1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadorja Holtkemper: progres në rekomandime, por ende punë.

9 Maj 2012

Presidenti konsensual - tregues i respektimit të institucioneve. Ambasadorja e RFGJ në Tiranë, Carola Müller - Holtkemper i thotë DW shqip se po ndiqet nga afër mënyra si Parlamenti do të zgjedhë Presidentin.

https://p.dw.com/p/14sIn
Ambasadorja Carola Müller-Holtkemper flet për DW
Ambasadorja Carola Müller-Holtkemper flet për DWFotografi: DW/Arben Muka

DW: Znj. Ambasadore si e shihni situatën aktuale politike në Shqipëri?

Carola Müller Holtkemper: Që prej nëntorit të kaluar dy partitë kryesore kanë filluar të bashkëpunojnë dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv në situatën politike. Në sajë të këtij bashkëpunimi është shënuar progres i mirë në disa fusha: në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Dhe pikërisht javën e kaluar, kur në Tiranë erdhi Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fuele, Parlamenti miratoi me 122 vota ndër 140 deputetët e Parlamentit, ligjin për Gjykatën Administrative, ligj i bllokuar për një kohë të gjatë. Gjithsesi mbeten ende çështje të hapura, si reforma e Kodit zgjedhor dhe rregullat e procedurave të Parlamentit.

DW: Komisioneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fuele, në vizitën që ju përmendni, vlerësoi ndryshimin pozitiv të klimës politike në vend edhe si një parakusht për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE ndaj Shqipërisë për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ku është Shqipëria në plotësimin e tyre, tetori nuk është larg kur KE do të analizojë në raportin e radhës nëse këto prioritete janë plotësuar ose jo?

Carola Müller-Holtkemper: Prioritetet më të rëndësishme burojnë nga kriteret e Kopenhagës. Është e rëndësishme të theksohet që këto kritere duhet të plotësohen nga çdo vend që dëshiron të hyjë në BE. Gjatë pak muajve të fundit Shqipëria ka shënuar progres në plotësimin e disa prej rekomandimeve kryesore. Megjithatë ka ende ende punë për të bërë në disa fusha të rëndësishme. Dua të them në zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimin e sistemit gjyqësor.

DW: Znj. Ambasadore veç progresit në këto fusha ka edhe një kriter apo rekomandim shtesë të BE: zgjedhja e një Presidenti konsensual, të pranuar nga palët. A mendoni se në këtë pikë BE mund të japë një lloj ultimatumi si p.sh. ose një president konsensual, ose nuk ka status për anëtarësim?

Carola Müller-Holtkemper: Kur ju pyesni për zgjedhjen e Presidentit këtë nuk e shoh si një kriter të shtuar. E shoh më tepër në konteksin e dialogut politik, funksionimit të institucioneve dhe funksionimit normal të Kuvendit. Kushtetuta e Shqipërisë tregon një preferencë të qartë për një President mbi partitë politike. Neni 86 i Kushtetutës përcakton që Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Natyrisht , komunitetit ndërkombëtar po vëzhgon nga shumë afër sesi do të zgjidhet Presidenti nga Parlamenti.

DW: A ka gjasa që Shqipëria të ndjekë mënyrën sesi u zgjodh në mars të këtij viti Presidenti gjerman Joachim Gauck?

Carola Müller-Holtkemper: Situatat janë të ndryshme. Presidenti Christian Wulff dha dorëheqjen të premten në mëngjes, kancelarja Merkel menjëherë komunikoi me opozitën dhe i bëri asaj të ditur se preferonte një kandidat konsensual. Të dielën Presidenti konsensual Joachim Gauck jepte një konferencë shtypi…Megjithatë mendoj se edhe Shqipëria do të jetë e aftë të gjejë zgjidhjen e duhur.

DW: Znj. Ambasadore a ka zhvillime të reja lidhur me çbllokimin e situatës mes bankës gjermane KfW dhe qeverisë së Tiranës, për mosmarrveshjet lidhur me kompaninë fituese të tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë Shqipëri - Kosovë?

Carola Müller-Holtkemper: Për ne çështja është në proces. Jemi në lidhje të ngushtë me të gjitha palët: kompaninë shqiptare të transmetimit të energjisë, atë kosovare, qeverinë shqiptare dhe bankën gjermane KfW, që financon projektin. Po vazhdojmë konsultimet për të gjetur një zgjidhje dhe çblllokuar situatën.

Intervistoi: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi