1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060710 Strategien gegen Terror

8 Korrik 2010

"Homegrown Terrorism" - Deri para pesë vjetësh këtë nocion nuk e kishte dëgjuar askush. Ai u bë i njohur prej atentateve me bomba ndaj metrosë dhe autobusëve në Londër më 7 korrik 2005.

https://p.dw.com/p/ODwm
Grupi i Sauerland-it në GjermaniFotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe atentatet ndaj trenave rajonalë spanjollë një vit më parë, ku u vranë 191 vetë dhe u plagosën 1.460, si dhe atentati i planifikuar nga i ashtuquajturi "Grup i Sauerland-it" në Gjermani konsideroheshin si "të prodhuara në vend".

Si reaguan vendet e prekura prej kërcënimit nga qendra e shoqërisë?

E veçanta e "homegrown terrorism": Ndryshe nga rasti i atentatorëve të 11 shtatorit autorët janë rritur në vendet, u kryen ose planifikuan sulmet. Atje kishin ndjekur shkollën. Në shumicën e rasteve ata vinin nga familje me sfond migrimi dhe ishin edukuar pa lidhje të fetare. Dhe ata dukeshin të integruar mirë në shoqëri, deri në çastin kur ranë në kontakt me nxitësit islamistë. Madje disa prej terroristëve nuk ishin as nga familje myslimane, por morrën vonë gjatë jetës në fenë islame.

Një prej mësimeve më të rëndësishme që nxorri Britania e Madhe pas atentateve të Londrës ishte shmangja e polarizimit të shoqërisë, thotë Magnus Ranstorp i Kolegjit Suedez të Mbrojtjes në Stokholm: „New Scotland Yard ishte shumë efektiv në përcjelljen e këtij lajmi me një zë të përbashkët. Nuk pati manipulim informacionesh. Policia u përpoq ta mbante shoqërinë të bashkuar. Pikërisht pas atentateve, por edhe në përgjithësi autoritetet mund të bëjnë shumë. Vendimtar këtu është fuqizimi i bashkësive rajonale që të flasin vetë hapur për temën e ekstremizmit në shoqëri.“

Dialog për vlerat

Mbrojtja më e mirë është imuniteti i bashkësive myslimane në shtetet perëndimore ndaj ideologjisë ekstremiste, thotë sekretari i shtetit në ministrinë e brendshme gjermane, Ole Schröder. Për të zhvilluar një dialog për vlerat e për vlerat e përbashkëta qeveria gjermane ka ngritur konferencën për fenë myslimane. „Bëhet fjalë për aktivizimin e shoqërisë civile myslimane. Sepse vetëm kur kjo e dallon këtë si problem të vetin është e gatshme të veprojë kundër këtyre prirjeve për radikalizim dhe t'ia bëjë ato të ditura organeve të sigurisë. Vetëm atëherë mund të veprojmë në mënyrë të efektshme kundër kësaj forme të terrorizmit.“

Islamisti gjerman Eric Breininger
Islamisti gjerman Eric BreiningerFotografi: picture-alliance/dpa

Në mënyrë që edhe në xhami të përcillen vlera që përputhen me një shoqëri të hapur duhet që të rinjve myslimanë t'iu drejtohen para se ta bëjnë këtë ekstremistët. "Një pikënisje e rëndësishme është kualifikimi dhe kualifikimi i mëtejshëm i imamëve në Gjermani, në mënyrë që të mos kemi predikues urrejtjeje por predikues të paqes dhe që bashkësia myslimane në Gjermani të bëjë vazhdimisht të qartë se predikimi i terrorizmit nuk lejohet të jetë pjesë e fesë myslimane."

Imun ndaj ideologjive ekstremiste

Brenda Bashkimit Evropian u përpilua një ndarje pune pas atentateve të Londrës. Spanja me migrimin e saj të madh marokien mori detyrën për të hartuar modele të tilla kualifikimi të imamëve, thotë Rontorp.

Kush është imun ndaj ideologjive ekstremiste as nuk bëhet terrorist. Për këtë arsye thotë Judith Sunderland, e organizatës për mbrojtjen e drejtave të njeriut Human Rights Watch paralajmëron prej stigmatizimit të myslimanëve në shoqëritë perëndimore. Sipas saj, ndalimi i minareve dhe i shamive të kokës nxisin më shumë radikalizimin. Veçanërisht trajtimi i të dyshuarve për terrorizëm duhet të bëhet sipas parimeve të shtetit ligjor, thotë ajo. Por, këtë parim disa ligjvënës e kanë hequr: "Në procedurën penale ata kanë krijuar përjashtime për të dyshuarit për terrorizëm. Për shembull koha e mbajtjes në burg pa vendim gjykatësi u zgjat shumë - në Britaninë e Madhe deri në 28 ditë. Në Spanjë dhe Francë qasja në një avokat është shumë e kufizuar."

Sipas saj kjo ka si efekt të kundërtën e asaj që synonte në fakt ligjvënësi.

Autor: Fabian Schmidt/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama