1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analistët: Premtime elektorale jorealiste në Maqedoni

Fatos Musliu11 Prill 2014

Partitë politike në Maqedoni po vazhdojnë fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Fushata elektorale po përcillet me retorikë nacionaliste dhe premtime jorealiste, vlerësojnë analistët.

https://p.dw.com/p/1BgPK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për herë të parë në Maqedoni mbahen njëkohësisht dy fushata zgjedhore: ajo presidenciale dhe fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Fushata elektorale e kandidatëve për president dhe atyre për deputetë, nga analistët vendas është vlerësuar kryesisht negative dhe aspak atraktive.

Fushata nuk po pasqyron realitetin e problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, e aq më pak në të nuk mund të identifikohen ofertat konkrete për të dalë nga kjo situatë, thonë analistët.

Profesori universitar Zdravko Savevski, thotë se shumica e premtimeve elektorale të partive politike, janë premtime boshe të cilat arrijnë edhe deri në kufirin e gënjeshtrës. Në fushatë po premtohet gjithçka, por realizohen vetëm ato projekte që partisë në pushtet do t'i sjellë votat dhe mundësinë, që në zgjedhjet e ardhshme të mburret se ka arritur sukses të madh.

"Premtohet hapja e 100 mijë vendeve të reja të punës, tatim i nivelizuar prej 10 për qind, ulja e TVSH-së për produktet për foshnjet, për mjete shkollore, një vit pushim të paguar për gratë që lindin. Këto premtime janë të këndshme për votuesin por nuk janë të kapshme në aspektin ekonomik", shprehet Savevski.

Kanditatët për president: Largim nga temat ku i kanë kompetencat

Aktivitet elektoral i VMRO-DPMNE
Aktivitet elektoral i VMRO-DPMNEFotografi: MIA

Analisti Sasho Klekovski vlerëson se kandidatët për president, kanë humbur rrugën në fushatën elektorale, sepse ata hapin çështje dhe tema që janë jashtë kompetencave të tyre. Shpesh në tubimet e partive politike, kandidatët për president dhe për deputetë, krijojnë konfiuzion te votuesit me premtimet që japin. "Ka raste kur kandidati për president trajton çështje ekonomike, ulje të tatimeve e kështu me radhë. Ata shpesh herë nuk ndalen fare në kompetencat e presidentit të shtetit siç janë politika e jashtme apo çështjet e eurointegrimit", thotë Klekovski.

Kadriu: Në këtë fushatë ka premtime anti kushtetuese

Për profesorin Osman Kadriu në këtë fushatë elektorale ka edhe premtime anti-kushtetuese siç është premtimi i VMRO-DPMNE për shlyerjen e borxheve që qytetarët kanë ndaj disa ndërmarjeve publike siç është rryma, taksa e radiotelevizionit apo kredive të vjetra.

"Është shumë e logjikshme që në të ardhmen qytetarët të mos bëjnë pagesën e obligimeve që kanë ndaj institucioneve apo ndërrmarjeve pblike, duke shpresuar se në zgjedhjet e radhës ato do të shlyhen nga ndonjë parti politike. Kjo është antikushtetuese", thotë profesori universitar Osman Kadriu.

Retorika nacionaliste dëmton të ardhmen e vendit

Fushata elektorale po përcillet edhe me retorikë nacionaliste. Partitë kryesore në vend VMRO-DPMNE dhe BDI, si pjesë e pushtetit aktual, si platformë kryesore kanë sigurimin e sa më shumë mandateve. VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski kërkon mbi 61 mandate deputetësh për të mos u kushtëzuar, siç thotë, me kërkesa joreale nga partitë shqiptare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shkup.
Fotografi: MIA

Ndërkohë partia shqiptare BDI kërkon 25 mandate që sipas saj do të ishin garanci për rrumbullakësimin e të drejtave të shqiptarëve dhe realizimin e synimit për një marrëveshje të re për presidentin konsensual. Dalja në sipërfaqe e lojës ndëretnike dhe retorika gjithnjë e më nacionaliste, sipas analistit Vllado Dimovski bëhet në mungesë të platformave reale zgjedhore apo mospërmbushjes së premtimeve të dhëna.

"Debati presidencial në televizionin publik, më ka dëshpëruar. Kandidatët sërish filluan me retorikën nacionaliste për të mbledhur vota . Edhe në fushatën parlamentare, retorika po përshkallëzohet edhe më shumë në planin etnik. Kjo nuk është mirë për Maqedoninë, nuk është mirë për të ardhmen tonë", thotë Domovski.

Pasojat nga retorika nacionaliste dhe premtimet boshe vijnë pas përfundimit të zgjedhjeve, kur edhe merr fund loja e partive politike. Qytetarët e Maqedonisë janë të interesuar për mirëqenie dhe të ardhme më të mirë. Ata duan oferta dhe programe reale zhvillimore e jo vetëm retorike nacionaliste vetëm për përfitime politike, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë ndëretnike.

Ndërkombëtarët ndjekin me vëmendje zgjedhjet

Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni Pol Volers, në takimet e shpeshta me liderët e partive politike, ka ritheksuar konstatimin se atmosfera në të cilën do të kalojnë zgjedhjet, do të jetë edhe sinjali që do të dërgojë Maqedonia në Evropë dhe në botë për kapacitetet demokratike të vendit. Ai shpreson në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, pa presione dhe incidente gjatë fushatës elektorale.

Aktivitet elektoral i BDI
Aktivitet elektoral i BDIFotografi: Petr Stojanovski

"Kjo është porosia që do ta shohin të gjithë. Votimi do të ndiqet nga vëzhguesit e OSBE-së por edhe ata të ambasadave të huaja në vend. Është me rëndësi që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe demokratik", porosit ambasadori amerikan Volers.

të ndershmefer dhe demokratike shpreson edhe ambasadorja gjermane në Shkup, Gudrun Shtajnaker. "Maqedonisë i nevojitet një ndarje efikase e psuhtetit, transparencë në shpenzimin e të hollave, liri e mediave si parakusht për zgjedhje dhe votime të lira. Presidenti ka autoritetin moral dhe atë autoritet ai do të duhej ta shfrytëzonte për forcimin e demokracisë, dhe sundimin e së drejtës”, thotë ambasadorja Shtajnaker.

Më 13 prill mbahet roundi i parë i votimit për zgjedhjet presidenciale. Dy ditë para votimit, në fuqi hyn heshtja zgjedhore që këtë herë nënkupton edhe ndërprerjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.