1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Artistët hungarezë nën trysni

Keno Verseck / Eliana Xhani24 Qershor 2012

Nën qeverinë konservatore të djathtë të Viktor Orbanit, artistët në Hungari ndodhen nën një trysni në rritje. Doktrina kulturore nacionaliste po përhapet, ekstremizmi i djathtë rritet. Shumë artistë braktisin vendin.

https://p.dw.com/p/15KQZ
Ndërtesa e parlamentit hungarez në Budapest.
Fotografi: AP

Punimet e ndërtimit në shitoren me traditë Corvin në Budapest janë në kulmin e tyre. Në vjeshtë këtu do të hapë dyert qendra alternative e kulturës Müvelödési Szint. Pronari i shitores ua ka dhënë me qira sipërfaqen rreth 3.000 metra katrorë me një çmim të arsyeshëm organizatorëve të Müszi, siç quhet shkurt qendra e kulturës. Një fat për skenën e artit dhe të kulturës alternative në kryeqytetin hungarez. Gjatë dy viteve të kaluara administrata e Budapestit me orientim nacionalist të djathtë dhe konservator, urdhëroi mbylljen e shumë lokaleve të kulturës alternative, të padëshiruar nga politika.

"Si në një diktaturë"

Regjisorja hungareze Julia Bársony
Regjisorja hungareze Julia BársonyFotografi: DW

Kështu edhe regjisores së teatrit Julia Bársony, për pjesët e saj - një përzierje e teatrit, artit formues dhe performancës - iu desh të shpërngulej me ansamblin e saj "Harmadik Hang" (Zëri i Tretë) në qendrën e kulturës, Müszi. Por gëzimi i saj për ndërtimin e qendrës është i përzier me hidhërim të thellë. "Ne po humbasim gjithçka që kemi ndërtuar në dy dhjetëvjeçarët e fundit", thotë ajo. "Kultura po centralizohet përsëri, zyrtarë të qeverisë përcaktojnë linjën e kulturës. Gjendja është si ajo dikur në diktaturë, një goditje tmerrësisht e thellë."

Atë që thotë Julia Bársony e dëgjon në mënyrë të ngjashme nga thuajse të gjithë artistët dhe intelektualët hungarezë, të cilët nuk janë partizanë të qeverisë së kryeministrit Viktor Orbán. Në fund të prillit 2010 liga nacional-konservatore e djathtë e demokratëve të rinj të kryeministrit Orbán, Fidezs, fitoi në zgjedhje dy të tretat në parlament. Që atëherë kryeministri po kryen ndryshime radikale në Hungari, edhe në kulturë. Shumë artistë dhe intelektualë largohen nga vendi pasi nuk shohin mundësi ekzistence apo perspektiva për vete, apo sepse e konsiderojnë të padurueshme klimën e krijuar në vend nga politika për kulturën.

Ringjallja e nacionalizmit

Pjesëtarë të së djathtës esktreme "Garda hungareze" në Budapest
Pjesëtarë të së djathtës esktreme "Garda hungareze" në BudapestFotografi: AP

Qeveria e Orbánit nuk stepet as përpara artistëve dhe intelektualëve me famë botërore. Kështu në janar 2011 mediet e afërta me qeverinë ndezën një fushatë që vazhdoi disa javë kundër pianistit András Schiff, i cili kishte shprehur shqetësim për antisemitizmin dhe ekstremizmin e djathtë në rritje në Hungari. Pak më vonë qeveria, e shoqëruar nga një fushatë mediatike me tone të larta, urdhëroi hetime kundër një grupi intelektualësh të njohur liberalë, filozofë, historianë dhe studiues të kulturës, ndër të tjera kundër filozofes Ágnes Heller, e cila me gjasë kishte përvetësuar para nga fondet për kërkime. Akuzat ishin fare pa bazë dhe hetimet u pezulluan hap pas hapi, por ndërkohë është shkatërruar në masë të madhe ekzistenca materiale e shumë prej personave të prekur.

Në fillim të marsit të këtij viti shkrimtari hungarez hebre 79-vjeçar, Ákos Kertész, kërkoi azil në Kanada. Arsyeja: në gusht 2011 në një polemikë kontradiktore, ai i kishte akuzuar në mënyrë kolektive hungarezët se deri më sot mohojnë fajin e tyre në Holokaust dhe se janë përkrahës të zjarrtë të diktaturës. Pasoi një fushatë përgojimi kundër Kertész-it, këshilli i qytetit të Budapestit i hoqi atij titullin e qytetarit të nderit. Në fund shkrimtari u largua nga Hungaria pasi sipas thënieve të veta ndihej vazhdimisht i kërcënuar dhe madje kundër tij ishte përdorur edhe forca.

