1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohen 99 të dyshuar si mafiozë

Gregor Hope/Romë17 Dhjetor 2008

Policia italiane ka kryer një aksion kundër mafies. Ajo ka goditur një grupim, që donte të ndërtonte një strukturë të re udhëheqëse të Kosa Nostras. 1.200 policë morën pjesë në operacion, dhjetëra mafiozë u arrestuan.

https://p.dw.com/p/GHto
Bernardo Provencano, bosi i Kosa Nostras i arrestuar më 2006-ën
Bernardo Provencano, bosi i Kosa Nostras i arrestuar më 2006-ënFotografi: AP

99 të dyshuar janë arrestuar në një aksion, që është përgatitur për nëntë muaj me radhë. Një goditje për krimin e organizuar në Siçili, të cilën ministri i drejtësisë Alfano e vlerësoi menjëherë me fjalë lavdëruese për punën e qeverisë Berluskoni.

„I pashembullt“, është ky sukses tha Alfano dhe përfaqësuesit e partive të tjera folën për një shkallë të re të kualitetit të luftës kundër mafies.

Prokurori i çështjes në Siçili, Francesco Messineo, e sheh kuptimin e këtij sulmi kundër mafies në rradhë të parë në atë, që Kosa Nostra i mbetet besnike vetes në metodat e saj.

„Mafia nuk kishte hequr dorë në asnjë moment nga mjetet e saj të organizimit. Ajo ka qenë vetëm e paralizuar prej kufizimeve, si p.sh. nga arrestimi i të gjithë bosëve të klanit, si edhe nga arrestimi i grupeve ndërlidhëse. Por e qartë ka qenë se te mafia ka mbijetuar dëshira, për t´i ringritur sërish strukturat, të cilat i kishte prishur puna e policisë dhe e prokurorisë."

Pas arrestimit të Toto Rinës, të cilin shumë anëtarë të Kosa Nostras vazhdojnë ta konsiderojnë si kryekomandantin e tyre, në vitin 1993 drejtimi i mafies siçiliane i pati kaluar përsëri Bernardo Provencanos. Provencano jetoi për dekada i fshehur dhe ka shumë të ngjarë jo pa mbështetjen e ndihmësve të blerë, apo të frikësuar nga radhët e administratës dhe të politikës. Kur Provencano u arrestua në qendrën e tij Corleone në rrethinat e Palermos në qershor 2006, ditën kur qeveria e Romano Prodit mori drejtimin, klanet mbeten pa autoritet komandues.

Edhe pse shumë njohës të situatës dyshojnë, që Provencano me të vertetë ka patur nga ilegaliteti pushtet mbi të gjithë Kosa Nostran. Por pa dyshim kështu ka qenë në rastin e Toto Rinës, deri në arrestimin e tij 1993. Rina, i cili kishte dhënë urdhërin për vrasjen e Borselinos und Falkones, që luftonin mafien, ka qenë sundimtari absolut në të ashtuquajturën „Cupola“, niveli drejtues mbi të gjitha klanet e veçanta të Cosa Nostrës.

Tani një tjetër kishte nisur të ngrinte sërish në këmbë Cupola-n e vjetër. Bosi i Kosa Nostrës në Trapani, Mattia Messina Denaro. Denaro vetë është akoma në arrati. Por përpjekja e tij për t´u ngritur në rangun e bosëve të bosëve, dhe për t´i kthyer kështu Kosa Nostrës fuqinë e humbur, dështoi me aksionin e fundit të policisë dhe të ushtrisë. Francesko Messineo, prokurori që ka kryesuar raprezaljet:

„Angazhimi me zemër i karabinierëve e shkatërroi këtë plan, këtë projekt, që do të kishte sjellë pa dyshim rreziqe të mëdha.“

Edhe nëse Kosa Nostra është dobësuar tani dukshëm, ajo mbetet pa dyshim e rrezikshme. Për të mos folur për grupet e tjera, që veprojnë me shumë sukses në pjesë të tjera të Italisë. Megjithatë: Italia feston një sukses të pjesshëm, por të konsiderueshëm në luftën kundër kriminalitetit të organizuar në këtë vend.

iv (AUD)