1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashton dhe Füle: "Ju inkurajojmë që sapo të certifikohen rezultatet të krijohet menjëherë qeveria"

Arben Muka25 Qershor 2013

Përmes një deklarate për Chatrine Ashton dhe Stefan Füle përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që, sipas vlerësimit të tyre, u zhvilluan në mënyrë të rregullt.

https://p.dw.com/p/18vkg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dy ditë pas përfundimit të procesit të votimeve në Shqipëri ka reaguar edhe Brukseli. Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë publikoi pasditen e së martës (25.06.2013) një apel të Përfaqësueses së Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë Cathrine Ashton dhe Komisionerit Štefan Füle për Shqipërinë lidhur me ruajtjen e standardeve të BE dhe ato ndërkombëtare deri në finalizmin e procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Ashton dhe Füle përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që, sipas vlerësimit të tyre, u zhvilluan në mënyrë të rregullt. "Tani duhet garantuar ndjekja e duhur e gjetjeve paraprake dhe konkluzioneve të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë" , thuhet në deklaratën e publikuar për media zyra e KE në Tiranë.

Kur kanë mbetur pa u numëruar dhe rreth 10 përqind e 5508 kutive të votimit në të gjithë territorin e Shqipërisë BE-ja u ka bërë thirrje partive që të veprohet me frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar. "Ne ju inkurajojmë që sapo të certifikohen rezultatet të krijohet menjëherë qeveria për trajtimin e sfidave të menjëhershme që ju presin për të garantuar që programi i reformave të vendit do të ndiqet fuqimisht dhe që procesi i integrimit evropian të mund të fitojë një vrull të ri" përfundon deklarata e përbashkët e Përfaqësueses së Lartë Cathrine Ashton dhe Komisionerit të BE-së, Štefan Füle.

Albanien Wahl Auszählung
Fotografi: DW/Arben Muka

Një ditë më parë ekipi i përbashkët i vëzhguesve ndërkombëtarë, ku përfshiheshin Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, publikuan në Tiranë një raport paraprak mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Vlerësimi i ndërkombëtarëve kishte në thelb cilësimin e votimeve si "konkurruese, me pjesamrrje aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës elektorale dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore." Raporti vlerësonte pjesmarrjen në zgjedhje (sipas KQZ-së rreth 54 përqind), por kritikoi zvarritjet në procesin e numërimit të votave dhe shpalljen e rezultateve në 12 qerqet e vendit.