1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet ndërkombëtare të vendosura të vendosin rendin

Bekim Shehu / Prishtinë18 Mars 2008

Krerët më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, thanë se organet e rendit nuk do të tolerojnë të sulmohen nga askush dhe ato janë të vendosura të vendosin rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/DQjm
Trazira në Mitrovicë
Trazira në MitrovicëFotografi: AP

Autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, thanë se trupat e KFOR-it dhe policia ndërkombëtare janë të përcaktuara të vendosin rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës. Ata u bënë thirrje pjestarëve të komunitetit serb që mos të provojnë më të sulmojnë organet e rendit sepse përgjigjja do të jetë shumë më e ashpër sesa ajo që u përdor të hënën.


Bilanci përfundimtar i përleshjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, është 42 policë të lënduar, 20 ushtarë të KFOR-it, një pjesëtar i SHPK-së dhe dhjetra serbë protestues. Nga plagët e marra një polic ndërkombëtar nga Ukraina vdiq në orët e hershme të ditës së martë. Komandanti i KFOR-it gjenerali Xavier Bout de Marniak, tha se trupa e tij nuk do të tolerojnë të sulmohen nga askush.

"Përgjigjja e ushtarëve të KFOR-it ndaj sulmeve kundër tyre ka qenë konform regullave ushtarake, por me lejoni t'iu them të gjithë atyre që më dëgjojnë se përgjigja e KFOR-it ka qenë jo vetëm profesionale, por ata kanë treguar se janë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Por, kërkojmë nga të gjithë ata që mendojnë se mund të sulmojnë trupat e NATO-os, mos ta provojnë më sepse, përgjigja do të jetë shumë ashpër" tha gjenerali, Xavier Bout de Marniak.

Në të njejtën linjë shprehet edhe komisioneri i policisë ndërkombëtare, Larry Willson, i cili thotë se rendi dhe ligji do të vendoset në Kosovë. "Duhet ta dinë të gjithë qytetarët e Kosovës se hetimet kanë filluar për të kapur ata që shkaktuan aktet kriminale në pjesën veriore të Mitrovicës. Pra dua të theksojë se rendi dhe ligji do të
vendoset në Kosovë", tha Lary Willson. Krerët ndërkombëtarë thanë se ata tashmë e dinë saktë se kush qëndron prapa sulmeve mbi policinë dhe trupat e KFOR-it, nuk permendën emra, por thanë se të gjithë ata do të dalin përpara drejtësisë.

Sidoqoftë, situata e sigurisë në Mitrovicë pas trazirave të ditës së hënë paraqitet e qetë, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Pjesa veriore e qytetit vazhdon të jetë nën kontroll të trupave të NATO-os, ndërsa shumë shpejtë sipas autoriteteve ndërkombëtare në këtë pjesë do të kthehen edhe policia ndërkombëtare dhe SHPK-së.