1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arsyet e humbjeve të laburistëve në zgjedhjet lokale

Ajazaj, Elert4 Maj 2008

Cila është arsyeja për rënien e furishme? Natyrisht një rol luan seria e pandërprerë e gabimeve dhe gafave, natyrisht gjendja keqësohet prej faktit që britanikët janë papritur ekonomikisht në një gjendje më të keqe.

https://p.dw.com/p/Dso9
Kryeministri britanik Gordon Brown pranon disfatën në zgjedhjet komunaleFotografi: picture-alliance/ dpa

Münchner Merkur: Anija qeveritare nuk lundroi vetëm në luftën e Irakut me kurs të gabuar: Me det të vështirë kapiteni Brown po lufton edhe në fushën e tij fillestare, ekonominë. Kriza financiare mbarëbotërore i ka arritur britanikët, por ish-zotit të stërlinës nuk i vjen në mend ndonjë recetë bindëse. Dhe atje ku paraardhësi Blair përhapte karizmën e tij legjendare, Brown-i që vepron pa fat ngjall vetëm keqardhje të ligë. Partia Laburiste mund ta kuptojë votën e mosbesimit të zgjedhjeve komunale si sinjal starti për një debat të pamëshirshëm mbi të ardhmen e figurës së saj udhëheqëse.


Ndërsa Frankfurter Rundschau gjykon: Asnjë fjalë zbukuruese nuk mund të gënjejë për faktin që Labour-it po i rrëshqet nga duart pushteti në vend. Shtresat qytetare që Blair-i diti t'i lidhte me Partinë Laburiste, po kthehen tek konservatorët. Në të njëjtën kohë Labour-i e ka të vështirë të tërheqë në vendvotime votuesit besnikë. Që punët do të shkonin kaq shpejt tatëpjetë, këtë natyrisht nuk e prisnin edhe përkrahësit e Brown-it. Tani kryeministri duhet të ketë frikë që partinë e tij ta përfshijë paniku dhe të shpërthejnë beteja të rrepta në lidhje me orientimin.


Në mbyllje Main Echo: Cila është arsyeja për rënien e furishme? Natyrisht një rol luan seria e pandërprerë e gabimeve dhe gafave, natyrisht gjendja keqësohet prej faktit që britanikët janë papritur ekonomikisht në një gjendje më të keqe sesa nën drejtimin e Blair-it. Por arsyeja vendimtare për mungesën e popullaritetit të Brown-it ka karakter psikologjik. Qëkurse Brown-i hoqi dorë prej zgjedhjeve të parakohshme ai konsiderohet në opinionin publik si frikacak, i pavendosur dhe diplomat. Veç kësaj ai duket i mëngjarash deri turivarur dhe rrallë i entuziazmon njerëzit.