1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel zgjidhet kancelare për herë të katërt

14 Mars 2018

Angela Merkel arrin mandatin e katërt. Të mërkurën Bundestagu votoi me 364 vota pro zgjedhjes së kancelares, Angela Merkel. Tani qeveria e re mund të filllojë nga puna.

https://p.dw.com/p/2uHlT
	
Deutschland Bundestag Angela Merkel
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Ishte një rrugë e gjatë kësaj here, por kancelarja Angela Merkel arriti të zgjidhet në mandatin e katërt nga Bundestagu, gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Të mërkurën ( 14.03), 364 deputetë nga 709 gjithsej i dhanë votën kancelares Merkel. Shumica e kërkuar ishte 355 vota. Në votimin e fshehtë, Merkel mori 35 vota më pak se 399 vendet e aleancës qeveritare mes CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate, SPD: Rizgjedhja e Merkelit u bë e mundur pas koalicionit me socialdemokratët dhe votës Po të bazës së Partisë Socialdemokrate më 4 mars.

Pas rizgjedhjes së Merkelit si kancelare e Gjermanisë, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e ka emëruar atë për një mandat të katërt. Steinmeier i dorëzoi Merkelit të mërkurën certifikatën e emërimit. "Urime zonja kancelare", tha dhe i uroi Merkelit "punë të mbarë." Në mesditë Merkel betohet në Bundestag.

Tani qeveria e re gjermane mund të filllojë nga puna. Sfida më e madhe konsiderohet aktualisht përplasja tregtare me SHBA, pas vendimit të Donald Trump për vendosjen e doganave ndaj çelikut dhe aluminit të importuar. Nga kjo preken ndër të tjera edhe firmat gjermane.