1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040608 Tiananmen Massaker

Petra Aldenrat/ Pekin4 Qershor 2008

19 vjet më parë u shtyp me gjak lëvizja për demokraci në Kinë. Por të rinjtë kinezë nuk dinë thuajse asgjë për këtë ngjarje. Për brezin më të vjetër ngjarja është ende e gjallë.

https://p.dw.com/p/EDOe
Polici paraushtarake në Sheshin Tienanmen në Pekin
Polici paraushtarake në Sheshin Tiananmen në PekinFotografi: AP

Rreth e përqark Sheshit të Paqes Qiellore në Pekin gumëzhin trafiku. Në shesh fëmijët ngrenë balonat, turistët shëtisin, ushtarët bëjnë roje. Askund në Shesh nuk gjen shenja që të tregojnë për natën e 4 qershorit të vitit 1989, kur në këtë shesh dhe rrugët përreth tij u shtyp me gjak lëvizja kineze për demokraci. Qindra vetë u vranë atëherë nga plumbat e ushtarëve ose u shtypën nga tanket.

"Çfarë ka ndodhur në 4 qershor? Nuk e di. Ka patur trazira apo jo? Kam dëgjuar pak për këtë, por të them të drejtën nuk di shumë."

Kështu thotë një 23 vjeçar. Ashtu si ai shumë të rinj kinezë sot nuk dinë asgjë mbi atë që ka ndodhur në 4 qershor 1989. E vërteta rreth masakrës në Sheshin e Paqes Qiellore është si dhe më parë tabu. Ende nuk dihet se sa njerëz humbën jetën atëherë. 72-vjeçari Ding Zilin është i tronditur që rinia di kaq pak mbi këtë ngjarje:

"Ky është një krim. Por këtë krim nuk duhet t'ia ngarkojmë rinisë, por partisë komuniste. Ajo përpiqet me çdo mënyrë që ngjarjet e atëhershme t'i përpijë harresa."

Ding Zilin nuk do të harrojë kurrë. Djali i tij u vra me armë zjarri në natën duke gdhirë 4 qershori. Pak pasi kishte festuar 17 vjetorin. Nëna Ding e ka ende të vështirë të flasë për masakrën. Në apartamentin e saj ajo ka ngritur një qoshe përkujtimore për të birin. Një foto e tij si demonstrues varet mbi vazon me hirin e tij. Përpara vazos ndodhen lule të freskëta. Ish profesoresha Ding Zilin është zëdhënëse e "nënave të Tienamenit", një grupi grash që humbën bijtë e tyre në masakrën e 4 qershorit ose fëmijët e të cilave qysh atëherë janë zhdukur. Këtë vit nënat e Tienamenit kanë publikuar në faqen e tyre të internetit një hartë me vendet ku janë vrarë demonstruesit. Faqja u censurua menjëherë nga sigurimi shtetëror kinez.

Pekini ka treguar se mund të reagojë me efektivitet ndaj një katastrofe natyrore, thonë organizatat për të drejtat e njeriut dhe i kërkojnë Kinës të bëjë të njëjtën gjë me të drejtat e njeriut. Për nënat e Tienamenit deri tani nuk ka patur drejtësi. Edhe pse sot asgjë nuk rikujton masakrën në sheshin e paqes qiellore, një ditë, thotë një kalimtar, historia do të hakmerret:

"Unë besoj se populli i thjeshtë do të fitojë të drejtën e tij. Dikur e vërteta për masakrën do të dalë në shesh. Kur plagët shërohen mbeten shenja. Këto shenja do të jenë gjithnjë të dukshme dhe do të na rikujtojnë historinë."