1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anëtarësimi në BE jo nga uria për subvencione, por nga ëndrra për paqe

7 Nëntor 2007

Raporti i Komisionit Evropian për zgjerimin e BE, plani i Turqisë për të ndërhyrë ushtarakisht në Irakun e Veriut dhe marrëdhëniet e Vatikanit me Arabinë Saudite janë disa nga temat në faqet e shtypit gjerman.

https://p.dw.com/p/C4yi
Në foto: faqe kryesore të disa gazetave gjermane
Faqe kryesore të disa gazetave gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

KÖLNISCHE RUNDSCHAU shkruan për zgjerimin e BE:

"Etapa hë për hë e fundit e bashkimit të Evropës nën çatinë e BE nuk është ndonjë ndërmarrje me mbështetje të gjerë. Me zemër pro kësaj pune janë vetëm britanikët dhe anëtarët e rinj nga Perandoria e vjetër sovjetike. Në Londër, një BE sa më i madh që të jetë i mundur shihet si mjet i sprovuar për ta mbajtur bashkëpunimin me partnerët kontinentalë në një nivel sa më të cekët. Nën hijen e ish-kështjellës së detyrimit, ne Moskë tani shpresohet që procesi i zgjerimit të shtyhet përpara deri në pranimin e Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Përndryshe në këtë drejtim mbizotëron skepticizëm, para së gjithash përsa i përket anëtarësimit të Turqisë. Realiteti është: materialet e ndërtimit deri tani nuk e justifikojnë zgjerimin. E qartë është vetëm një gjë: në krahasim me Ballkanin Perëndimor dhe me Turqinë, etapa e mëparshme e integrimit të shteteve në BE ishte një gjë e lehtë."

Në gazetën Landshuter Zeitung/Straubinger Tagblatt po për të njëjtën temë lexojmë:

"Organet e BE në Bruksel duhet të kenë mendjen. Sepse vetëm nëse ato e luajnë kartën e zgjerimeve në radhë të parë shumë shpejt dhe së dyti me bujari të madhe, atëherë njerëzit jo vetëm që nuk do të pranojnë të japin aprovimin e tyre, por edhe më tepër. Përmes qeverive të tyre ato do të kujdesen që edhe marrëveshja kaq e rëndësishme për të ardhmen e BE, e quajtur marrëveshja e Lisbonës, të dështojë. Kjo bashkësi duhet të mbetet e hapur, për këtë nuk duhet të ketë asnjë diskutim. Por me të mund të takohet vetëm ai që është i aftë dhe dëshiron të bëhet pjesë e një Bashkimi, i cili mbahet së bashku jo nga uria për subvencione, por nga ëndrra për paqe dhe e të drejtave të garantuara të njeriut."

TAGESZEITUNG e Berlinit ndalet në konfliktin midis Turqisë dhe kryengritësve kurdë të PKK:

"Erdogani mori në Uashington dritë të gjelbër për veprime ushtarake kundër PKK në Irakun e Veriut. Për të marrë këtë aprovim, ai u tregua i gatshëm t'i rakordojë detajet me SHBA dhe që të ketë mendjen që ushtria turke të mos përplaset me trupat e qeverisë autonome të Masud Barsanit. I ndodhur nën presion në politikën e brendshme, Erdogani arriti me këtë një goditje çliruese. Theksimi i harmonizimit të ngushtë midis Turqisë dhe SHBA të bën të mendosh se në operacionin e planifikuar ushtarak do të bëhet fjalë për aksione të caktuar komandove. Synimi duhet të jetë që të nxirren jashtë loje udhëheqës drejtues të Partisë Punëtore Kurde, PKK ose që ata të arrestohen"

Aprovimin Erdoganit presidenti amerikan Xhorxh Bush ia dha në një situatë kur politika e jashtme amerikane ndodhet në vështirësi, mendon komentatori i MÄRKISCHE ODERZEITUNG që botohet në Frankfurt mbi Oder dhe më tej:

"Për SHBA kanë marrë flakë të gjitha frontet. Harku aktual i krizës shtrihet që nga Turqia, në Irak, Iran, Afghanistan deri në Pakistan. Në konfliktin e vazhdueshëm midis palestinezëve dhe izraelitëve nuk vërehet ndonjë zgjidhje. Raporti me Rusinë është tensionuar që prej disa muajsh. Superfuqia, e paralizuar nga aventura e Irakut, e ka humbur iniciativën në politikën e jashtme. Meqenëse konfliktet në Irak dhe në Afganistan ndodhen ushtarakisht në një rrugë pa krye, duhet të ndodhte një lëvizje në drejtim të premisave politike dhe ekonomike."

Dhe së fundi FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, e cila trajton marrëdhëniet e Vatikanit me Arabinë Saudite, me rastin e pritjes që Papa Benedikt i 16-të i bëri mbretit të Arabisë Saudite, Abdullah:

"Raporti midis Vatikanit dhe Riadit është i vështirë dhe gjendja e të krishterëve në Orient thuajse kudo e vështirë dhe delikate-kjo jo vetëm që prej luftës së amerikanëve në Irak- Punëtorë nga vende të krishtera në Arabinë Saudite nuk kanë thuajse asnjë të drejtë. Në një kohë që në Evropë ndërtohen xhami dhe dhoma lutjeje të reja, shumë të krishterë vendet islamike kanë vështirësitë më të mëdha për të ushtruar besimin e tyre. Shiitët e Arabisë Saudite ankohen për diskriminim, nëse jo për shtypje të hapur. Për marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit dhe Riadit tani do të mendohet me detaje. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm në një rrugë të vështirë të normalizimit, të cilën Abdullahu e kishte nisur vetë që kur ishte princ trashëgimtar me vizitat e tij te Papa Gjon Pali i Dytë."