1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i triumfueses Angela Merkel

Kay-Alexander Scholz22 Shtator 2013

Thonë se Merkeli e qeveris Gjermaninë si mbretëreshë. Në një demokraci parlamentare ky nuk është kompliment. Volumi i pushtetit të saj e shpjegon më së miri këtë. Merkel gëzon mbështetje të gjerë tek gjermanët.

https://p.dw.com/p/19m22
Fotografi: Reuters

Kur Angela Merkel u zgjodh në vitin 2005 Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë, nuk ishin të paktë zërat që dyshonin, nëse ajo e kishte vërtet vullnetin për postin e kancelares. Askush nuk do të besonte në atë kohë se pikërisht Merkel do të zgjidhej për një mandat të tretë. Kësaj sfide ia kanë dalë vetëm dy kancelarë: Konrad Adenauer i CDU-së (në vitet 1949-1963) dhe Helmut Kohl po i CDU-së, (1982-1998). Por Merkeli nuk u bë rastësisht e "ashtu si për të thënë" kancelare e Gjermanisë. Dëshirën e saj për pushtet, ajo e ka treguar që herët, para se të futej në zyrën e kancelares. Në mes të skandalit së donacioneve të Partisë Kristiandemokrate, CDU, ajo në një artikull e kritikoi hapur mentorin e saj politik, Helmut Kohlin. Pak kohë pas artikullit ajo u zgjodh kryetare e partisë CDU. Më parë ajo kishte mbledhur përvojë si ministre në kabinetin e Kohlit.

Bundestagswahl Reaktion Angela Merkel CDU
Fotografi: Reuters

Figurë simbol për Evropën

Instinkti i saj për pushtet, mjeshtëria e saj taktiko-strategjike dhe aftësia për t'u përshtatur, e kanë kthyer Merkelin në një nga politikanet më të rëndësishme të Europës dhe Gjermanisë. Gjermania do të dalë më e fortë nga kriza, u premtoi ajo qytetarëve. Dhe vërtet, shifrat pozitive të ekonomisë dhe ulja e numrit të të papunëve po tregojnë përmbushjen e premtimit. Në skenën ndërkombëtare ajo shfaqet si një mbrojtëse e fortë e interesave gjermane. Pavarësisht se ku, në samitin e G8-s apo në samitet e BE-së. Gjithmonë ajo lë përshtypjen se paratë gjermane janë të sigurta në duart e saj. Në botën anglo-saksone, andej nga gjermanët i kthejnë sytë me dëshirë, ajo konsiderohet gruaja më e pushtetshme e botës.

EU-Gipfel - Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në krizën ekonomike dhe financiare të Europës, Merkeli është kthyer në një figurë simbolike të shpëtimit të euros. Jo vetëm Gjermania, por edhe Europa duhet të dalë më e fortë nga kriza, ka thënë Merkel. Ndihmë financiare për të tjerët do të jepet, por vetëm me plotësimin e disa kushteve, ky është thelbi i politikës së saj. Kjo është rruga e saj për ta bërë më konkurruese Europën.

Merkel e ndryshoi CDU-në me themel

Por Merkel ka vënë vulën e saj edhe në transformimin e CDU-së. Fillimisht ajo kishte shumë konkurrentë në CDU. Ata ose u dorëzuan, ose u margjinalizuan, ose u rrëzuan për shkak të aferave të ndryshme. Për Merkelin mungesa e besnikërisë dhe shfaqja e dobësisë politike janë kritere të qarta të nxjerrjes jashtë loje. Politika ka nevojë për pushtet. Këtë ajo e përdor për të ndryshuar shumë elementë programatikë, duke e çuar kështu CDU-në më afër qendrës së spektrit politik. Temat si detyrimi ushtarak, energjia bërthamore dhe modeli i një familjeje klasike, ishin dikur bërthama e bindjeve kristiandemokrate. Merkeli e ndryshoi këtë, në vitin 2011 me daljen e Gjermanisë nga energjia bërthamore.

Helmut Kohl Festakt Berlin
Fotografi: Reuters

Kritikët thonë se ajo e ka sfumuar profilin e partisë, e ka bërë CDU-në më shumë socialdemokrate. Disa anëtarë të CDU-së madje kanë krijuar një parti të re, "Alternativa për Gjermaninë". Por tek të rinjtë, kursi i Merkelit gëzon simpati, Në një sondazh jo përfaqësues, por gjithsesi mbi një bazë të gjerë në mes të rinjve nën 18 vjeç, në vitin 2009, CDU ngrihej në renditje, nga vendi i tretë në vendin e parë.

Merkeli udhëheq e sigurtë në kohë krize

Prej vitesh Merkeli gëzon mbështetje të gjerë tek gjermanët. Këtë ajo e ka fituar edhe me një politikë imazhi me vetëdije për pushtet. Kancelarja shfrytëzoi dëshirën e njohur për stabilitet dhe orientim të gjermanë të tronditur nga krizat . "Disi pa pasion dhe thatë, por me seriozitet dhe autenticitet", e analizon politologu, Karl-Rudolf Korte imazhin e Merkelit.

Edhe nga ana e jashtme Merkeli ka dërguar gjithmonë sinjale stabiliteti. Flokët ajo i ndryshon prej vitesh vetëm me një nuancë të lehtë. Veshjet e saj ndryshojnë vetëm në ngjyra, por stili, xhaketë me pantallona të zeza mbetet. Pra bota jashtë le të jetë e stuhishme, në lajmet në televizion, Merkeli duket gjithmonë njësoj, duke rrezatuar atë qetësinë e saj tipike. Shembulli më i qartë për këtë politikë imazhi u duk në një aktivitet zgjedhor në stacionin kryesor të trenit në Berlin. Në një poster gjigand, 2400 metra katrorë shihej shenja më tipike e Merkelit: Mbajtja e duarve në formë rombi - e më poshtë shkruhej: "E ardhmja e Gjermanisë në duar të sigurta,"

Angela Merkel zu Besuch bei Papst Franziskus
Fotografi: Reuters

Personale, por jo private

Posteri elektoral ishte tipik për një fushatë zgjedhore të CDU-së, e cila u bazua plotësisht tek një person - Merkeli. Për këtë Merkel duhej të dorëzohej pak dhe të bënte publike doza të vogla nga jeta e saj private. Kështu për shembull në pushime ajo e la veten të filmohej si "gjyshja Merkel" me nipërit e mbesat e bashkëshortit të saj, Joachim Sauer. Por deri më sot nuk ka asnjë "home story" - një film familjar për Merkelin dhe bashkëshortin e saj. Dihet vetëm se Merkeli dhe bashkëshorti jetojnë në një apartament në qendrën historike të Berlinit. Për të pushuar ajo shkon në Ukermark, aty ku është rritur, një zonë e gjelbër mes Berlinit dhe Detit të Baltik. Nëna e saj jeton ende aty, ndërsa babai, një teolog, ndërroi jetë në vitin 2011. Merkeli ndikon me personalitetin e saj, por gjëra private për të nuk dihen, thotë politologu Kote. Në fund të fundit, vlerë ka vetëm ajo që Merkeli arrin të bëjë si kancelare.