1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestimet në Serbi - Ç'dijnë Vuçiqi dhe Nikoliqi për rastin Quruvija

Ivica Petrovic / Esat Ahmeti15 Janar 2014

Vrasja e gazetarit Sllavko Quruvija është një nga vrasjet poliitke më të bujshme të viteve 90-të ende të pazgjidhura në Serbi. Hetimet po nisin tani. Por sa ka qenë shteti i implikuar në krim?

https://p.dw.com/p/1AqpP
Slavko Curuvija Herausgeber Serbien ARCHIV 1998
Fotografi: picture-alliance/dpa

Hetimet për vrasjen e Sllavko Quruvija-s vazhdojnë edhe sot dhe ende nuk kanë marrë një epilog gjyqësor. Ndër vite është dëgjuar të thuhet, se dihen përgjegjësitë për vrasjen në përgjithësi si dhe kush cilët kanë qenë personat nga sigurimi i shtetit, që i kanë organizuar të gjitha. Të gjitha këto deri tani kishin mbetur në kuadrin e spekulimeve. Por pas arrestimeve të fundit në Beograd, del se spekulimet e shtypit në lidhje me përgjegjësinë e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të shërbimeve sekrete ishin në fakt të sakta.

Pas arrestimit të martën (14.1.) të Milan Radonjiqit, kreut të atëhershëm të Sigurimit Shtetëror (DB) të Beogradit dhe Ratko Romiqit ish-shefit të sektorit Operativ të UDB-së, zyrtarët e shtetit në një konferencë shtypi, si autor kryesor të vrasjes përmendën Radomir Markoviqin, ish-shefin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Serb (SDB). Me këtë rast, si dëshmitar kyç në hetime u përmend Milorad Ulemek Legija, i cili po vuan një dënim prej 40 vjet burg për përfshirje në vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiq, dhe dy dëshmitarë të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes dyshohet të jenë Ratko Romiq dhe Miroslav Kurak. Gruaja e Quruvijes së vrarë, Branka Prpa, megjithatë, thotë se nuk mund ta identifikojë si vrasës Kurák-un. Motivi për vrasjen ishte politik, tha prokurori i çështjeve për krimin e organizuar, Miljko Radisavljeviq, por nuk përjashtohet mundësia të ketë pasur edhe disa motive private.

Vrasja e gazetarit Sllavko Quruvija është ndoshta një prej vrasjeve më të bujshme të pazgjidhura politike në vitet 90-të në Serbi. Slavko Quruvija ishte gazetar dhe redaktor i njohur në Beograd, themelues dhe pronar i gazetës "Nedeljni Telegraf" dhe "Dnevni Telegraf". Ai u vra gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë më 11 Prill të vitit 1999, në ditën e Pashkëve Ortodokse, para ndërtesës ku ai jetonte. Vrasjes së Quruvija-s i kanë paraprirë thirrjet publike të Mirjana Markoviqit, gruas së Sllobodan Millosheviqit, e cila Quruvija-n e kishte cilësuar si armikun numër një të shtetit dhe si një person që ka shkaktuar bombardimin e Serbisë. Disa ditë para se të kryhet vrasja është botuar edhe një artikull në gazetën e përditshme "Politika Ekspres" me titullin "Quruvija mirëpret bombat". Ky artikull për shumë njerëz paraqiste në fakt vendimin përfundimtar për Quruvija-n.

Hetimet sapo kanë filluar

Edhe pse shumë media të Beogradit kanë deklaruar se rasti Quruvija është zgjidhur, gazetari i së përjavshmes "Vreme", Milosh Vasiq, paralajmëron se autoritetet gjithë kohës thonë se aktakuza është gati, por duhet të presim ende deri sa ajo të ngrihet. Me sa kam arritur ta kuptoj unë prokurorin për krime të rënda, aktakuza mund të shpallet diku nga muaji prill, thotë Vasiq për Deutsche Welle-n. Hetimet në të vërtetë po fillojnë tek tani, thekson Vasiq:

"Moment i ri në gjithë këtë histori është se të dy dëshmitarët, për të cilët ne jemi duke dëgjuar me vite të tëra, të cilët me sa duket kishin frikë të deklaroheshin, më në fund pranuan të dëshmojnë. Ndaj këtu është edhe Milorad Ulemek Legija, i cili ka vendosur t'i tregojë të gjitha ato që mund të jenë më interesante, sepse ai i di të gjitha. Dhe ajo që për mendimin tim aktualisht ka rëndësinë më të madhe ligjore është deklarata e Miljko Radisavljeviq, se autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes janë Kurak dhe Romiq ".

