1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avioni MH370 ka përfunduar në jug të Oqeanit Indian

sti/wl/vfb (afp, dpa, rtr)24 Mars 2014

Kryeministrit të Malajzisë iu desh të komunikojë lajmin tragjik se: 239 pasagjerët e avionit MH370 të shoqërisë ajrore Malaysia-Airlines, kanë gjetur vdekjen në një zonë detare në perëndim të qytetit australian Perth.

https://p.dw.com/p/1BV9n
Malaysia Airlines Boeing 777
Fotografi: picture-alliance/dpa

Avioni i shoqërisë ajrore Malaysia-Airlines i zhdukur që prej më shumë se dy javësh, sipas të dhënave nga analizat e fundit është rrëzuar në Oqeanin Indian. Sinjali i fundit i avionit është regjistruar nga një rajon në perëndim të qytetit australian Perth, një distancë kjo shumë e largët për të qenë një vend i mundshëm uljeje për avionin, tha kryeministri malajzezez Najib Razak në një konferencë shtypi në Kuala Lumpur. Rreth 2500 kilometra në jugperëndim të Perth janë parë pjesë, që mund t'i përkasin avionit në fjalë.

Malaysia Airlines PK Razak 24.03.2014
Fotografi: Reuters

"Me keqardhje dhe i prekur thellë më duhet t'ju them(...), se avioni MH370 ka përfunduar në jug të Oqeanit Indian", tha Najib. Analiza e fundit vjen nga firma satelitore Inmarsat, e cila ka kapur sinjalet e fundit elektronike të Boeing 777 me 239 pasagjerë në bord.

Të afërmit e viktimave të tronditur prej dhimbjes

Siç njoftoi radioja britanike BBC, shoqëria ajrore Malaysia-Airlines i informoi të afërmit e pasagjerëve për fatkeqësinë përmes mesazheve SMS, duke u komunikuar atyre, se nuk ka të mbijetuar. Familjet e pasagjerëve kinezë u informuan në një hotel në Pekin. Disa prej tyre reaguan pas këtij lajmi me ulërima dhe të qara të forta. Disa të afërm të viktimave pësuan shok humbën ndjenjat dhe u transportuan me autoambulancë. Gati dy të tretat e 239 pasagjerëve të avionit MH370 ishin nënshtetas kinezë.

Malaysia Airlines Angehörige Reax Peking 24.03.2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Ekipazhi i avionit zbulues australian të hënën (24.03.2014) zbuloi pjesë të tjera, që dyshohet se i përkasin avionit të zhdukur deri më sot. Kërkimi ndaj avionit të pasagjerëve ditët e fundit u përqendrua në rajonin në jugperëndim të qytetit Perth. Boingu më 8 mars me 239 pasagjerët në bord u nis nga Kuala Lumpur për në Pekin dhe pak pas ngjitjes u zhduk prej mburojës së radarëve. Më pas u konstatua, se avioni MH370 duhet të ketë fluturuar edhe më tej me itinerar të ndryshuar.