Në sulmet kundër artistëve dhe intelektualëve nuk bëhet fjalë vetëm për të detyruar të heshtin kritikuesit e padëshiruar të kryeministrit Viktor Orbán dhe partisë së tij Fidesz. Partia në pushtet ka edhe një program të vetin ideologjik dhe politiko-kulturor. Nën moton "Hungaria mbi gjithçka" ajo propagandon një nacionalizëm etnik, i cili përfshin përtej kufijve edhe pakicat hungareze në vendet fqinje. Kjo vlen para së gjithash për Rumaninë, Sllovakinë dhe Serbinë, të cilave Hungaria me marrëveshjen e Trianonit në 1920 u detyrua t'u jepte dy të tretat e territorit të saj shtetëror.

Kushtetuta e re hungareze, e cila hyri në fuqi në fillim të janarit 2012, vë të gjithë hungarezët brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë para obligimit të ruajtjes "së gjuhës së veçantë hungareze, hungarizmit dhe kulturës kombëtare hungareze". Ligji i kontestuar për mediet i detyron shprehimisht gazetarët e medieve shtetërore, t'u japin peshë të veçantë në raportimet e tyre unitetit shpirtëror dhe kulturor të të gjithë hungarezëve, si dhe nxitjes së ndërgjegjes kombëtare hungareze.

Kryeministri hungarez Viktor Orban
Kryeministri hungarez Viktor OrbanFotografi: AP

Veprat e kriminelëve të luftës si literaturë e detyrueshme

Shpesh në këtë axhendë politiko-kulturore dhe ideologjike të partisë në pushtet Fidesz, thuajse zhduken kufijtë me programatikën e së djathtës ekstreme. Kështu në mes të majit qeveria miratoi planin e ri themelor kombëtar të mësimit për shkollat hungareze. Si literaturë e detyrueshme përcaktohen ndër të tjera vepra të shkrimtarëve antisemitë të së djathtës ekstreme të kohës mes luftërave, József Nyírö, Albert Wass dhe Dezsö Szabó. Nyírö ka qenë i kërkuar si kriminel lufte dhe Wass për të njëjtën gjë është dënuar në mungesë me vdekje në Rumani.

Fryma e nacionalizmit etnik është e pranishme edhe optikisht në Hungari. Prej vitesh tashmë në vend ngrihen gjithnjë e më shumë monumente për shkrimtarë si  Albert Wass, kudo shihen skulptura të zogut mitologjik Turul, i cili thuhet se u ka treguar rrugën drejt Panonias fiseve hungareze 1.100 vjet më parë. Qeveria e Orbánit e "pastroi" sheshin Kossuth para ndërtesës së parlamentit në Budapest nga statujat historike. Kështu për shembull u hoq një statujë e Mihály Károlyi, një demokrat radikal dhe pas Luftës së Parë Botërore presidenti i republikës së parë jetëshkurtër hungareze. Ndërkohë inaugurohen sërish monumente si ai i mëkëmbësit të Rajhut, Miklós Horthy, i cili pati qeverisur Hungarinë nga viti 1920 deri në 1944 dhe që është përgjegjës për deportimin e më shumë se 400.000 hebrenjve nga Hungaria në kampet gjermane të përqendrimit.

Hungaria tjetër

Por në Hungari ka edhe një kulturë të re, ndryshe, e cila kundërshton rilindjen e nacionalizmit etnik: opozita e shoqërisë civile, në të cilën bashkëpunojnë pa ndonjë organizmin të veçantë shumë grupe aktivistësh për të drejtat qytetare, sindikata, aktivistë politikë jashtë parlamentit dhe artistë të angazhuar politikisht. Opozita nga shoqëria civile e sheh veten shprehimisht të pavarur nga partitë politike. Fjala është në radhë të parë për të krijuar në Hungari një demokraci me më shumë pjesëmarrje qytetare dhe kontroll nga qytetarët.

Këngëtarja hungareze Dorottya Karsay dhe producenti i muzikës Peter Bakos
Këngëtarja hungareze Dorottya Karsay dhe producenti i muzikës Peter BakosFotografi: DW

Një nga sukseset më të mëdha të mobilizimit në Hungarinë e re të Orbánit, opozita nga shoqëria civile e arriti vjeshtën e kaluar me fushatën e saj "Sistemi nuk më pëlqen!". Një grup aktivistësh të rinj politikë, artistësh dhe muzikantësh prodhuan një video muzikore për një demonstratë të madhe në festën kombëtare, 23 tetor. Kënga titullohej "Sistemi nuk më pëlqen!" dhe i referohej butonit "Më pëlqen!" në Facebook. Këngëtarja në videon me muzikë rap është Dorottya Karsay, një sociologe 27-vjeçare e cila punon në grupe feministe dhe antiraciste. Video u klikua rreth 900.000 herë në Youtube, Karsay qysh atëherë konsiderohet si zëri i opozitës qytetare në Hungari.