1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

APEC: Tregti të lirë edhe pa SHBA-në

Anne Herrberg
21 Nëntor 2016

Takimi i Bashkësisë Ekonomike të Aziatik-Paqësorit (APEC), i cili përfundoi të dielën (20.11), u errësua nga fitorja e Trumpit. Shqetësimi për të ardhmen e tregtisë së lirë u shpreh edhe në konsultimet në Peru.

https://p.dw.com/p/2SyNl
Peru Treffen Barack Obama und Xi Jinping in Lima
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

Në konferencën e APEC-ut, Bashkësisë Ekonomike të Aziatik-Paqësorit, kaloi si një fantazmë që sjell frikë dhe shqetësim zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara. Por presidenti Barack Obama ende në detyrë u përpoq t'i qetësojë shtetet e APEC-ut. Ai u shpreh se zgjedhja e çdo presidenti sjell pasiguri. Obama kërkoi që t'i jepet një shans presidentit të ri. "Nuk është e njëjta gjë si të bësh fushatë elektorale dhe si të qeverisësh”, tha ai.

Apel për tregtinë e lirë

Megjithatë emri Donald Trump lidhet drejtpërdrejt me proteksionizmin, të cilit i tremben shumë krerë shtetesh në takimin e Perusë. Refuzimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë ishte tema qendrore në fushatën e Trump. Kryeministri i Zelandës së Re, John Key tha se proteksionizmi nuk mund të jetë rruga e vetme. "Ka një dëshpërim të madh, sepse Trump vë pikëpyetje mbi të gjitha arritjet e grupit të APEC-ut. Por edhe sikur Shtetet e Bashkuara të mos duan të marrin pjesë në tregtinë e lirë, presidenti Trump duhet ta dijë se ka shtete të tjera që e dëshirojnë dhe duan të bëjnë këtë.”

Peru APEC-Gipfel Leaders´ Dialogue
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Buendia

Ky apel nuk drejtohet vetëm për Zelandën e Re dhe dhjetë shtetet e Paqësorit, me të cilët SHBA po punonin për krijimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë, e nxitur edhe nga Obama, dhe e menduar fillimisht si mur kundrejt Kinës, që po ashtu e kërkonte një zonë të tillë konkurrente.

Obama për dialog dhe demokraci

Ndërkohë tani Kina kërkon që të nxisë bashkëpunimin në një projekt, ku të marrin pjesë të 21 shtetet e APEC-ut, nën drejtimin e Kinës. Kina nuk do të mbyllë dyert, ka thënë kreu i shtetit kinez, Xi Jinping. "Ne ndajmë qëndrimin, që të gjitha vendet pjesëmarrëse të APEC-ut, të punojnë në frymën e partneritetit për të krijuar një ekonomi botërore stabël, të qëndrueshme me një rritje ekonomike të ekuilibruar.”

Ndërkohë Obama në Peru sërish u shpreh pas turit të lamtumirës në Greqi dhe Gjermani, për dialog dhe demokraci. "Jam një amerikan krenar. Puna ime si president është të mbroj interesat e vendit tim. Por unë them gjithmonë, se mënyra më e mirë për të mbrojtur interesat amerikane është jo vetëm të shohim veten, por edhe fqinjin tonë. Se nëse digjet shtëpia e tyre, vjen dita të digjet edhe shtëpia jonë." Në Lima u zhvillua shkurt takimi i pritur me shumë interes mes presidentit Obama dhe atij rus, Vladimir Putin. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në krizë për shkak të luftës në Siri. Obama u shpreh se ka kërkuar nga Putin zbatimin e marrëveshjes së Minskut. Ai kritikoi politikën ruse në Siri.