1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Apeli i fundit për shërbimin e detyruar ushtarak në Gjermani

Angelina Verbica3 Janar 2011

Me 03.01. Bundesveri merr për herë të fundit rreth 12.500 rekrutë në shërbim të detyruar ushtarak. Zyrtarisht detyrimi ushtarak hiqet në 1 korrik 2011. Bundesveri ka aktualisht rreth 240.000 ushtarë dhe ushtare.

https://p.dw.com/p/zsxe
Fotografi: AP

Për herë të fundit Bundesveri merr në uniformë ditën e hënë rekrutë për shërbimin e detyruar ushtarak edhe kundër dëshirës së tyre. Por ndërkohë qeveria gjermane ka bërë të ditur se në afatin e dytë, më 1 mars, nuk do të thirren më ushtarë pa dëshirën e tyre. Nga 1 korriku shërbimi i detyruar ushtarak do të zëvendësohet nga një shërbim vullnetar. Kjo vlen edhe për shërbimin civil. Bundesveri zvogëlon pas kësaj reforme numrin e ushtarëve profesionistë dhe rekrutë në 170.000 vetë.

Jo të gjithë të rinjtë e prisnin me gëzim rekrutimin

Bundeswehr Gelöbnis Stuttgart
Betimi ushtarak i rekrutëve në Stutgart, 30 korrik 2010.Fotografi: AP

I ngarkuari i Bundestagut për Bundesverin, Hellmut Kënigshaus, është shprehur se ai e kupton që një pjesë e të rinjve, që thirren të hënën ushtarë, këtë e ndjejnë si padrejtësi, pasi shërbimi i detyruar këtë herë prek vetëm një pjesë të vogël të tyre. Ata, që nuk do të thirren më për shërbimin e detyruar ushtarak, e presin si lajm të mirë një gjë të tillë. Për një pjesë, të cilët e kanë planifikuar këtë shërbim në biografinë e tyre, tanimë do të duhet të gjejnë një angazhim të ri. "Mund ta kuptoj që ata që nuk do të thirren për një shërbim ushtarak, të cilin ata as nuk e dëshironin, sigurisht që gëzohen. Por nga ana tjetër ka edhe të rinj, që e kanë planifikuar një kohë të caktuar për këtë shërbim. Për ata tani është e vështirë, sepse nuk e dinë njëherë se çfarë do të bëjnë."

Por si është atmosfera në Bundesverin gjerman tanimë, kur po hiqet shërbimi i detyruar? Kënigshaus për këtë thotë: "Ka opinone të ndryshme. Njëra palë thotë që veçanërisht pas shkurtimit të shërbimit ushtarak, heqja e plotë e tij nuk i sjell ndonjë gjë ushtrisë. Pala tjetër bën një llogari të ftohtë që kompetencat specifike, që përfitoheshin nga rekrutët, mbikompensoheshin nga puna, që investohej për trajnimin e rekrutëve. Pra ka mendime ngë më të ndryshmet."

Bundesveri duhet të gjejë rolin e tij të ri

Grundausbildung Bundeswehr
Në stërvitjeFotografi: picture-alliance/dpa

Që nga viti 1957 miliona të rinj gjermanë kanë shërbyer në ushtrinë gjermane, fillimisht për 12 muaj, pas rrëzimit të Murit të Berlinit për 18 muaj, pastaj kjo shifër u ul në 15 muaj, 12 muaj, 9 dhe së fundi në 6 muaj. Rekruti bazuar në traditën prusiane konsiderohej si një nyjë lidhëse mes ushtrisë dhe shoqërisë gjermane. Pas rrëzimit të perdes së hekurt, bundesveri u zvogëlua, pasi fqinjë kundrejt të cilëve duhej të mbrohej Gjermania nuk kishte më.

Kështu pak para vendimit për heqjen e shërbimit të detyruar ushtarak ishin vetëm 12% e gjeneratës së një viti, që vishnin uniformën. Ministri i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, qe i pari që e preku një temë të nxehtë të Bundesverit dhe nisi reformën rrënjësore. Por ende Bundesveri duhet të gjejë rolin dhe detyrat e reja pas heqjes së shërbimit të detyruar ushtarak.

Autor: dpa/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica