1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush është ai, që ka ftuar Pegida?

Christopf Hasselbach14 Prill 2015

Populisti i djathtë holandez, Geert Wilders, flet në manifestimin e Pegidës në Dresden. Po kush është në fakt ai, që kanë ftuar organizatorët?

https://p.dw.com/p/1F7Ap
Geert Wilders
Fotografi: picture-alliance/dpa/Vincent Isore/IP3

Kohët e tij më të mira Geert Wilders duket se i ka lënë pas, si në Hollandë ashtu edhe në skenën europiane. Sepse kohët e fundit burri me flokët e lyera të verdha ka patur vetëm humbje në zgjedhjet në vendlindjen e tij. I biri i një holandezi dhe i një nëne me prejardhje nga Indonezia ka bërë një karrierë politike të habitshme. Në vitin 1998 Wilders hyri në parlamentin holandez si përfaqësues i partisë së djathtë liberale VVD, por u shkëput pas 14 vjetësh prej saj, sepse VVD përkrahte pranimin e Turqisë në BE. Në vitin 2006 ai themeloi Partinë e tij për Lirinë (PVV) dhe tërhoqi vemendjen me kërkesat për daljen e Holandës nga BE, heqjen e euros dhe parullat e vazhdueshme islamiste.

Ai ka prekur në nerv sidomos me çështjen e islamit. Në një sondazh të vitit 2008 56 përqind e holandezëve e shihnin islamin si kërcënim dhe 57 përqind mendonin, se ka qenë gabimi më i madh në historinë e vendit të tyre, që kanë lejuar kaq shumë muslimanë në vend. Wilders e shpjegoi një herë suksesin e tij me fjalët se ai guxon që të thotë atë, që "miliona njerëz e mendojnë".

Aleanca politike me Marine Le Pen dështoi
Aleanca politike me Marine Le Pen dështoiFotografi: DW/A. Noll

Fleta tani është kthyer

Në këtë atmosferë për një kohë të gjatë Wilders mundi të shkonte nga një sukses në tjetrin. Kulmi ishin zgjedhjet parlamentare në Holandë në vitin 2010. Atje PVV u bë forca e tretë për nga rëndësia. Qeveria Rutte varej nga toleranca e PVV. Edhe vetë videofilmi i Wilders-it "Fitna" në vitin 2008, që ndërlidhte sulmet terroriste të 2001 me citate të Kuranit duke krijuar një kolazh antiislamik, nuk mundi ta dëmtojë atë as politikisht dhe as nga ana ligjore. Protesta në botën islame ishte, siç pritej, e madhe, por procesi kundër tij për urrejtje racore dhe diskriminim të muslimanëve përfundoi me shpalljen e tij të pafajshëm.

Por dikur erdhi pika e kthesës. Me sa duket ai e teproi një një takim të partisë në vitin 2014. Atje ai pyeti në mënyrë retorike pasuesit e tij: "A doni më pak apo më shumë marokanë në Holandë?" Masa ulëriste "më pak, më pak". Pastaj Wilders duke qeshur: "Atëherë do ta rregullojmë këtë." Disa komentatorë hoqën paralelen me "fjalimin në palllatin e sportit" të ministrit të propagandës së Hitlerit, Joseph Goebbels, kur ai pyeti në vitin 1943: "A doni luftë totale". Në një stuhi indinjate me mijëra holandezë ngritën padi kundër Wilders për nxitje urrejtjeje dhe racizëm. Gjyqi i parë përfundoi me shpalljen e tij të pafajshëm, por tani po përgatitet një proces tjetër kundër tij. Me sa duket Wilders kishte kapërcyer cakun dhe si rezultat shumë prej pasuesve të tij u larguan nga partia PVV."

Gjatë gjithë kohës me mbrojtje policore

Që atëherë duket se Geert Wilders po izolohet gjithnjë e më shumë. Në zgjedhjet europiane 2014 PVV pësoi humbje. Edhe plani për një aleancë të djathtë evropiane me kryetaren e Front-National në Francë, Marine Le Pen, dështoi. Mediat holandeze dhe partitë e mëdha kanë nisur tani ta injorojnë Wilders-in. Përsa i përket përmbajtjes ai nuk tërheq mbrapsht asgjë. Wilders thekson vazhdimisht se ai nuk urren muslimanët, por se doktrina islame "është çnjerëzore". Ai thotë se feja islame është "problemi më i madh për Holandën". Kurani sipas tij është "fashist", ai e krahason atë me librin e Hitlerit "Mein Kampf". Por Wilders është i izoluar edhe direkt dhe personalisht. Si çmim të zemërimit, që shkakton, ai jeton që prej dhjetë vjetësh pa ndërprerë nën mbrojtjen e policisë. Ai ndërron vazhdimisht vendbanimin, që është një sekret i ruajtur fort. Prandaj dalja e tij në publik në Dresden nuk është vetëm politikisht një çështje e ndjeshme, por edhe një problem sigurie i shkallës së lartë.