1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohen "grupe terroriste serbe" në Mal të Zi

16 Tetor 2016

Në Mal të Zi po zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Por një hije të rëndë ka hedhur lajmi për arrestimin e 20 personave nga Serbia.

https://p.dw.com/p/2RHlY
Montenegro Verhaftung in Podgorica
Fotografi: Reuters/S. Vasiljevic

Në Prokurorinë Speciale të Malit të Zi ka nisur marrja në pyetje e personave nga Serbia, të arrestuar të shtunën natën në territorin e Malit të Zi. Reagime kundërthënëse në Podgoricë dhe Beograd.

Në Mal të Zi është konfirmuar gjatë ditës se në territorin e këtij vendi janë arrestuar 20 persona nga Serbia. Lajmin e konfirmoi edhe drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviq. Ndërkohë bëhet e ditur se ka filluar edhe marrja në pyetje e personave të arrestuar, për të cilët ekziston dyshimi se "kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale në territorin e Malit të Zi”. Agjensitë e lajmeve njoftojnë se ata dyshohen madje edhe për vepër penale të "terrorizmit”.

Lajmi i sakt

"Është e sakt që pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë, gjatë natës së kaluar, në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurinë Kombëtare dhe në koordinim dhe urdhër të Prokurorisë Speciale të shtetit, duke vepruar në përputhje me të dhënat operative dhe të dhënat e intelegjencës, kanë arrestuar 20 persona, shtetas të Republikës së Serbisë. Ndërsa një person tjetër, gjithashtu shtetas i Republikës së Serbisë, është në kërkim”, thuhet në një kumtesë të policisë malazeze.

Montenegro Wahlkampf Milo Dukanovic
Fotografi: Reuters/S. Vasiljevic

Në kumtesë njoftohet për "dyshimet se ata kanë hyrë në Mal të Zi dhe kanë pasur për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike, me qëllim që në natën pas zgjedhjeve të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, kundër policisë dhe pjesëtarëve të organeve të shtetit, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë të shtetit”.

"Drejtoria e policisë në lidhje me këtë zhvillim, në përputhje me procedurën, i ka dorëzuar prokurorisë informatën e planifikuar për opinion”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së Policisë. Në një njoftim të policisë thuhet madje se grupi i arrestuar ka qenë i udhëhequr nga ish-shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiq, kryetar i Frontit Patriotik të Serbisë, organizatë nacionaliste e afërt me qarqet ekstreme ruse.

Gjukanoviq nuk frikësohet

 

Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviq deklaroi sot se për arrestimin e ish-shefit të xhandarmerisë serbe Bratisllav Dikiq dhe grupit të armatosur që ka udhëhequr ai, ka njohuri aq sa janë publikuar sot në medie, ndërsa pret që zgjedhjet parlamentare të kalojnë në atmosferë të qetë dhe të rregullt. "Mali i Zi është shtet shumë stabil dhe funksional dhe kushdo që mendon se mund të luajë me të do të përfundojë siç kanë përfunduar edhe deri tani”, tha ai. Ndërsa presidenti Filip Vujanoviq tha se ka njohuri për arrestimin e grupit, por policia e ka gjendjen nën kontroll.

Serbia nuk ka informacione

Montenegro Wahlkampf Demokratische Front (DF)
Fotografi: Reuters/S. Vasiljevic

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se nuk ka asnjë të dhënë për arrestimin e një grupi paraushtarak krininal në Mal të Zi. Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se informatën për arrestimin e supozuar të një grupe krimninale paraushtarake, e ka parë në media.

"Unë e kam parë në media këtë informatë. Informacione të tjera për këtë nuk kam”, tha Stefanoviq për gazetarët në Bujanovc. Ministri serb i Brenshëm pret që Prokuroria e Malit të Zi të publikojë informatata zyrtare.

Në Mal të Zi mbahen sot zgjedhjet parlamentare, ku do të zgjidhen 81 deputetë. Flitet edhe për mundësinë serioze që Partia e Demokratike Socialise e kryeministrit Gjukanoviq të humbë pushtetin, pas 25 vitesh në pushtet.