1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet një nga kokat e të akuzuarve për gjenocid në luftën e Bosnjës

Lindita Arapi11 Qershor 2008

Stojan Zupljanin, njëri nga katër serbët më të kërkuar për krime lufte u arrestua të mërkurën në Beograd. Pas arrestimit të Stojan Zupljanit reagimet ndërkombëtare ndaj Serbisë ishin pozitive.

https://p.dw.com/p/EI2z
Stojan Zupljanin u arrestua në afërsi të BeograditFotografi: AP

Njësitë speciale të policisë dhe shërbimeve sekrete arritën të arrestonin të dyshuarin për krime lufte, Stojan Zupljanin i kërkuar nga Tribunali i Hagës dhe i futur në ilegalitet që prej dhjetë vjetësh, në afërsi të Beogradit. Njoftimin e dha prokuroria serbe për krimet e luftës në Beograd. 56 vjeçari Stojan Zupljanin akuzohet se si komandat policie dhe punonjës i shërbimit sekret në kohën e luftës civile në Bonje-Hercegovinë në vitet 1992-1995 ka drejtuar pastrimet etnike dhe ka qenë pjesëmarrës në to, ku si pasojë qindra mijë myslimanë u keqtrajtuan dhe u vranë.


Qeveria serbe që kishte vënë një shumë prej 250.000 eurosh për kapjen e Zulpjanit, pritet ta dërgojë të kërkuarin për krime lufte në Hagë. Pas arrestimit të njërit prej më të kërkuarve serbë për krime lufte, reagimet ishin pozitive. Komisari i BE-së për zgjerimin Oli Ren e përshëndeti arrestimin e Zupljaninit si një hap të rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit të pakufizuar me Tribunalin e Hagës.


Pozitive ishin edhe reagimet gjermane. Zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë gjermane Thomas Steg në u shpreh: "Qeveria gjermane ka një qëndrim të qartë veçanërisht sa i përket perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor. Një kriter shumë i rëndësishëm me qëllim të realizimit të këtyre perspektivave është bashkëpunimi i pakufizuar me Tribunalin e Hagës. Kjo linjë është theksuar gjithmonë dhe për fat të mirë edhe në Serbi ka forca politike të cilat janë të gatshme për këtë, që e shohin dhe punojnë në drejtim të perspektivës evropiane. Në këtë kontekst ne e kemi marrë njoftimin dhe gëzohemi për gadishmërinë e bashkëpunimit me Hagën."


Edhe zëdhënësi i dhomës së jashtme të parlamenttit gjerman, socialdemokrati Gert Weisskirchen (Weisskirchen) e sheh arrestimin e Stojan Zupljanin si një hap përpara në bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës. Kjo tregon se po funksionon linja Hagë-Beograd, tha Vajskirqen, duke e vënë arrestimin e Zuplaninit të dytin për nga rëndësia pas arrestimit dhe dërgimit të Millosheviçit në Hagë.


Vajskirqen: "Kjo është tanimë një provë e qartë dhe e dukshme që ky bashkëpunim po futet në rrugën e duhur . Shpresoj që ai të vazhdojë dhe të kapen edhe të dyshuarit e tjerë. Kjo është inkurajuese" tha Vajskirqen.


Dy ditë më parë Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar Serbinë për plotësimin e kushteve të vëna nga BE, me qëllim që marrëveshja e stabilizim-asociimit me Bashkimin Evropian të bëhet realitet.


Për zëdhënësin e dhomës së jashtme të parlamenttit gjerman, socialdemokratin Gert Vajskirqen arrestimi i Zupljaninit tregon efektin e presionit të Brukselit ndaj Beogradit: "Mendoj se ka një lidhje të dukshme. Por unë do të dëshiroja që të rriteshin përpjekjet me qëllim që edhe kriminelët e fundit të marrin dënimin e merituar."


Pas arrestimit të Stojan Zupljaninit të lirë janë ende tre kokat e kryesore të gjenocidit të kohës së luftës. Ish-komandanti Ratko Mlladiç, ish-presidenti i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe udhëheqësi i serbëve në Koraci, Goran Haxhiç. Dërgimi i këtyre katër personave përfshi edhe Zupljaninit është një nga kushtet e BE-së për integrimin e Serbisë në Evropë.