1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Veriut bllokon kompleksin industrial Kaesong

(dpa / reuter) Aida Cama3 Prill 2013

Koreja e Veriut e ka ashpërsuar edhe më tej konfliktin me Korenë e Jugut. Punëtorët nga Koreja e Jugut nuk lejohen më të vijnë në kompleksin e përbashkët industrial Kaesong.

https://p.dw.com/p/188cD
Fotografi: Reuters

Koreja e Veriut nuk ka lejuar futjen e punonjësve koreanojugorë në kompleksin e përbashkët industrial Kaesong që ndodhet në kufirin mes dy Koreve. Koreja e Veriut ka kërcënuar ta mbyllë Kaesongun. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur. Punonjësve dhe automjeteve që duhet të fillonin të mërkurën (03.04.2013) në mëngjes turnin e parë, iu desh të ktheheshin mbrapsht. Asnjë punonjës nga jugu, nuk u lejua të kalonte kurifin, bëri të ditur Penjani.

Koreja e Veriut ka lejuar vetëm daljen e koreanoveriorëve që ndodheshin në kompleks, njoftoi agjencia koreanojugore, Yonhap. 860 punonjësit u lejuan të largoheshin nga Koreja e Veriut. Nuk është e qartë sa kohë do të zgjasë bllokada. Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes Kim Kwan Jin tregoi vendosmëri. Nëse "gjendja bëhet serioze", atëherë një aksion ushtarak do të ishte i mundshëm, në mënyrë që të sigurohet jeta e koreano-jugorëve.

Parku ekonomik Kaesong ndodhet në territoret koreano-veriore rreth dhjetë kilometra larg kufirit me Korenë e Jugut. Zona e veçantë ekonomike u krijua në vitin 2004 si projekt i përbashkët ndërkufitar. Atje bëjnë pjesë 123 firma koreano-jugore, me rreth 50 mijë punonjës. Kompleksi është projekti i vetëm i përbashkët ekonomik që funksionon, midis dy vendeve. Ai është një nga mundësitë e pakta të veriut të izoluar dhe varfëruar, për të marrë valutë.

Nordkorea Kaesong Abriegelung Sonderwirtschaftszone
Fotografi: Jung Yeon-Je/AFP/Getty Images

Me këtë bllokadë gjendja është ashpërsuar edhe më shumë në gadishullin korean. Që prej testimit të tretë atomik të bërë nga Koreja e Veriut në muajin shkurt, gjendja ka qenë e tensionuar. Kryetari i shtetit, Kim Jong Un pati vendosur të shtunën e kaluar "gjendjen e luftës" me Korenë e Jugut. Përveç kësaj ai kërcënoi SHBA-në, aleate me Korenë e Jugut me sulm atomik.

Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry, theksoi gatishmërinë për mbrojtje të vendit të tij, duke pasur parasysh kërcënimet e bëra nga Koreja e Veriut. SHBA-ja është e gatshme të mbrojë veten dhe Korenë e Jugut, tha Kerry pas një takimi në Uashington me kolegun koreano-jugor, Yun Byung Se. Retorika koreano-veriore e luftës është provokative dhe e rrezikshme. Rivënia në punë e reaktorit bërthamor Yongbyon do të shkelte qartë marrëveshjet ndërkombëtare, tha Kerry duke pasur parasysh njoftimet e bëra nga Koreja e Veriut. Kerry i bëri thirrje Koresë së Veriut që t`i kthehet bisedimeve. Vetëm kështu regjimi mund të çlirohet nga izolimi ndërkombëtar.