1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armiqtë e deridjeshëm politik në Serbi, futen në bashkëshortësi interesi

Bahri Cani26 Qershor 2008

Gjashtë javë pas zgjedhjeve të parakohshme, në Serbi është arritur marrëveshja për krijimin e një qeverie të re proevropaine. Kështu u dakorduan presidenti Boris Tadiq dhe lideri i socialistëve Ivica Daçiq.

https://p.dw.com/p/ER78
Boris TadiqFotografi: AP

Hapi i parë i bashkëpunimit të armiqëve të deridjeshëm ishe zgjedhja e socialistes, Sllavica Gjukiq - Dejanoviq për kryetare të Parlamentit. Për kryetaren e re votuan 128 nga gjithësej 250 deputeët sa ka kuvendi i Serbisë. Në koalicionin e ri janë futur partitë e koalicionit "Për Serbinë evorpiane" të presidentit Boris Tadiq, koalicionit rreth socialistëve me në krye pasardhësin e Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq dhe ato të minoriteteve, të cilat edhe votuan për kryetaren e re të parlamentit.

Të enjëten duhet të zgjidhen organet tjera të parlamentit, ndërkohë që javën që vjen pritet të zgjidhet qeveria. Mediat serbe njoftojnë se mandatari do të jetë nga Partia Demokratike, ndërsa Daçiq do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i policisë. Ai tha se parimet kryesore për të cilat kanë rënë dakord me presidentin Tadiq janë ruajtja e integritetit territorial të Serbisë së bashku me Kosovën, integrimet evropiane, zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale. Qeveria e re do të ketë rreth 25 ministri. Do të mbetet edhe Ministria për Kosovën, ndënëse deri tani është spekulluar me mundësinë e heqjes së saj.

Për ish - kryeministrin Zoran Zhivkoviq, do të jetë ky vetëm edhe një vit i humbur, sepse në një koalicion nuk mund të funkcionojnë armiqtë e deridjeshëm. Ai pret që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm. Socialistët më parë kanë zhvilluar negociata me radikalët e Vojisllav Sheshelit dhe demokratët e Vojisllav Koshtunicës, por ata nuk u dakorduan për të gjitha kërkesat e socialsitëve. Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për studime evroatlantike thotë se socialistët kanë vendosur për koalicion me forcat proevropiane dhe jo nacionaoliste, vetëm për shkaqe pragmatike.

"Jam plotësisht e bindur se kjo do të jetë një qeveri me kohëzgjatje të shkurtër dhe relativisht jostabile. Besoj se shkaku kryesor për shkatërrimin e kësaj Qeverie do të jetë cështja e Kosovës, ku jo të gjitha partitë e koalicionin kanë qëndrime të njëjta. Mendoj se Partia Demokratike duhet të jetë ajo e cila do të mbledhë guximin dhe të hedhë në tavolinë propozimin për ndarjen e Kosovës."

Një sfidë tjetër tepër e madhe për koaolicionin do të jetë bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, i cili është si kusht për integrime evropiane. Tadiqi është për bashkëpunim, socialistët janë kundër.

Vendimi për krijimin e koalicionit është përshëndetur prej politikanëve kryesorë perëndimorë si një shans për Serbinë për të vazhduar rrugën e integrimeve evropiane, që ka premtuar presidenti Tadiq. Njëkohësisht nuk janë të paktë ata të cilët këtë e shohin si një shans për socioliatët që të shkëputen nga e kaluara e luftërave, burgosjeve, vrasjeve dhe keqtrajtimeve të kundërshtarëve politik. Megjithatë shumica ende mendojnë se kjo është vetëm një bashkëshortësi interesi e cila do ta ketë shumë vështirë të mbijetojë mandatin e plotë prej katër vitesh.