Legija pa kredibilitet?

Citimi i emrit të Milorad Ulemekut si dëshmitar, i cili më në fund ka vendosur të flasë, shtron edhe çështjen e motiveve dhe kredibilitetit të tij, kur dihet që ai është dënuar si i akuzuar për vrasjen e kryeministrit Gjingjiq. Autoritetet pohojnë se Legija nuk ka kërkuar ndonjë përfitim për dëshminë e tij. Milosh Vasiq vlerëson se megjithatë është vështrë t'i besohet Legija-s sepse ai ka kohë që e ka dëmtuar kredibilitetin e vet: "Ka një kohë të gjatë që ai ka dëmtuar besueshmërinë e tij, para së gjithash me dëshmitë e tij të rreme gjatë gjykimit për vrasjen e Gjingjiqit për ato 600 kilogramët e heroinës dhe gjëra të ngjashme. Megjithatë, e vërtetë është çështja tjetër që ai di çdo gjë. Unë nuk jam i sigurt se ai ka njohuri direkte, sepse nëse më kujtohet saktë, Njësia Speciale Operacioneve (JSO) në atë kohë ka qenë e angazhuar në masë të madhe në Kosovë, kështu që unë nuk e di nëse ai ka qenë në Beograd apo jo, por kjo mund të vërtetohet lehtë. Megjithatë fakt mbetet që anëtarët e JSO-së ishin të përfshirë në veprimtarinë e drejtpërdrejtë operacionale të Sigurimit Shtetëror gjatë luftës. "

Frank Simatovic nach Djindjic-Attentat festgenommen
Arrestimi i Frank Simatovic, një nga ish- komandantët e njësisë speciale "Beretat e kuqe", pas atentatit ndaj Zoran Xhinxhiqit në Beograd, 14.03.203Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Shteti vrasës

Gruaja e Sllavko Quruvija-s, Branka Prpa thekson për Deutsche Welle-n se risia e vetme në hetimet për vrasjen e burrit të saj është arrestimi i disa personave. Sipas saj, kjo vetëm sa dëshmon se shteti ishte vrasës... Kjo është arsyeja pse pothuajse 15 vjet nuk ka pasur zhvillime në fushën e hetimeve, thotë Prpa: "Në esencë Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SDB) nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar vetëm emrin e tij duke gjetur pastaj edhe pronarë të rinj. Dhe ky insitucion nuk bën asgjë tjetër përveç se mbron veten e tij."

Sa dijnë Vuçiqi dhe Nikoliqi?

Fakti që në kohën e vrasjes së Sllavko Quruvija-s, zëvendës-kryeministri aktual Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Informacionit në qeverinë serbe, me siguri që është një fakt i pakëndshëm për siç thuhet shpesh, aktualisht politikanin më të fuqishëm në Serbi. Aleksandar Vuçiq i pyetur nga gazetarët në lidhje me përgjegjësinë e tij në rastin Quruvija ka thënë vetëm se mëson nga gabimet e tij. Branka Prpa tha për Deutsche Welle-n se përgjegjësia eventuale e Vuçiqit është diçka ndaj të cilës ai duhet të marrë qëndrim:

"Është thuajse e pamundur të mos dijë asgjë pikërisht dikush që është ministër i Informacionit në kohën e persekutimit më të madh të mediave në historinë e Serbisë moderne, e aq më tepër në kohën e vrasjes së gazetarit. Pra, ai duhet të di diçka dhe duhet ta thotë të vërtetën për atë që ka ndodhur në ato vite në Serbi. Në anën tjetër, jo vetëm ai por edhe Tomislav Nikoliqi ka qenë zëvendës-kryeministër në atë kohë. Tomislav Nikoliqi është tani president i Serbisë. Njeriu i cili ka deklaruar publikisht se nuk i vjen keq pse është vrarë Sllavko. Prandaj për këtë arsye edhe ai duhet ta shprehë qëndrimin e tij përndryshe e gjithë kjo do të mbetet vetëm një farsë. Unë e pres një gjë tillë nga ata sepse këtu nuk kemi të bëjmë me çështjen e vullnetit të tyre të lirë, por me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre."