1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avdo Rapa: Afaristët boshnjakë kërkojnë zgjidhjen e problemit me Kosovën

29 Maj 2011

Në intervistë për Deutsche Welle-n nënkryetari i Odës Ekonomike të Bosnjë-Hercegovinës, Avdo Rapa, thotë se: Si ekonomist mendoj që patjetër duhet gjetur një zgjidhje dhe duhet njohur pavarësia e Kosovës.

https://p.dw.com/p/11QFQ
Fotografi: DW

Qeveria e Kosovës pritet të vendosë masa reciprociteti në tregtinë e jashtme me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, nëse këto do të vazhdojnë të mos i pranojnë importet kosovare. Nënkryetari i Odës Ekonomike të Bosnjë-Hercegovinës, Avdo Rapa, thotë se; të dy palët janë të interesuara për intensifikimin e bashkpëunimit ekonomik, ndaj problemi kryesor mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk ka të bëjë me ekonominë, por me çështjet politike.

DW: Si i shpjegoni ju shkaqet e tensioneve të fundit?

Rapa: "Bosnjë-Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për shkak të problemeve të veta të brendshme politike. Kjo shkakton probleme në qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve nga Kosova. Kosovarët nuk mund të futen fare në Bosnjë-Hercegovinë, sepse nuk njihen pasaportat e tyre. Ndërsa mallrat kalojnë ndonjë herë përmes territorit të Maqedonisë apo Malit të Zi. Qeveria e Kosovës ka pritur që të zgjidhen problemet politike, dhe në fund ka vendosur që mallrat nga Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia të doganohen.

DW: Për këmbimin e çfarë sasie mallrash bëhet fjalë në raportet mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës?

Rapa: Sasia e mallrave nuk është tepër e madhe. Sipas informacioneve të mia, në Bosnjë importohen mallra në vlerë prej rreth 50 - 60 milionë marka, ndërsa nga Bosnjë-Hercegovina në Kosovë eksportohen pesë fish më shumë.

DW: Çfarë mallrash eksporton e çfarë importon Bosnjë-Hercegovina nga Kosova?

Rapa: Më së shumti eksportohet druri, ndërsa importohen mallra ushqimore. Përveç drurit ne eksportojmë edhe shumë materiale ndërtimi. Përfaqësitë e tyre në Kosovë i kanë 15 sipërmarrje, siç janë Energoinvesti, fabrika e duhanit, prodhuesit e barnave dhe të tjerë. Kjo çështje me të vërtetë kërkon një vëmendje serioze të qeverisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, me qëllim që të vazhdojë eksporti i mallrave. Në qoftë se detyrohemi që mallrat t'i transportojmë përmes vendeve të tjera, kostot do të jenë shumë më të larta.

DW: Kosova ka paralajmëruar masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për shkak se ju nuk e njihni vulën e Republikës së Kosovës. Si mund të zgjidhet ky problem?

Rapa: Rruga e vetma për zgjidhje është përmes Këshillit të Ministrave dhe Presidencës. Ne kemi ndërhyrë disa herë atje dhe kemi kërkuar zgjidhje, por deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike për tejkalimin e problemit. Përfaqësuesit tanë kanë kërkuar që mallrat nga Kosova të importohen përmes UNMIK-ut, ndërkohë që Prishtina thotë se mallrat mund të transferohen vetëm me vulën e Republikës së Kosovës. Besoj që ky problem nuk do të zgjidhet shpejt. Ne do të shkojmë në fillim të qershorit në një panair në Kosovë dhe do të bisedojmë edhe për këto çështje. Javën e ardhshme do të bisedojmë edhe me ministrin e Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës dhe do të shikojmë se si të zgjidhet ky problem, para se qeveria e Kosovës të marrë vendimin për futjen e doganave ndaj mallrave tona.

DW: Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, sepse normalisht në vendet anëtare të CEFTA-s, mallrat mund të eksportohen dhe importon pa dogana. Por nuk janë vetëm mallrat problem: në Bosnjë-Hercegoivnë nuk mund të futet praktikisht asnjë kosovar me pasaportë të këtij vendi. Si mund të zgjidhet ky problem?

Rapa: Kosovarët nuk mund të futen fare në Bosnjë-Hercegovinë, me pasaportat e Republikës së Kosovës, të cilat doganierët tanë nuk i pranojnë. Ata nuk mund të futen as fizikisht në territorin tonë, ndërkohë që mallrat disi ndoshta edhe mund të kalojnë. Ky është një problem shumë i madh.

DW: Çfarë mendojnë ekonomistët boshnjakë për pavarësinë ë Kosovës?

Rapa: Ekziston mendimi që sikur Kosovën ta njihte një numër i mjaftueshëm i vendeve, ajo do të anëtarësohej edhe në OKB. Kjo do ta lehtësonte zgjidhjen e problemeve edhe sa i përket lëvizjes së njerëzve dhe transportit të mallrave. Ekonomistët janë të zhgënjyer, sepse ata kërkojnë zgjidhjen e problemeve dhe ato nuk po zgjidhen. Ne tani duhet të shkojmë në panair në Kosovë, por disa kanë hequr dorë nga kjo rrugë, sepse e dinë që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje biznesi. Prandaj ne apelojmë që sa më parë të gjendet ndonjë zgjidhje.

DW: Cili është mendimi juaj, a duhet njohur pavarësia e Kosovës apo jo?

Rapa: Unë si ekonomist mendoj se patjetër duhet gjetur një zgjidhje dhe duhet njohur pavarësia e Kosovës. Mendoj se pavarësia është e pakthyeshme, ndërkohë që ata duhet të zgjidhin problemet e veta me Serbinë. Afaristët kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi.

Intervistoi Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora