1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë avokat kosovar nuk pranon ta mbrojë Nazim Bllacën

7 Dhjetor 2009

Në Kosovë, ekspertë për çështje të sigurisë thonë se reagimi i vonuar i organeve të rendit në rastin Nazim Ballcës, i cili u vetdeklarua se ka kryer vrasje, ka rrezikuar destabilizimin e situatës së sigurisë.

https://p.dw.com/p/Ks0Y
Nazim Bllaca
Nazim Bllaca, deklaroi se ka kryer një vrasje dhe ka marrë pjesë në 17 vrasje të tjera, të kryera në Kosovë pas luftës me urdhër të Shërbimit Informativ të Kosovës.Fotografi: DW/Shehu

Ekspertë për çështje të sigurisë dhe partitë politike opozitare, kritikojnë organet e rendit për menaxhimin e situatës së sigurisë pas paraqitjes publike të dëshmitarit Nazim Bllaca, i cili u vetdeklarua se ka kryer një vrasje dhe ka marrë pjesë edhe në 17 vrasje të tjera, pas luftës në Kosovë, me urdhër të Shërbimit Informativ të Kosovës. Gjykata e qarkut në Prishtinë i shqiptoi Nazim Bllacës fillimisht dënimin me arrest shtëpie për sa kohë janë duke u zhvilluar hetimet.

Institucionet e sigurisë nuk kanë funksionuar

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi i tha DW, se në rastin Bllaca nuk kanë funksinuar institucionet e sigurisë në Kosovë. “Në këtë rast mendojë se nuk ka funksionuar drejt as policia e Kosovës e as prokuroria prandaj, ky është një shqetësim që vazhdon në Kosovë. Organet e rendit në Kosovë duhet ta kuptojë më në fund, se nuk është nën autoritetin e policisë ndërkombëtare që të veprojë për raste në Kosovë, por policia duhet ta kryejë detyrën e vetë," thotë Ibishi.

I vetdeklaruari se ka kryer vrasje në Kosovë Nazim Blaca, pas paraqitjes publike u la i lirë 24 orë. Mosreagimin e menjëhershëm për arrestimin e tij policia e Kosovës e arsyeton më faktin se nuk ka pasur urdhër arresti për të, meqë me këtë rast ka qenë i ngarkuar misioni EULEX. Zyrtarë të EULEX, thanë se ata kanë qenë duke zhvilluar hetime për rastin Bllaca hetime, të cilat po vazhdojnë akoma.

EULEX apo policia e Kosovës ?

Kritik për mosfunksionimin si duhet të organeve të rendit, për rastin Bllaca është edhe kryetari i AAK-së në opozitë Ramush Haradinaj. Ai thotë se si pasojë e reagimit të vonuar, është dëmtuar Kosova. “Po të dilte storia me deklarimet e z. Bllaca dhe një storie se si pjesëtar i Policisë së Kosovës e legjitimoi Nazim Bllacën dhe e ftoi në bisedë të mëtejme, ne kishim fituar si Kosovë. Kjo nuk ndodhi, pra ka qenë një gabim i madh. I është bërë dëm Kosovës dhe është një temë e ndjeshme dhe në momente të ndjeshme për Kosovën, jo të lehta për proceset që po i kalon vendi," thotë Ramush Haradinaj.

Haradinaj : Kosova është dëmtuar

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi, thotë se ka pasur një paqartësi mbi aspektet procedurale në lidhje me administrimin e rastit Bllaca. “Është fjalë e rëndë të përdoret termi dështim i organeve të rendit por ajo çka duhet të ndodhë, është një analizë e tërë situatës, sepse ka pasur hapësirë që disa hapa të merren më në kohë dhe më shpejt dhe të ketë një menaxhim më efikas të disa aspekteve të kësaj çështjeje,” thotë zëdhënësi Memli Krasniqi.

Kërkohen reforma të sistemit të drejtësisë

Mirëpo ekperti i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se qeveria e Kosovës është dashur shumë herët që të bëjë reforma në strukturat e organeve të rendit dhe të përcaktojë qartë se çfarë është në kompetencë e tyre dhe çfarë nuk është: “Qeveria e Kosovës është dashur që me kohë të marrë masa, të bëjë reforma në të gjitha strukturat e organeve të sigurisë dhe drejtësisë në mënyrë që tash të mos të krijohej konfuzioni, siç ndodhi. Për mendimin tim ajo çfarë ndodhi nuk ishte konfuzion, kjo është e qartë. Kemi pasur një mosfuksionim dhe mosveprim të organeve të sigurisë dhe drejtësisë," thotë Nuredin Ibishi.

Sesa i ndjeshëm vazhdon të jetë rasti Bllaca, tregon fakti që asnjë avokat i Kosovës nuk dëshiron ta mbrojë të vetdeklaruarin që ka kryer vrasje, Nazim Bllacën. Zyrtarë të misionit EULEX, thonë se ky rast vazhdon të hetohet nga prokuroria speciale e EULEX-it, mirëpo, ky mision nuk është i ngarkuar që t'i caktojë avokat zotit Ballaca. Maria Xhuliana është gjykatëse në misionin EULEX. “Është jashtë mandatit të misionit EULEX që të caktojë avokat mbrojtës për secilin rast. Rasti Bllaca është një rast i ndjeshëm dhe kur të fillojë gjykimi vërtetë do të jetë shumë vështirë të trajtohet ky rast ashtu siç duhet, " thotë Gjyqtarja Civinini.

Nazim Bllaca, me vendim të një gjykatësi të EULEX-it, aktualisht gjendet në arrest shtëpie njëmujor. Atij i është ndaluar të komunikojë me media, ndërsa misioni EULEX, thotë se më nuk do të japë asnjë informacion për rastin Bllaca për hir të siç thuhet konfidencialitetit të hetimeve.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama