1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"BE do ndihmojë Shqipërinë në rast një fluksi refugjatësh"

Ani Ruci18 Mars 2016

Komisioneri i BE, Dimitris Avramopoulos në Tiranë u dha ( 18.03) një mesazh të qartë autoriteteve të vendit: BE do ta ndihmojë Shqipërinë nëse në kufijtë me Greqinë vjen një fluks i mundshëm refugjatësh.

https://p.dw.com/p/1IG7E
Tirana, Dimitris Avramopoulos und Saimir Tahiri
Fotografi: DW/A. Ruci

Vizita zyrtare e komisionerit të BE-së për ër Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos në Tiranë (18.03) përkoi me përfundimin në Bruksel të marrveshjes mes Turqisë dhe BE për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Sipas marrveshjes të gjithë refugjatët që arrijnë në Greqi pas mesnatës së kësaj të diele ( 20.03.2016) do të dërgohen në Turqi nëse refuzohet kërkesa e tyre për azil. Në këmbim, BE do të marrë nga Turqia mijëra refugjatë sirianë dhe do ta shpërblejë Turqinë me mbështetje financiare dhe përshpejtim të negociatave për anëtarësim në BE. Por arritja e marrëveshjes me sa duket nuk përjashton mundësinë e ardhjes së një fluksi refugjatësh në Shqipëri.

"Europa po përballet me një situatë të paprecedent. Ajo dhe shtete anëtare të BE nuk kanë qenë të përgatirurr për një situatë kaq komplekse dhe të vështirë. Sfida e përballimit të krizës së refugjatëve nuk ka kufij nacionalë. Asnjë vend nuk mund ta trajtojë atë i vetëm, anëtar ose jo i BE, ne jemi të gjithë në një barkë. Në rast se në Shqipëri vjen një fluks refugjatësh Shqipëria nuk do të lihet vetëm. BE do të mbështesë dhe plotësojë çfarëdo kërkese të Shqipërisë në një situatë të tillë të mundshme", tha në Tiranë, Dimitris Avramopoulos.

Plan emergjence për trajtimin e një fluksi eventual refugjatësh

Edhe pse deklaratat e Komisionerit të BE, Avramopoulos i paraprinë një situate që mund të krijohet ose jo, ato mbështeten edhe në reagimin që ka bërë tanimë Shqipëria. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, theksoi gadishmërinë, solidaritetin dhe përgjegjësinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e përballimit të krizës së refugjatëve. "Fluksi i emigrantëve është një emergjencë humanitare dhe Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj, tërësisht e angazhuar të kryejë përgjegjësitë e veta në kuadër të një plani europian. Shqipëria është gati të kontribojë përkrah BE, pasi një vend i vetëm nuk mund t'ia dalë dot. Plani europian nuk duhet të vonohet, duhet vepruar shpejt dhe në kohë. Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të ketë më shumë koordinim", theksoi Ministri Tahiri.

Komisioneri i BE Avramopoulos tha se "BE mirëpret planin e emergjencës të përgatitur nga qeveria e Tiranës për trajtimin e një fluksi të mundshëm refugjatësh. "Nëse kjo do të ndodhë BE do të japë mbështetjen e tij", përsëriti ai disa here në konferencën përshtyp.

Përgjegjësi dhe solidaritet – parime që lidhen me të ardhmen e BE

Komisioneri Avramopoulos e konsideroi bashkëpunimin e BE me Turqinë shumë të rëndësishëm për përballimin e krizës së refugjatëve. "Turqia është një aktore kyç në rajon. Ndërkohë që BE kërkon të forcojë bashkëpunimin dhe partneritetin reciprok me Shqipërinë. Duhet të punojmë së bashku në bazë të dy parimeve: përgjegjësisë dhe solidaritetit. Këto dy parime janë të lidhura me të ardhmen e BE", theksoi komisioneri i BE në Tiranë.

Emigrantët e parregullt nga Shqipëria drejt vendeve të BE- ende problem

Fenomeni i azilkërkuesve nga Shqipëria për motive ekonomike në vendet e BE mbetet ende shqetësues për komisionerin Avramopoulos. "Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të redukruar numrin e emigrantëve të parregullt drejt vendeve të BE. Duhen marrë më shumë masa, mbrojtur në mënyrë më efikase kufiri, shkëmbyer më mirë informacioni me vendet e BE, duhet ndjekje penale e lehtësuesve të këtij lloj emigrimi, fushatë efikase ku të informohen shtetasit se çfarë do të thotë të falsifikosh dokumentat apo të udhëtosh pa vizë në BE. Zbatimi i këtyre masave do të sjellë uljen e aplikimeve për azil në muajt e ardhshëm", theksoi ai.

Mesazhet e vizitës disa orëshe në Tiranë komisioneri i BE i dha edhe në takimet me kryeministrin Rama, Presidentin Nishani. Avramopoulos zhvilloi bisedime edhe me ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë.

Monitorim në terren i planit emergjent të qeverisë

Ndërkohë që institiucioni i Avokatit të Popullit ka përfunduar (18.03)një mision monitorimi në terren në qarqet kufitare me Greqinë, në Gjirokastër dhe Korçë, lidhur me planin emergjent të masave të qeverisë për të përballuar një fluks të mundshëm të refugjatëve sirianë që ndodhen në anën tjetër të kufirit. Në një njofrim për mediat, Avokati i Popullit, Igli Totozani, citohet të ketë thënë që "ky plan ka nevojë për më tepër transparencë nisur nga ndjeshmëria e lartë e publikut për këtë ceështje."

Ai citohet gjithashtu t'u ketë bërë thirrje banorëve, institucioneve, organizatave humanitare në qarqet kufitare të Gjirokastrës dhe Korçës "ta trajtojnë çështjen me humanizëm dhe përgjegjësi. Çdo qytetar i huaj, që do të hyjë në territorin shqiptar duhet të ketë ndihmë dhe mbështetje në përmbushje të ndjeshmërisë sonë si komb dhe të standardeve tek të cilat Shqipëria beson".

Burime nga institucioni i Avokatittë Popullit bëjnë me dije se qeveria e Tiranës ka marrë vendim të ngrejë një strukturë apelimi në funksion të kërkuesve të azilit në Shqipëri, si një strukturë në varësi të Ministrisë së Brendshme.