1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avokate mbrojtëse e Ballkanit

A. Shuka12 Shtator 2008

Në hapjen e një konference dy ditore të premten, 12.09. në Berlin, ministri i shtetit Gernot Erler ka bërë një bilanc pozitiv të kryesisë sllovene të BE-së.

https://p.dw.com/p/FHIm
Gernot ErlerFotografi: PA/dpa

Me mënyrën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, një nga temat kryesore të presidencës sllovene, ministri i shtetit Gernot Erler u tregua i kënaqur: "Qysh të nesërmen, më 18 shkurt, Bashkimi Evropian, arriti të gjente një qendrim të përbashkët, duke mos e paracaktuar reagimin e secilit vend", kujtoi ai. Që gjashtë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur shtetin e ri të Ballkanit, Erler e cilësoi si diçka të kuptueshme, nisur nga fakti që shumica e tyre kanë probleme me pakicat në vend.

Pozitive e vlerësoi eksperti i Evropës Juglindore ecurinë e riformimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë: "Procesi i rikonfigurimit ecën sipas planit. Në fillim të dhjetorit do të fillojnë punën mbi 1800 ekspertët e Eulex-it", tha ai por vuri re se "për bashkësinë ndërkombëtare do të jetë një sfidë e madhe arritja e bashkëpunimit efektiv mes organizatave ndërkombëtare." Që do të thotë një koordinim i mirë mes NATO-s, Organizatës Civile Ndërkombëtare, të ngarkuarit të posaçëm të BE-së, EULEX-it, UNMIK-ut dhe OSBE-së. "Nuk kemi patur ndonjëherë më parë një dëndësi kaq të madhe kompetencash", tha ai.

Erler është i mendimit se edhe vetë shteti kosovar ka përpara një sfidë të madhe mbas miratimit të kushtetutës dhe pranimit të parimeve të planit të Ahtisaarit. "Është e rëndësishme që këto parime të vihen në jetë duke sjellë në masë të dukshme përmirësimin e ndjeshëm të jetës së njerzve", nënvizoi ministri gjerman.

Ministri e vuri theksin edhe tek perspektiva evropiane, parakusht për të cilin është bashkëpunimi i suksesshëm rajonal. Në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës ai tha se megjithëse nuk pret që Serbia të njohë së shpejti Kosovën, por "me sa duket do të arrihet të sajohet një zgjidhje në mënyrë që Kosova të mos mbetet vazhdimisht pika e parë e rendit të ditës".

Ministri gjerman u shpreh i kënaqur me rolin e Sllovenisë në afrimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve europiane. "Kjo reflekton edhe vetëkuptueshmërinë e Sllovenisë për t'u angazhuar si avokat mbrojtës për fqinjët e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor", tha ai. Si shenjë pozitive ai konsideroi lehtësimin e regjimit të vizave dhe shtoi se synimi që mbetet tani është heqja e tyre përfundimtare. "Gjermania është një partner aktiv për realizimin e këtij synimi."