1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet sulmuesi i dyshuar i Parisit

gmf/SC/wl (dpa, afp) / Esat Ahmeti21 Nëntor 2013

Personi i dyshuar për kryerjen e sulmeve të fundit në Paris është arrestuar nga policia. Një test i ADN-ja ka dhënë rezultate të qarta, njoftoi prokuroria në Paris.

https://p.dw.com/p/1ALlM
Fotografi: picture-alliance/dpa

Atentatori i Parisit është arrestuar pas dy sulmeve spektakolare ndaj shtëpive mediatik. Një burrë i arrestuar në mbrëmjen e të mërkurës është identifikuar nëpërmjet analizës së ADN-së, si sulmuesi i dyshuar, tha një zëdhënëse e Prokurorisë së Parisit.

Sipas të dhënave të policisë, pas informatave të popullatës personi i dyshuar është rrethuar dhe kapur në një garazh nëntokësor në periferi të Parisit, në lagjen Bois-Colombes. Megjithatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai fillimisht është dërguar në spital. Sfond dyshohet të jetë përpjekja e tij për të bërë vetëvrasje. Pas sulmit të kryer ndaj gazetës liberale me orientim të majtë "Libération" dhe gjuajtjeve në distriktin e biznesit La Défense, policia kishte nisur një aksion masiv për zbulimin e identitetit të sulumesit dhe kishte analizuar regjistrimet e rreth 30.000 kamerave vëzhguese në hapësirat e Parisit. (shiko foto lart)

Sulmuesi nuk është i panjohur

Sulmuesi i dyshuar është futur të hënën me dhunë në ndërtesën e gazetës "Libération" ku ka qëlluar me armë një asistente të fotografisë duke e plagosur rëndë. Pastaj në distriktin e biznesit La Défense para bankës së madhe franceze Société Générale ai ka qëlluar përreth tij. Menjëherë pas kësaj ai ka kidnapuar një shofer me gjithë makinën e tij dhe e ka detyruar atë ta dërgojë në qendër të Parisit. Qysh të premten ai ka kërcënuar edhe një redaktor të kanalit televiziv të lajmeve BFMTV.

Sipas të dhënave të policisë personi i arrestuar është Abdelhakim Dekhar i cili në vitin 1998 është dënuar në rastin famëkeq kriminal Florence Rey. Në vitin 1994 rasti i Florence Rey pati lënë pa frymë tërë Francën. Studentja Rey kishte sulmuar së bashku me të dashurin e saj një stacion policor për të siguruar armë që të kryejnë grabitjen e një banke. Gjatë aksionit policor për kapjen e tyre janë vrarë tre policë, një shofer taksie dhe shoku i saj.

Katër vjet më vonë Dekhar u dënua me katër vjet burg për shkak se ai i kishte shitur çiftit një armë. Menjëherë pas dënimit, ai u lirua në moshën 33-vjeçare, pasi që kishte vuajtur dënimin në paraburgim.