1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bajram Rexhepi në konflikt me administratorin e UNMIK-ut Galuçi

Bekim Shehu26 Mars 2008

Galuçi nuk kishte qenë dakord që policia ndërkombëtare të ndërhynte me forcë për të larguar serbët që kishin okupuar më 17 mars gjykatat në veri të Mitrovicës.

https://p.dw.com/p/DV0e
Pamje nga protestat e Mitrovicës, 17 mars 2008Fotografi: AP

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, deklaroi se do të ndërpresë çdo bashkëpunim me administratorin e UNMIK-ut në Mitrovicë, Gerardo Galuçi, sepse Galuçi nuk kishte qenë dakord që policia ndërkombëtare të ndërhynte me forcë për të larguar serbët që kishin okupuar gjykatat në veri të Mitrovicës.

Zoti Galuçi kishte pasur mospajtime edhe me zëvëndësshefin e UNMIK-ut, Lari Rosin, i cili pati urdhëruar ndërhyrjen e policisë për të liruar gjykatat në veri të Mitrovicës.

Forcat e OKB-së duke hyrë me forcë në Gjykatën e Mitrovicës
Forcat e OKB-së duke hyrë me forcë në Gjykatën e MitrovicësFotografi: AP

Ndërhyrja e policisë ndërkombëtare më 17 mars për të larguar me forcë nga gjykatat në veri të Mitrovicës protestuesit serbë, ka shkaktuar mospajtime të thella, brenda administratës ndërkombëtare. Zëvëndësshefi i UNMIK-ut, Lari Rosin, pati thënë një ditë pas trazirave të dhunshme në veri të Mitrovicës se ai ka urdhëruar policinë që të ndërhyjnë gjykata, mirëpo merret vesh se për këtë nuk ishte pajtuar administratori rajonal i Mitrovicës, Gerardo Galuçi.

Ky i fundit e ka deklaruar disa herë se ndërhyrja e policisë në gjykata nuk ishte e nevojshme, sepse me serbët që ishin brenda objekteve të gjykatave duhej të vazhdonin bisedimet në mënyrë që ata qetësisht të largoheshin nga objektet. Ky qëndrim i administratorit të UNMIK-ut në Mitrovicë, e ka shqetësuar tej mase, kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin, i cili e ka cilësuar Gerardo Galuçin si pengesë për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës. "Galuçi është pengesë për zbatimin e rendit dhe të ligjit në veri të qytetit. Selia e Kombeve të Bashkuara mund ta kthejë në detyrë Galuçi, por me mua nuk do të ketë bashkëpunim." -tha Bajram Rexhepi.

Administratori i UNMIK-ut, në Mitrovicë, Gerardo Galuçi, pas ndërhyrjes pa pajtimin e tij, të policisë për të liruar gjykatat në veri të Mitrovicës, merret vesh se kishte ofruar dorëheqjen në selië e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, dhe u dhe u largua menjëherë nga Kosova me motiv për pushime njëjavore në Gjermani.

Burime brenda UNMIK-ut thonë se dorëheqja e tij nuk është pranuar në Nju-Jork dhe atij i është kërkuar që ta vazhdojë punën në Mitrovicë. Zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë konfirmojnë se administratori i Mitrovicës, Gerardo Galuçi, kthehet sot (26.03) në Kosovë, për të vazhduar punën.