1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: Në kërkim të efektit Trump

2 Dhjetor 2016

Një i gjelbër apo një i djathtë? Pas anulimit të votimit për presidentin në Austri bota ka ndryshuar - cilit kandidat do t'i vlejë kjo më 4 dhjetor?

https://p.dw.com/p/2Tc4t
Österreich Bundespräsidentenwahl TV-Duell - van der Bellen & Norbert Hofer
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Schlager

Në qebabtoren e Vjenës "Stacioni i fundit" mbretëron zemërim dhe përvuajtje. 67-vjeçarja Christa Kantor kthen e pëkthen salsiçet mbi zgarë dhe thotë se thuajse asnjë nga klinetët nuk flet më për zgjedhjet, "sepse ata të gjithë do të votojnë për Hoferin". Një klient pohon në heshtje me kokë.

Pak ditë para zgjedhjeve të 4 dhjetorit nëntë nga dhjetë zgjedhës kanë vendosur se për kë do të votojnë: për populistin e djathtë Norbert Hofer të partisë FPÖ apo për të gjelbrin Alexander van der Bellen, i cili zyrtarisht kandidion si kandidat i pavarur. Sipas anketimeve pritet përsëri një rezultat i ngushtë, por jo më tepër.

Efekti i Trumpit?

Në zgjedhjet e balotazhit më 22 maj fitoi Alexander van der Bellen me vetëm 30.000 vota më tepër. Pas kësaj pati ankesa, sepse në numërimin e votave ka pasur manipulime të hapura. Gjykata Kushtetuese e pranoi ankesën e partisë FPÖ dhe i anuloi zgjedhjet.

Österreich Präsidentschaftswahlen Unterstützer Norbert Hofer
Fotografi: picture-alliance/A. Halada

Tani në Austri shumëkush shtron pyetjen nëse në këtë raund do të ketë ndonjë efekt të zgjedhjes së Trumpit dhe nëse po për kë?

Politologu nga Salcburgu Reinhard Heinisch thotë në bisedë me Deutsche Wellen, se "sikurse në SHBA zgjedhësit e Hoferit janë shumë të emocionalizuar dhe e dinë se përse e zgjedhin atë. Nga ana tjetër shumë nga ata që do të votojnë për kandidatin van der Bellen e bëjnë këtë vetëm për të penguar Hoferin." Sipas anketimeve të tij 57% e atyre që do të votojnë për Norbert Hofer e bëjnë këtë nga bindja, kurse në rastin e van der Bellen janë vetëm 39%.

Paralele me SHBA-në

Politologu Heinisch ka jetuar 13 vjet në SHBA dhe sheh shumë paralele në fushatën elektorale dhe në gjuhën që përdor kandidati populist Hofer me atë të Trumpit. "Thirrjet për ndryshime, kundër establishmentit, tensioni mes fshatit dhe qytetit, qytetarëve me shkollim të lartë dhe të më të ulët si dhe mes burave dhe grave". Sikurse edhe Trumpi Hoferi i quan këta "të harruarit" dhe aty ku njerëzit janë të pakënaqur ata zgjedhin FPÖ.

Për shembull në lagjen e Vjenës Simmering ku jetojnë shumë të papunë pas mbylljes së uzinës për prodhimin e armëve Steyr. Në vitin 2015 partia FPÖ arriti të fitonte ndaj partisë socialdemokrate SPÖ, e cila ishte tradicionalisht fituese në këtë zonë. Edhe vetë Christa Kantor thotë se njerëzit janë të nervozuar dhe se Hoferi të paktën do të angazhohet për austriakët.

Seriozitet përballë zemërimit

Në një lagje elegante të Vjenës në sheshin Keplerplatz, jo larg lagjes Simmering, Barbara Neuroth e veshur me një pallto elegante, shpërndan fletëpalosje për Alexander van der Bellen. Ajo thotë se tani duhet të mobilizohen të pavendosurit.

Sipas politologut Reinhard Heinisch "austriakët synojnë së tepërmi harmoninë dhe pas Brexitit dhe Trumpit kanë ndodhur mjaft ndryshime në botë. Për këtë arsye në mesazhet e tij zgjedhore 72-vjeçari van der Bellen transmetoi seriozitet dhe respekt. Tema të tilla si refugjatët, Turqia apo kritika ndaj BE-së ia bëjnë më të lehtë Hoferit."

Barbara Neuroth është optimiste për fitoren e Alexander van der Bellen. Ajo angazhohet për Partinë e Gjelbër dhe thotë se jo të gjithë ata që interesohen për Alexander van der Bellen janë të gjelbër. Kjo e bën atë optimiste.

Österreich Präsidentschaftswahlen Heinz-Christian Strache und Norbert Hofer
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Bruna

Zgjedhje të reja në pranverë?

Koalicioni i madh që qeveris në Austri nuk është tepër i preferuar në radhët e qytetarëve. Ky koalicion vazhdon të ekzistojë vetëm sepse shancet e dy partive  anëtare të këtij koalicioni për të fituar në rastin e zgjedhjeve të reja janë të këqia, thotë politologu Heinisch. Sipas tij një president Hofer do t'i pakësonte shancet e FPÖ-së për kancelarin: "Do të jetë e vështirë që për zgjedhjet të përdorësh sloganin "Pushteti ka nevojë për kontroll", nëse nga kjo parti janë edhe presidenti edhe kancelari" - thotë Heinisch.

Sipas tij pavarësisht se kush fiton të dielën, strategët e partive do të shqyrtojnë që në janar, se sa të lodhur janë njerëzit prej zgjedhjeve për të organizuar zgjedhjet e reja. "Unë mendoj se në pranverë do të kemi zgjedhje të reja." - thotë politologu Heinisch.

Autor: Christian Bartlau