1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ankaraja nuk do ta presë më Brukselin

Senada Sokollu/Angjelina Verbica15 Tetor 2013

Me tension pritet raporti vjetor i progresit për demokracinë dhe të drejtat themelore në Turqi. Prej tij kushtëzohen negociatat e tjera për anëtarësimin e vendit në BE. Por ndërkohë Turqia është lodhur nga Evropa.

https://p.dw.com/p/19zOe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Viti 2013 përbën një kthim prapa në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Para së gjithash veprimet e dhunshme të policisë kundër demonstruesve në protestat masive përreth parkut Gezi në Stamboll. Në fakt Brukseli donte të hapte në qershor bisedimet për kapitullin 22 për "politikën rajonale dhe koordinimin e instrumententeve strukturore. Por Hollanda dhe Gjermania i bllokuan ato për shkak të qëndrimit të qeverisë ndaj demonstruesve.

BE kritikon dhunën policore në Stamboll
BE kritikon dhunën policore në StambollFotografi: Reuters

Gjithashtu i diskutueshëm është interpretimi i Ankarasë për lirinë e shtypit. Këtu "ekzistojnë ende kufizime", kritikon Maurice Ripert. Kryetari i delegacionit të BE për Turqinë pret që në Raport progresin e Komisionit të BE, që pritet të dalë të mërkurën (16.10.2013), të trajtohen edhe metodat e frikësimit të politikës dhe autocensura e mediave turke. Diplomati francez flet për një "situatë të ngatërruar", përsa i përket të drejtave të njeriut.

Edhe lëvdata për Ankaranë

Por Brukseli nuk ka vetëm kritika për Ankaranë. Javën e kaluar BE përshëndeti "paketën e re të Ankarasë për demokracinë" dhe vlerësoi reformat e Erdoganit. Paketa përmban ndër të tjera zbutjen e ndalimit të shamisë dhe më shumë të drejta për pakicat. Komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fyle, i vlerëson të dyja si progres.

Bie interesi në Turqi

Që nga viti 2005 Turqia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE. Por në Turqi duket se po bie interesi për Evropën. Kështu një sondazh i kohëve të fundit tregon se gjysma e turqve nuk përkrahin anëtarësimin në BE. Në vitin 2004 anëtarësimin e mbështesnin tre ndër katër të anketuar. Ndërkohë rreth një e treta shprehet kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, para nëntë vjetësh ishin nëntë përqind.

Negociata të vështira: Stefan Fyle dhe Egemen Bagis
Negociata të vështira: Komisioneri i BE, Stefan Fyle dhe ministri i Jashtëm turk, Egemen BagisFotografi: dapd

Edhe politika përhap gjithnjë e më pak shpresa në lidhje me këtë temë. Kështu ministri turk për Çështjet Europiane, Egemen Bagis, është i mendimit se Turqia ndoshta kurrë nuk mund të bëhet anëtare e BE. "Mendoj se në periudhë afatgjatë Turqia do të përfundojë si Norvegjia. Ne do të arrijmë standardet evropiane, do të jemi shumë të sinkronizuar me to, por nuk do të bëhemi kurrë anëtar", citohet Bagis nga gazeta turke Hürriyet.

Zëra të tjerë vijnë nga qarqet ekonomike. Kështu Muharrem Yilmaz, kryetar i shoqatës së industrialistëve dhe biznesmenëve turq (TÜSIAD), mendon se Turqia duhet të intensifikojë përsëri përpjekjet, në qoftë se dëshiron rritje ekonomike, stabilitet politik dhe demokratizim. Ngjashëm u shpreh edhe ish ministri i Ekonomisë, Kemal Dervis, në gazetën "Hürriyet.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e anëtarësimit në BE

"Nga pikëpamja ekonomike Turqia ka nevojë për BE", thotë në intervistë me DW ekonomisti dhe gazetari ekonomik, Mustafa Sënmez. "Eshtë me rëndësi të jesh anëtar i BE, apo kandidat për pranim në BE, kur është fjala për investimet e huaja." Sënmez është i mendimit se vetëm aspiratat e Ankarasë për t'u pranuar në BE tërheqin investitorët nga jashtë.

Turqia ka nevojë për BE, mendon Mustafa Sönmez
Turqia ka nevojë për BE, mendon Mustafa SönmezFotografi: privat

Politologia Senem Aydin e sheh BE si motor të procesit të demokratizimit në vend. "Sidomos në pesë vitet e fundit është bërë e qartë se demokracia turke do të kishte mangësi pa ndikimin nga BE", thotë Aydin në intervistë me DW. Në paketën e re të demokratizimit të Erdoganit ajo nuk sheh ndonjë shpresë për përmirësimin e marrëdhënieve me BE. E rëndësishme është që të zgjidhet problemi i Qipros. Para zgjidhjes së tij, thotë politologia, nuk do të ketë hapa në negociatat për pranim.