1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armatosja verbale e të dyja palëve shoqërohet nga ngurtësimi i pozicioneve

4 Gusht 2011

FAZ dhe Tageszeitung analizojnë shkaqet e gjendjes në Kosovë

https://p.dw.com/p/12B5b
Faqe te para te gazetave gjermane
Faqe te para te gazetave gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

"Kriza e Kosovës zgjerohet", e titullon gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, artikullin kushtuar konfliktit të fundit kosovaro- serb për kontrollin e pjesës veriore. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës fajësojnë njëra tjetrën se duan të nxisin luftën, shkruan gazeta duke cituar ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç të ketë thënë se kryeministri kosovar Hashim Thaçi kërkon të fusë Beogradin në luftë, ndërkohë që për agjensinë Beta, një këshilltar për politikën e jashtme të qeverisë kosovare ka thënë se Beogradi përpiqet që t`i marrë Kosovës një pjesë të territorit të saj.

Armatosja verbale e të dyja palëve shoqërohet nga ngurtësimi i pozicioneve të të dyja palëve. Ditën e mërkurë BE dhe KFOR i bënë të dyja palëve një propozim për kompromis, sipas të cilit punonjësit kosovarë në të dy pikat kufitare Jarinjë dhe Brnjak të jenë nga pakica serbe. Si kompensim, demonstruesit serbë duhet të largohen nga të dyja rrugët. Transporti i mallrave nga Serbia vazhdon të mbetet i ndaluar, vetëm automjetet personale dhe autobuzët mund të kalojnë kufirin. Në muajin shtator Beogradi dhe Prishtina duhet të fillojnë bisedimet për njohjen reciproke të vulave doganore me synimin e dhënies fund të kufizimit të qarkullimit të mallrave, shkruan gazeta, e cila shpjegon më tej ngjarjet e ditës së martë dhe të mërkurë, gjatë të cilave qindra demonstrues serbë dolën në barrikada. Autokolona e komandatit të KFOR-it, Bühler u bllokua 20 minuta, duke iu penguar vazhdimi i udhëtimit. Në veri të Kosovës, janë bërë të dukshme pasojat e embargos kosovare, shkruan FAZ.

Gazeta Tagesspiegel boton një intervistë me komandantin e Kfor-it, Erhard Bühler, në të cilën ai flet për shkaqet e konfliktit aktual. Sipas komandantit gjerman, hapësira e veriut të Kosovës në të cilin mungon sundimi i ligjit, është lënë për një kohë të gjatë në fatin e vet. Bühleri përshëndet vendimin e NATO-s për shtimin e trupave në Kosovë, jo për shkallëzim të gjendjes, por për të patur thjesht më shumë trupa. Momentalisht të gjithë janë të tensionuar, thotë komandanti, i cili mendon se me prej shumë kohe është lejuar që në atë zonë të krijohen struktura radikale, kriminele me përbërje multietnike si kosovaro-shqiptare ashtu edhe kosovare-serbe. Këto struktura duan të mbajnë pushtetin, lufta bëhet për para dhe janë ata që bëjnë ligjin në veri. Janë ata që drejtojnë forca të armatosura, që i paguajnë këto forca dhe marrin peng popullsinë civile të veriut, e cila kërkon paqe, thotë komandanti i Kfor-it, Erhard Bühler për gazetën gjermane "Der Tagespiegel".

Autor: faz,tsp/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi