1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani dhe traumat nga e kaluara

Zorica Ilic/Bahri Cani26 Nëntor 2013

Në Berlin është themeluar rrjeti "Trauma Trust and Memory". Psikologë, psikiatër e studentë nga Gjermania, Bosnjë Hercegovina, Serbia e Bullgaria ,mblidhen për të debatuar mundësitë e tejkalimit të traumave.

https://p.dw.com/p/1AOsM
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Për ne ka qenë kjo një përvojë shumë e rëndësishme, sepse e kemi pasur shumë të vështirë vetëm të dëgjojmë për ngjarjet nga e kaluara“, tregon Aleksandar Dimitrijeviq, profesor i psikologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd, mbresat nga një vizitë në Srebrenicë, ku ka qenë së bashku me një grup studentësh dhe disa anëtarë të tjerë të "Trauma Trust and Memory". Ky rrjet ka për qëllim, që të përpunojë traumat sociale nga lufta dhe koha e diktaturave. Projekti udhëhiqet nga Universiteti për psikoanalizë në Berlin dhe mbështetet nga DAAD dhe Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Rrjeti është themeluar para një viti dhe është aktiv në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Bullgari. Vizita në Srebrenicë ka qenë një prej aktiviteteve, që kanë për qëllim vendosjen e dialogut në nivel akademik për të kaluarën. Dimitrijeviq thotë se kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për vizitorët nga Beogradi.

Të ndërpritet heshtja

Dimitrijeviq pohon se vizita në Srebrenicë tregon se pse shumë njerëz në Serbi nuk mund të flasin hapur për zhvillimet atje dhe pse shumë prej tyre nuk janë në gjendje të përballen me të kaluarën. "Në Serbi ende nuk ekziston gatishmëria që të përballen me shumë gjëra nga historia e dy dekadave të fundit, e ajo që më mundon edhe më shumë, është fakti se si mund të ndryshojë kjo gjendje. Si mund të forcohemi dhe të flasim për atë që në këtë moment duket e pamundur“, shton ai.

Dr. Amra Delić neuropsikiatre dhe psikoterapeute, aktiviste për të drejtat e njeriut, për dialogun dhe pajtimin.
Dr. Amra Delić neuropsikiatre dhe psikoterapeute, aktiviste për të drejtat e njeriut, për dialogun dhe pajtimin.Fotografi: A. Delić

Dialogu është i domosdoshëm, thotë neuropsikiatria Amra Deliq. Ajo insiston në "hapjen e plagëve nga e kaluara", pavarësisht se sa të thella dhe të rënda janë ato, sepse kjo është e rëndësishme për të ardhmen. Parakushti për një ardhmëri më të mirë është ndërprerja e heshtjes për të kaluarën. Psikologët thonë se përpunimi i të kaluarës fillon atëherë, kur të fillojnë të flasin ata, që më parë nuk kanë guxuar të flasin për ngjarjet, thotë Deliq duke shtuar se deri tani kanë folur vetëm strukturat politike, me qëllim vazhdimin e gjendjes së konfliktit. Trauma kolektive nuk shërohet me heshtje dhe me përpjekje për harresë. Bosnja e Hercegovina dhe i gjithë rajoni ende nuk janë përballur me të kaluarën e tyre tragjike, në mënyrë konstruktive, sepse vetëm kështu mund të zgjidhen traumat.

Traumat nuk duhet të kalohen nga një brez në tjetrin

Ekspertët pohojnë se kalimi i ndjenjave, që lidhen me të kaluarën tragjike, nga një gjeneratë në tjetrën bëhet pa qëllim. Psikoanalisti Klein shpjegon se popujt, të cilët nuk kanë mësuar nga historia e tyre, duhet të kenë frikë nga mundësia, që ajo të përsëritet. Ndërkohë që Ballkani, sipas Dimitrijeviq, është një rajon problematik për dekada të tëra. Luftimet dhe tregjeditë e dy dekadave të fundit vetëm sa e kanë përforcuar këtë ndjenjë të traumave.

Në Berlin që nga fillimi i vitit ekziston rrjeti "Trauma Trust and Memory".
Në Berlin që nga fillimi i vitit ekziston rrjeti "Trauma Trust and Memory".Fotografi: TTM

Për të ndërprerë këtë zinxhir, si në nivelin individual ashtu edhe në atë kolektiv, një ndihmë të madhe mund të japë edhe psikoanaliza dhe hapja e hapösirës për shpjegime. Njerëzit duhet të kenë mundësinë të shprehin atë, që ndjejnë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të çlirohen nga ajo, që i mundon, pohon Andreas Hamburger, rektor në Universitetin për Psikoanalizë në Berlin dhe ideator i rrjetit "TTM". Hamburger në veçanti është marrë me studimin e personave, që e kanë mbijetuar Holocaustin. "Në Gjermani ka zgjatur me dekada të tëra procesi i tejkalimit të traumave. Ky është një proces shumë i gjatë dhe shumë i rëndë. Në vendet e Ballkanit plagët ende janë të freskëta dhe të thella, për të pritur një përparim tepër të shpejtë në këtë drejtim, sugjeron ekeperti.