1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashpërsohen protestat në Bullgari

Eliana Xhani (dpa, afp)24 Korrik 2013

Protestat, që vazhdojnë prej 40 ditësh kundër qeverisë në Bullgari, kanë arritur një pikë të re kulmore. Demonstruesit rrethuan ndërtesën e parlamentit, derisa u larguan nga forcat e policisë.

https://p.dw.com/p/19DUL
Fotografi: picture-alliance/dpa

Policia bullgare ka shpërndarë bllokimin e parlamentit në Sofje. Ministra dhe deputetë, që kishin mbetur të bllokuar në ndërtesë, u shoqëruan jashtë parlamentit nga forcat e sigurisë. Demonstruesit armiqësorë ndaj qeverisë e kishin mbajtur të rrethuar ndërtesën dhe kishin ngritur barrikada.

Fillimisht policia u përpoq të çante bllokadën e qindra demonstruesve, për t'u mundësuar ministrave dhe deputetëve daljen nga ndërtesa. Si pasojë pati konfrontime mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Sipas të dhënave të forcave të shpëtimit u plagosën të paktën gjashtë vetë, ndër të cilët dy policë. Policia u përpoq të mundësonte nisjen e një autobusi me ministra dhe deputetë, por demonstruesit e bllokonin vazhdimisht rrugën. Me altoparlantë ata thërrisnin "Mafia, mafia".

Protesta antiqeveritare në Bullgari
Protesta antiqeveritare në BullgariFotografi: BGNES

Demonstrime të përditshme

Ministria e Brendshme deklaroi se demonstruesit kishin qëlluar me gurë. Policët nuk kishin përdorur asnjë mjet të fortë. Presidenti bullgar Rosen Plevneliev bëri thirrje për qetësi. Një "shkallëzim i tensioneve" dhe një "cënim i rendit publik", duhet të shmangen, deklaroi ai.

Të revoltuar nga korrupsioni, nepotizmi dhe varfëria në shtetin më të varfër të BE-së që prej 14 qershorit çdo mbrëmje mijëra bullgarë dalin në rrugët e kryeqytetit Sofje. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit pa parti Plamen Oresharski, të mbështetur nga socialistët dhe partia e pakicës turke. Vendi gjendet në një krizë të thellë politike, që prej dorëheqjes së qeverisë së mëparshme konservatore, shkurtin e kaluar. Zgjedhjet e parakohshme në maj rezultuan në një situatë të bllokuar politike.

Në interes të oligarkëve?

Protesta antiqeveritare në Bullgari
Çdo ditë në rrugë kundër korrupsionitFotografi: BGNES

Oreshkarski nuk pranon të japë dorëheqjen. Demonstruesit pro-evropianë sipas njoftimeve të korrespondentëve nuk mund të identifikohen thjesht me kampin opozitar. Ata akuzojnë jo vetëm socialistët, por edhe partinë opozitare konservatore, GERB, se politika e tyre orientohet nga interesat e oligarkëve të kamur.

Aktualisht demonstruesit protestojnë edhe kundër planit të qeverisë për të rritur shpenzimet buxhetore. Për të penguar këtë partia GERB e ish-kryeministrit Borisov do t'i japë fund bojkotimit të parlamentit. Partia e tij do të marrë pjesë në votimin për propozimin e qeverisë për shtim të buxhetit, njoftoi Borisov.

BE e alarmuar

Rritja e shpenzimeve buxhetore do ta çonte Bullgarinë në një katastrofë financiare sipas "skenarit grek". Që prej fillimit të qershorit deputetët e GERB-it nuk marrin pjesë në mbledhjet plenare të parlamentit. Me këtë bojkot ata duan të arrijnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kriza në Bullgari shqetëson tani edhe BE-në. Në një vizitë në Sofje komisionerja për drejtësinë, Viviane Reding, bëri thirrje për dialog politik. "Jepini fund konfliktit politik", u bëri thirrje zv/presidentja e Komisionit të BE-së dy partive të mëdha, socialistëve dhe GERB-it. Në të njëjtën kohë Reding u premtoi mbështetje demonstruesve: "Mund të mbështeteni tek ne. Ne do ta detyrojmë qeverinë të ndërmarrë një luftë të vërtetë kundër korrupsionit." Komisioni, që prej anëtarësimit të Bullgarisë në BE në 2007, kontrollon përparimet në reformën e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. "Kjo do të vazhdojë, sa të jetë e nevojshme", tha Reding.