1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arizona Attentat

11 Janar 2011

Të shtënat mbi kongremenen amerikane Gabrielle Giffords tronditën SHBA. Por ajo, që mund të duket si vepër e ndoshta një individi të çmendur, ka të bëjë edhe me rritjen e intolerancës politike në SHBA.

https://p.dw.com/p/zvzU

Raporti i sherifit bën fjalë për një vepër "të një individi të vetëm, me probleme të mëdha psiqike“. Kjo mund të jetë e verteta lidhur me dorasin 22 vjeçar, i cili me të shtënat në Tucson u bë vrasës i disa njerëzve, por rrethanat flasin një gjuhë tjetër. Eshtë gjuha e intolerancës dhe e urrejtjes, që mbizotëron dialogun politik në SHBA. Dhe kjo nuk ka filluar dje.

Në vitet gjashtëdhjetë urrejtja racore e çoi Amerikën për pak në një luftë civile. Ajo nxitej nga ithtarët e Ku-Klux-Clanit dhe simpatizantët e tyre. Pa fushatën e tyre kundër emancipimit të të zinjve vrasja e aktivistit për të drejtat e njeriut Martin Luther King nuk do të kishte qenë e mundur.

Predikuesit e urrejtjes kanë përsëri koniunkturë

Vrasjet e vëllezërve Kennedy - edhe ato ishin rezultati i një klime të helmuar të brendshme politike, ku gjente shprehje përçarja e vazhdueshme e kombit amerikan. Edhe katër dhjetëvjeçarë më vonë predikuesit e urrejtjes kanë përsëri koniunkturë në SHBA. Ata dalin para mikrofonëve të diskutimeve politike në radio, në prapadhomat e zyrave të fushatave politike, apo gjithnjë e më shumë në thellësitë e errëta të së ashtuquajturës „Blogosferë.“

Objekti urrejtjes së tyre quhet që prej vitit 2008 Barack Obama, i cili si i pari president me ngjyrë i SHBA dhe si demokrat i spektrit të majtë, shërben që kundërshtarët e tij të gërmojnë gjithnjë e më thellë në sëndukët e fëlliqur të propagandës politike. Kjo kulturë e keqe politike ka kohë, që gëlon në shtete si Arizona.

Në shtetin fqinj të Meksikës me miratimin e heshtur të autoriteteve rojet e vetëemëruara të kufirit prej vitesh bëjnë herë pas here gjueti mbi emigrantët e paligjshëm. Nuk është rastësi, që pikërisht këtu plumbat qëlluan deputeten demokrate. Aty, ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë, nuk vlen shumë as jeta e kundërshtarit politik.

Një vend i përçarë

Por retorika politike shkatërruese nuk është privileg vetëm i forcave reaksionare të Amerikës. Edhe ish Presidenti Bush dhe zëvendësi i tij Dick Cheney nuk u trajtuan me delikatesë nga kundërshtarët e luftës së Irakut. Pavarësisht në se është fjala për Bushin, apo Obamën ekstremizmi politik në disa pjesë të shoqërisë amerikane ka marrë vitet e fundit përmasa frikësuese. Polemika e lirë dhe një stil politik çnjerëzor karakterizojnë gjithnjë e më shumë luftën politike në një vend të përçarë thellë. Kjo tendencë vazhdon deri në qarqet më të larta të politikës, mjafton që shohësh vetëm faqet e internetit të ikonës së lëvizjes radikale konservatore të Tea- Party, Sarah Palin.

Për disa ditë Amerika zyrtare do të rrijë në qetësi, sepse me kongresmenen Gabrielle Giffords është qëlluar një nga mesi i saj. Nëse kjo heshtje do të çojë në detoksifikimin e suksesshëm të formave të komunikimit politik, mbetet të dyshohet.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Angjelina Verbica