Tetorin Gjerman.

https://p.dw.com/p/PKFG
Ambasadorja gjermane Carola-Müller Holtkemper
Ambasadorja gjermane në Tiranë Carola-Müller HoltkemperFotografi: DW

DW: Zonja Ambasadore, ju sapo e keni nisur detyrën e kryediplomates së vendit tuaj në Shqipëri. Para këtij emërimi a keni patur kontakte me Shqipërinë e shqiptarët?

Carola Müller-Holtkemper: Marrëdhëniet e mia personale me Shqipërinë datojnë vërtet shumë herët. Për herë të parë unë kam qënë në Shqipëri në pranverën e vitit 1982, në kuadër të një udhëtimi të shkurtër, një javë, ose 10 ditë. Unë pata rastin atëherë që të njihja jo vetëm kryeqytetin, Tiranën, por vizitova dhe qytete të tjera, siç kanë qënë Kruja dhe Berati, që i kujtoj mirë, por dhe të tjerë. Jam duke i kërkuar fotot që kam bërë atë periudhë. Në një moment kur do t'i kem ato disi më të organizuara, ky do të ishte rasti që t'ia prezantoja ato një publiku më të gjerë. Në fillim të viteve '90 unë kam qënë për herë të dytë dhe kam qëndruar 2 ditë, në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik në një bazë kontraktuale me Shqipërinë. Dhe tani ndodhem për herë të tretë këtu.

DW: Në çfarë niveli aktual është bashkëpunimi mes dy vendeve?

Carola Müller-Holtkemper: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë vërtet të shkëlqyera. Një tregues për këtë nivel është dhe fakti që Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, më priti për të më dorëzuar letrat e mia kredenciale shumë pak pasi unë kisha mbërritur në Shqipëri. Më lejoni që të përmend vizitën e fillimit të kësaj jave, të hënën dhe të martën, kur këtu në Tiranë qëndroi për një vizitë zyrtare një delegacion nga Bundestag-u Gjerman, i cili pati për qëllim informimin për stadin aktual të përgatitjeve të Shqipërisë në përpjekjet për fitimin e statusit të vendit kandidat për anëtar për në BE. Në të dy ditët e bisedimeve që u zhvilluan mes delegacionit të Bundestag-ut dhe përfaqësuesve shqiptarë u pa fryma e të qënit të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim.

Broshura dhe fletëvolantë të Tetorit Gjerman 2010 në Shqipëri
Broshura dhe fletëvolantë të Tetorit Gjerman 2010 në ShqipëriFotografi: DW

DW: Të hënën nisin Javët e Kulturës Gjermane në Shqipëri, apo siç thirret, “Tetori Gjerman 2010”. Duke bërë një krahasim me edicionet e kaluara të këtij eventi cilat janë risitë?

Carola Müller-Holtkemper:“Tetori Gjerman” është shndërruar tashmë në një traditë në Shqipëri. Këtë vit pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh, të cilat janë nën moton “20 vjet në rrugëtim”. Për Shqipërinë dhe Gjermaninë viti 1990 ka qënë një vit tejet i rëndësishëm, i ndryshimeve të mëdha dhe një hapjeje të rëndësishme. Përveç garancisë së aspektit cilësor të aktiviteteve, këtë vit ato janë më të shumta dhe në aspektin sasior, duke nisur nga 27 shtatori dhe deri në 26 nëntor. Por dhe gjeografia e tyre është më e madhe, duke përfshirë më shumë njerëz dashamirës të kulturës dhe gjuhës gjermane. Me larminë e këtij programi ne shpresojmë që t'i përgjigjemi pritmërive të publikut në Shqipëri.

Ambasadorja gjermane Carola Müller - Holtkemper duke folur për Deutsche Welle-n
Ambasadorja gjermane Carola Müller - Holtkemper duke folur për Deutsche Welle-nFotografi: DW

DW: A mund t'i japim dëgjuesve të radios dhe vizitorëve të website-it tonë disa nga veprimtaritë më kryesore gjatë këtyre Javëve të Kulturës Gjermane në Shqipëri?

Carola Müller-Holtkemper: Fillimisht do të kemi një ekspozitë me postera nën titullin “Traktati 2 plus 4”, që ishte Traktati mbi zgjidhjen përfundimtare në lidhje me Gjermaninë, mes RDGJ-së dhe RFGJ-se, si dhe mes Francës, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik. Një veprimtari që ka në qendër aspekte të politikës së jashtme mbi një ngajrje të madhe siç është bashkimi i Gjermanisë, një përmbledhje faktesh të skenave dhe prapaskenave në periudhën 1989 deri në fund të vitit 1990. Mund të përmend dhe një cikël dokumentarësh që janë përgatitur nga studentët e Akademisë së Multimedias “Marubi” në Tiranë, apo një projekt teatral me pjesëmarrjen e studentëve, titulluar “Nora - Nuk do të rrimë si kukulla”. Shfaqja do të lëvizë në disa qytete, si në Tiranë, Durrës, Peshkopi, Shkodër dhe Elbasan. Aktiviteti më kryesor dhe thelbësor në “Tetorin Gjerman 2010” mendoj se do të jetë ai i datës 29 tetor, ku do të organizohet një panel diskutimi nën temën “Nisja përmes ambasadës drejt perëndimit. Aty do të kemi disa dëshmimtarë gjermanë dhe shqiptarë të asaj kohe, të cilët do të sjellin në kujtesë përjetimet dhe mbresat e tyre rreth ngjarjeve në dyndjet drejt ambasadave në korrik të vitit 1990 dhe pasojave që vijuan më pas.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi