1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë aleancë mes Moskës dhe Uashingtonit

Ingo Mannteufel22 Tetor 2015

Takimi Putin Assad në Kremlin apo marrëveshja e drejtpërdrejtë ushtarake SHBA dhe Rusi mund ta bëjnë luftën në Siri edhe më të dhunshme, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1GsMr
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Lajmet erdhën pothuajse në të njëjtën kohë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë rënë dakord për marrëveshje të drejtpërdrejta ushtarake për të shmangur incidentet në hapësirën ajrore të Sirisë. Dhe Presidenti rus Vladimir Putin mirëpret në Moskë sundimtarin sirian Bashar al-Asad. A është ky fillimi i një koalicioni ruso-amerikan në konfliktin sirian? Mos vallë po afrohet zgjidhja e kësaj lufte dhe ndoshta dhe fundi i krizës së refugjatëve që për Evropën dhe Gjermaninë në veçanti, paraqet një sfidë të madhe? Aspak!

Politika ruse për pushtet

As Rusia, as Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë interes prioritar për një zgjidhje të krizës së refugjatëve në Evropë. Ato që të dyja janë të interesuara për politikën për pushtet dhe mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare në Lindjen e Mesme: brenda vendit Kremlini dëshiron që me një ndërhyrje ushtarake të inskenuar me sukses në Siri të tërheqë vëmendjen nga kriza ekonomike në vend - në këtë mes lufta kundër IS-it në Siri zëvendëson imazhin që propagandohej deri tani të "fashistëve në Ukrainë".

Ingo Mannteufel
Ingo Mannteufel

Në politikën e jashtme, bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Lindjen e Mesme, dhe për këtë arsye Kremlini ka vendosur ta mbajë në pushtet sundimtarin sirian Asad. Fakti që vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011 ai e bëri në Moskë ku u prit nga Putini, është një shenjë e qartë e kësaj politike të Kremlinit. Naiv, kush shpresonte se Putin mund ta lëshonte Assadin.

Por politika ruse në Lindjen e Mesme shkon përtej Asadit: Moska në fakt është bashkuar me aksin shiit në Lindjen e Mesme (Iran, Irak, Siria e Assadit dhe Hezbollahu në Liban) - kundër fuqive sunitë në rajon, veçanërisht në rajonin e Gjirit dhe në zonat e kontrolluara nga IS-i në Irak dhe Siri.

Keqinterpretim i politikës amerikane

Por jo vetëm politika ruse, por edhe ajo amerikane në Lindjen e Mesme keqkuptohen shpesh. Sipas traditës së dekadave të fundit supozohet shpesh se SHBA do të vazhdojë të angazhohet ushtarakisht fuqishëm në rajon.

Por kjo kornizë interpretimi injoron strategjinë për Lindjen e Mesme të Shteteve të Bashkuara nën presidentin Obama: nga fiaskot e politikës amerikane të ndërhyrjes në Afganistan, në Irak dhe në Libi, politika e jashtme të Obamës arriti - e shoqëruar nga kritika të forta brenda vendit - në përfundimin se politika amerikane në Lindjen e Mesme duhet rishikuar dhe duhet të fokusohet në interesat më të rëndësishme kombëtare: dmth sigurinë e Izraelit, veçanërisht parandalimin e një Irani me armë bërthamore, gjë që u arrit me marrëveshjen historike të verës.

SHBA po tërhiqet

Ndryshe nga më parë Iraku, udhëheqja aktuale e të cilit ndjek tashmë më shumë Teheranin se sa Uashingtonin, dhe Arabia Saudite nuk luajë ndonjë rol dhe aq të madh më për Shtetet e Bashkuara. Sepse prej gjetjes së rezervave të gazit dhe të naftës nga shtresat argjilore këto vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara janë bërë për herë të parë plotësisht të pavarura që nga kriza e naftës e viteve 1970. E gjithë kjo është baza për qëndrimin e tërhequr të politikës amerikane në Lindjen e Mesme nën drejtimin nga Obama - dhe jo ngurrimi e tij apo gjoja dobësia sikurse thuhet.

Prandaj, nuk pritet ndonjë aleancë ruso-amerikane në Siri. Pse duhet që Shtetet e Bashkuara t'ia bëjnë këtë nder Rusisë? Shumë më tepër mund të pritet që angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Siri të vazhdojë të zvogëlohet.

Ajo që ka më shumë gjasa është që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen në perspektivë, ndërsa Rusia është zhytur në luftën shiite-sunite me një fund të hapur dhe duhet të jetë e kujdesshme që të mos ketë në rajon të njëjtin fat të dhimbshëm si SHBA-ja. Kurse për Evropën, kjo do të thotë se kriza e refugjatëve do të përkeqësohet në një periudhë afatshkurtër nga frika prej një përshkallëzim itë konfliktit.

Ne i mirëpresim komentet dhe mendimet tuaja për këtë artikull!