1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amerika përgjon botën

Intervistoi: Gero Schließ4 Korrik 2013

Amerika përgjon botën, thotë eksperti amerikan për sigurinë, James Bamford. Ai kritikon programet e tepruara të përgjimit të National Security Agency dhe kërkon ndryshime.

https://p.dw.com/p/191k7
Fotografi: Getty Images

DW: A është Eduard Snowdeni tradhëtar, hero apo thjesht një informant?

Bamford: Këto janë etiketa të papërshtatshme për një njeri si ai. Sido që të jetë, ai i ka bërë një shërbim të madh popullit amerikan. Sepse publiku nuk dinte asgjë që qeveria ka akses në telefonat e njerëzve çdo ditë, madje çdo minutë. Unë nuk njoh ndonjë paragraf të kushtetutës sonë, që e lejon qeverinë të ketë qasje tek të dhënat e mia personale, pa pasur dyshim të mjaftueshëm. Asnjeri nuk e di se ku do të përfundojë Snowdeni, por sjellja e tij qe fisnike dhe e guximshme.

DW: Nga dokumentet e Snowdenit ne mësuam që National Security Agency (NSA) spiunoi BE dhe para së gjithash Gjermaninë. Çfarë dini për këtë?

Bamford: SHBA kanë një marrëdhënie të dyfishtë me këto vende, para së gjithash me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Nga njëra anë ato janë partnere. Që nga Gjermania i kanë nisur SHBA në kohën e luftës së ftohtë shumicën e aksioneve të përgjimit. Dhe ka një partneritet shumë të ngushtë midis NSA dhe shërbimeve të tjera të fshehta gjermane. Ata këmbejnë shumë informacione - për tema ekonomike, por edhe për rreziqe terroriste.

Por ekziston edhe ana tjetër: Gjermania vetë është objekt i përgjimeve. Mund të thuash se objekt i përgjimeve është çdo qytetar i Gjermanisë. Vetëm pak përcaktime i mbrojnë qytetarët amerikanë nga NSA. Në Gjermani nuk ekziston asgjë e tillë, që i mbron qytetarët.

DW: Statistikat e NSA-së tregojnë se Gjermania spiunohet në të njëjtën masë si Kina dhe Iraku. A shohin SHBA te Gjermania një armik?

Bamford: Publiku me siguri që jo. Ndoshta NSA e vështron ndryshe situatën. NSA jeton në një botë shumë të veçantë, e cila nuk ka të bëjë thuajse asnjëherë me botën reale. Ajo jeton në një këllëf të pambuktë. Unë kam shkruar tri libra për këtë. Ata kanë një vështrim të çuditshëm ndaj botës dhe kjo mund të jetë edhe shumë e rrezikshme.

DW: Po pse përqendrohen ato kaq shumë tek Gjermania?

Bamford: Si qendra e fuqisë ekonomike të Evropës, Gjermania është shumë interesante për SHBA. Veç kësaj, këtu qendruan terroristët e atentateve të 11 shtatorit. Dhe Gjermania ka një ndikim të madh politik në Evropë. Kur "dëgjon" Gjermaninë, mëson shumë jo vetëm për ato që thotë qeveria gjermane, por edhe për atë që mendon qeveria spanjolle, hollandeze dhe greke.

DW: NSA e ka klasifikuar Gjermaninë si "third class partner". Çfarë kuptimi ka kjo?

Bamford: Ky është një koncept më tepër teknik, me këtë ata me siguri kanë parasysh që Gjermania është pala e tretë. Pala e parë janë vetë SHBA, pala e dytë jkanë Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Britania e Madhe. Këto pesë së bashku njihen si "pesë sytë". Pas Luftës së Dytë Botërore ato e ndanë botën në rajone, ku kryejnë aksionet përkatëse të përgjimit.

DW: Ne e dimë se edhe Gjermania dhe evropianët i përgjojnë fqinjët e tyre, edhe amerikanët. Ka këtu ndonjë dallim, me atë që bëjnë amerikanët?

Bamford: Dhe çfarë dallimi se! Presidenti Barack Obama e tha se ne të gjithë e përgjojmë reciprokisht njëri-tjetrin. Dallimi këtu është vetëm: amerikanët përgjojnë në përmasa të tilla, që mund të krahasohen me një bombë bërthamore. Kjo ka të bëjë me paratë e tyre, me teknikën dhe me pushtetin e tyre. Me 35.000 punonjës, NSA është shërbimi i fshehtë më i madh i botës. Vendet e tjera bëjnë përgjime me përmasat e një topi gjuajtës. Dhe një përparësi tjetër e amerikanëve është se sipërmarrjet e mëdha të internetit janë në SHBA. Ato mund të vendosen nën presion, për të ofruar informacione.

James Bamford është autor dhe gazetar amerikan dhe ka shkruar disa libra për National Security Agency (NSA), midis tyre bestsellerin e shkruar në vitin 1982, "The Puzzle Palace".