1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentati i talibanëve gjatë paradës së ushtrisë goditje e rëndë për Presidentin Karzai

28 Prill 2008

Në shtypin gjerman komentohet atentati ndaj presidentit të Afganistanit Hamid Karzai

https://p.dw.com/p/Dpan
Imazhe nga tribuna në kohën që zhvillohej parada ushtarake në Kabul, ku ndodhi atentati ndaj presidentit Karzai 27prill 2008.Fotografi: AP

"Allgemeine Zeitung" komenton: "Goditjet me armë zjarri të së dielës janë një tjetër gur në mozaikun e taktikës së shkatërrimit dhe lodhjes së ngadalshme që ndjekin talebanët dhe momenti ishte zgjedhur qëllimisht. Vetëm katër javë më parë Kazai kishte premtuar në Konferencën e NATO-s në Bukuresht, se forcat e sigurisë afgane do të merrnin përgjegjësinë ushtarake për Kabulin. Ai vetë la të kuptohet se do të rikandodojë në zgjedhjet e vitit 2009."


"Der Neue Tag" vëren: "Atentati i talebanëve gjatë kohës që ushtria afgane zhvillonte paradën ishte një goditje e rëndë për Presidentin Karzai. Edhe në kryeqytetin e vendit të tij, i rrethuar nga 3000 ushtarë presidenti afgan nuk është i sigurtë. Shumë i hidhur fakti që ushtarët u larguan në panik, kur talebanët filluan sulmin e tyre të armatosur. Kështu pamjet tregojnë se edhe pas gjashtë vitesh në pushtet, Karzai nuk është zot në vendin e tij."

Duke marrë shkas nga sulmi ndaj Karzait gazeta "Neue Westfälische" i referohet aferës së përgjimit nga Shërbimi Kombëtar Informativ i Gjermanisë dhe shkruan: "Një anëtar tjetër i qeverisë afgane u vu në pozitë të vështirë dhe këtë do ta shfrytëzojnë talebanët për propagandën e tyre duke thënë: shihni perëndimorët nuk kanë besim as tek njerëzit e tyre. Ministri i tregtisë, Amin Fahrang është përgjuar për një kohë të gjatë nga Shërbimi Kombëtar Informativ gjerman dhe kjo është e mjaftueshme për të përkeqësuar marrëdhëniet gjermano-afgane edhe pse qeveria federale në Berlin betohet për të kundërtën. Fahrang ka jetuar për një kohë të gjatë në Gjemani dhe me përgjimin që i është bërë ka humbur shumë në opinionin publik. Kjo ka shumë influencë në atdheun e tij."


Ndërsa "Thüringer Allgemeine" komenton: "As festimi i përvjetorit të rrëzimit të qeverisë afgane, që mbështetej dikur nga Bashkimi Sovjetik nuk arriti të afrojë qeverinë e sotme me talebanët. Parada tradicionale në Kabul përfundoi me përleshje të armatosura. Kështu të dyja krahët demonstrojnë forcën e tyre ushtarake. Sigurisht që pas ngjarjes presidenti Karzai u mundua ta relativizonte sulmin. Por edhe pse ai vetë dhe përfaqësuesit e huaj të trupit diplomatik nuk u plagosën gjatë këtij sulmi, talebanët arritën edhe një herë të jenë objekt bisedash në mbarë botën."