1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza në Siri mund të dalë jashtë kontrollit

rtr dpa afp/ Mimoza Cika Kelmendi8 Qershor 2012

Kofi Annan ka kërkuar në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork që të rritet presioni ndaj Sirisë.

https://p.dw.com/p/15AZG
Kofi Annan në konferencë shtypi në Damask
Kofi Annan në konferencë shtypi në DamaskFotografi: picture-alliance/dpa

I dërguari i posaçëm i OKB me Sirinë, Koffi Annan ka kërkuar në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork që të rritet presioni ndaj Sirisë. Kriza në vend shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit, tha Annan.

"Dhuna po vazhdon. Siria po bëhet gjithnjë e më shumë e polarizuar dhe po radikalizohet. Në qoftë se gjërat nuk ndryshojnë, e ardhmja ka gjasa të kthehet në një represion brutal, në masakra, dhunë sektare dhe madje deri edhe në shpërthimin e një lufte civile," tha më tej ish sekretari i përgjithshëm i OKB.

Për këtë arsye duhet të ketë më tepër presion dhe konseguenca në rast se nuk vihet në jetë plani i paqes, shtoi ai. Diplomatët perëndimorë vlerësuan që kjo kërkesë për planin e tij gjashtëpikësh të lidhet me një kërcënim për vendosje sanksionesh.

Kundërshtarë të regjimit në Siri duke parë një tank të shkatërruar në luftimet mes rebelëve dhe forcave qeveritare
Kundërshtarë të regjimit në Siri duke parë një tank të shkatërruar në luftimet mes rebelëve dhe forcave qeveritareFotografi: AP

Ban Ki Mun nga ana e tij paralajmëroi për rrezikun e një lufte civile në Siri. Rreziku është akut dhe real, tha Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Të enjten (07.06) njoftimet nga opozitarët për një masakër të re në Siri me të paktën 78 të vdekur kishte tronditur mbarë botën. Ban foli për një "barbari të papërshkrueshme".

Edhe pas kësaj masakre Kina dhe Rusia kundërshtuan kategorikisht ashpërsimin e sanksioneve ose një ndërhyrje ushtarake kundër Damaskut. Zëvendësministri kinez Cheng Guoping tha ditën e enjte se si Pekini ashtu dhe Moska janë kundër një, siç e quajti ai "neo- intervencionizëm në Siri dhe gjetkë."

"Ne kundërshtojmë prerë që vendet e tjera të ndërhyjnë në Siri me çdo lloj mjeti. Ne insistojmë që kriza siriane duhet të zgjidhet nga vetë populli sirian", tha Guoping.

Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 9000 vetë kanë humbur jetën që nga shpërthimi i protestave kundër regjimit autoritar 15 muaj më parë.