1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arti botëror në mësymje

21 Prill 2013

Biznesi global me veprat e artit lulëzon. Në ekspozitën më të vjetër gjermane të artit, Art Cologne, ekspozojnë veprat e tyre galeri nga 26 vende. Për të parën herë merr pjesë edhe një galeri nga Afrika.

https://p.dw.com/p/18K0X
Eine Installation von Mel Bochner schaut sich am 18.04.2013 in Köln (Nordrhein-Westfalen) auf dem Stand der Akira Ikeda Galerie ein Mann an. Die Kunstmesse Art Cologne findet vom 19.04. bis 22.04.2013 in Köln statt. Foto: Oliver Berg/dpa
Art Cologne 2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Kur Jonathan Garnham flet për punën e tij, ai është në veprimtarinë e vet të preferuar. Drejtori i papërtuar i galerisë Blank Projects nga Capetowni do të bëjë të mundur që artistët e rinj të kenë mundësi karriere edhe në atdheun e tyre, Afrikën e Jugut. Për këtë arsye prej vitit 2006 ai drejton me mbështetjen e Institutit Goethe në Johannesburg një galeri të vogël. „Në Afrikën e Jugut ka vetëm një numër të vogël koleksionistësh të artit bashkëkohor. Prandaj jam këtu, për të vendosur kontakte ndërkombëtare“, thotë ai.

Në të kaluarën shumica e artistëve të njohur nga Afrika e Jugut si Kendell Geers, Candice Breitz apo Moshekwa Langa janë larguar nga atdheu. Qoftë në Gjermani, Belgjike, SHBA apo Holandë: Gjetiu marrin mbështetje më të madhe sesa në kontinentin afrikan, ku institucione si South African National Gallery kanë një buxhet të destinuar për blerje prej vetëm 10.000 eurosh në vit. Për këtë arsye rrjetet janë të rëndësishme për Jonathan Garnhamin, në mënyrë që të bëjë biznes edhe jashtë Afrikës së Jugut. Prezantimi i Garnhamit ishte një premierë në kuptim të dyfishtë: Ai ekspozon për të parën herë në ekspozitën Art Cologne dhe Art Cologne fton për të parën herë një galeri afrikane, që të prezantojë në Këln veprat e saj të artit.

Jonathan Garnham, galeristi i vetëm nga kontinenti afrikan
Jonathan Garnham, galeristi i vetëm nga kontinenti afrikanFotografi: DW/S. Oelze

Gjermania si treg kryesor

Gjermania është një nga tregjet më të rëndësishme për artin bashkëkohor. "Një e treta e artistëve më të shtrenjtë në botë ka pasaportë gjermane“, shpjegon Daniel Hug, drejtues artistik i Art Cologne. Ai ia ka dalë ta bëjë përsëri konkurrues në nivel ndërkombëtar panairin e artit të Këlnit. Çmimi i përgjithshëm i veprave të artit të shitura në Gjermani në vitin 2012 ka qenë sipas një analize të shoqërisë franceze për vlerësimin e tregut të artit Artprice, 144,5 milionë euro. Kësisoj xhiroja ka rënë pak krahasuar me një vit më parë.

Sipas një studimi, të kryer për llogari të panairit holandez të artit TEFAF, tregu i artit është tkurrur me shtatë për qind. Edhe Kina, e cila deri në 2011-n renditej me shuma rekord para SHBA-së në listën e suksesit ekonomik, shënon ulje të xhiros. "Arsyeja për këtë janë çmimet e fryra të viteve të fundit", mendon Alexander Ochs, i cili ka një galeri në Pekin. "Kështu siç sillet Republika Popullore e Kinës me tregun e artit, e dëmton atë", thotë Ochs.

Vepra të kërkuara: Piktura pejzazhi nga Kina, të Lu Songut
Vepra të kërkuara: Piktura pejzazhi nga Kina, të Lu SongutFotografi: DW/S. Oelze

"Boom-i që kemi përjetuar në fushën e artit bashkëkohor ishte një pervertim i raporteve në tregun perëndimor, në atë masë saqë artistët u shtrenjtuan jashtë mase në sajë të tregtarëve kinezë të ankandeve. Në këtë mënyrë çmimet u rritën tej mase", shpjegon Ochs. Vepra si "Mountains in Red" e artistit kinez Li Keran ndërruan pronësinë në vitin 2012 për 33,8 milionë euro..

"Brazili është Kina e re"

Mirëpo shefi i panairit, Hug, e sheh të ardhmen në Brazil, atje ku paguhen aktualisht shuma shumë të mëdha për vepra arti. Brazili është Kina e re: "Atje ka koleksionistë të rëndësishëm dhe para të madhe. Unë njoh shumë galeristë evropianë, të cilët marrin pjesë në panairet braziliane, por për galeritë braziliane nuk ka kuptim që të vijnë në Evropë", mendon Hug.

Autor: Sabine Oelze / Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi