1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arid Uka pranon fajin për atentat ndaj ushtarëve amerikanë në Frankfurt

31 Gusht 2011

Në Frankfurt mbi Majn ka filluar këtë të mërkurë procesi kundër Arid Ukës, atentatorit ndaj ushtarëve amerikanë në aeroportin e këtij qyteti. Në atentat janë vrarë dy ushtarë amerikanë dhe janë plagosur dy të tjerë.

https://p.dw.com/p/12QLr
Procesi gjyqësor ndaj 21 vjeçarit Arid Uka në Frankfurt.
Procesi gjyqësor ndaj 21 vjeçarit Arid Uka në Frankfurt. Gusht 2011.Fotografi: dapd

Që në fillim të procesit 21 vjeçari Arid Uka pranoi fajin për atentat ndaj ushtarëve amerikanë. "Janë të vërteta pohimet e aktuakuzës. Unë kam dashur t'i vras ushtarët", deklaroi Uka duke shtuar se vetëm pak kohë pas vrasjes së ushtarëve amerikanë e ka kuptuar se sa e pakuptimtë ishte vepra e tij. Në deklaratën e tij ai kërkoi falje për veprën e kryer.

Arid Uka i lindur në Kosovë duhet të përgjigjet për vrasje të dyfishtë dhe tentativë të trefishtë vrasjeje. Prokuroria shpjegoi se përveç dy ushtarëve të vrarë dhe dy të plagosurve, i akuzuari ka dashur të qëllojë edhe një ushtar tjetër amerikan, por plumbi ka mbetur i ngujuar në pistoletë.

Pak pas kryerjes së veprës atentatori ishte kapur në aeroportin e Franfkurtit. Prokuroria vlerësoi se atentatori ka vepruar si një person dhe jo si anëtar i ndonjë organizate apo grupi. Ai ka qenë nën ndikimin e fuqishëm të propagandës së xhihadit në internet. Sipas shpjegimeve të tij, ai ka parë në internet sjellje brutale të ushtarëve amerikanë, të cilët tregoheshin duke plaçkitur një shtëpi dhe duke dhunuar tri vajza. Atentatin ndaj këtyre ushtarëve e ka kryer vetëm për faktin që ishin pjesëtarë të kontingjentit ushtarak amerikan në kuadër të misionit ISAF në Afganistan. I akuzuari kërcënohet me burgim të përjetshëm.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: E. Ajazaj