1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: Ndalim i shamisë së kokës

Nenad Memic
2 Shkurt 2017

Qeveria austriake do të ndalë shaminë e kokës në administratën publike. Në një dokument zyrtar ndalesa emërtohet "rregullore neutraliteti". Por kritikët shohin aty diskriminimin e myslimaneve.

https://p.dw.com/p/2WpWd
Deutschland Berliner Arbeitsgericht Kopftuchverbot für Lehrerinnen an Berliner Schulen
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Carstensen

Në Francë, në Berlin, Belgjikë është realitet. Tani edhe në administratën austriake do të vlejë ndalimi i shamisë së kokës. Kjo është pjesë e programit të koalicionit me bazë të gjerë në Austri, socialdemokratëve të SPÖ-së dhe partisë popullore, ÖVP. Ministri austriak për integrimin, Sebastian Kurz kërkon prej muajsh një ligj të ri integrimi. Krahas ndalimit të shamisë së kokës në administratë, ai kërkon edhe ndalimin e mbulimit të plotë të femrës me burka apo nikab në hapësirën publike. "Burka dhe nikabi janë simbole të shoqërive paralele dhe nuk kanë vend në hapësirën publike", thotë ai në një intervistë për radion austriake, Ö1 këtë javë.

Pas negociatash të gjata, propozimi i tij vjen në parlamentin austriak në një formë të zbutur. Në një kohë që partnerët në koalicion kërkojnë ndalimin e mbulimit të plotë në hapësirën publike dhe një vit të detyruar integrimi bashkë me punë vullnetare, ndalimi i shamisë së kokës vlen vetëm për disa sektorë të administratës publike - si në sektorin ekzekutiv. Masa prek edhe gjykatëset dhe prokuroret. Por vetë nocionin ndalim i shamisë së kokës nuk e gjen në dokumentin zyrtar. Ai quhet "rregullore e neutralitetit në administratën publike".

OSZE Ministerrat in Hamburg - Sebastian Kurz, Außenminister Österreich
Ministri austriak i Integrimit dhe ministër i Jashtëm, Sebastian KurzFotografi: picture-alliance/Sven Simon

Politoligu në Universitetin e Salzburgut, Farid Hafez thotë se, "neutraliteti përdoret si pretekst për ndalimin faktik të shamisë së  kokës." Sipas tij me përcaktimin "rregullore neutraliteti", partia konservatore, ÖVP kërkon t'i ikë akuzës për diskriminim.

Kryqet lejohen

Që neutraliteti fetar prek kryesisht ndalimin e shamisë së kokës, këtë la të kuptohej edhe ministri i Integrimit, Kurz. "Kryqet lejohen në klasa, dhe është mirë kështu", tha Sebastian Kurz. Edhe në sallat e gjyqit ato do të vazhdojnë të lejohen. Rregullorja e neutralitetit prek vetëm simbolet fetare të personave.

Për konsulentin e politikës, Rudolf Fußi kjo ka kuptim, kur vlen për të gjitha simbolet fetare. "Unë jam për ndarjen strikte të kishës nga shteti". Masat e qeverisë ai i sheh si politikë simbolike. Sipas Fußit qeveria kërkon të lëshojë një mesazh: "Kur ne për shekuj me radhë luftuam kundër ndikimit të kishës katolike nuk do të lejojmë tani, që të detyrohemi të fillojmë një luftë kundër islamit politik."

Österreich Politologe Farid Hafez
Politologu, Farid HafezFotografi: cc-by/Fatih Öztürk

Kritika nga organizatat myslimane

Nga organizatat myslimane vijnë kritika të forta. Ibrahim Olgun, president i Komunitetit Mysliman të Austrisë tha se "shamia e kokës nuk është simbol fetar dhe aspak simbol politik". Sipas tij "gratë me vetëbesim tregojnë edhe sot se është e rëndësishme ajo që ke brenda në kokë, dhe jo se çfarë ke mbi kokë." Ai merr shembullin e Britanisë së Madhe që e lejon shaminë e kokës në administratën publike.

Ndërsa Amani Abuzahra, docente e pedagogjisë ndërkulturore, që mban shaminë e kokës thotë se kjo rregullore është goditje e rëndë për demokracinë, larminë dhe lirinë fetare të Austrisë. "Me një ndalim të pjesshëm të shamisë së kokës nuk u lejohet qytetareve ushtrimi i lirë një feje të njohur nga shteti", thotë ajo. Programi qeveritar me emrin "Për Austrinë" të martën (31.01) kaloi pengesën e parë: Deputetët socialdemokratë të SPÖ-së dhe ata konservatorë të ÖVP-s kanë sinjalizuar votimin parimisht të programit të punës së qeverisë.