1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bank: "Erdogani po e humbet dominancën!"

Jan-Philipp Scholz / A. Dodi11 Qershor 2013

Për shkak të protestave në Turqi, diktatori i Sirisë, Assad mund të ndihet i sigurtë, mendon eksperti i Lindjes së Mesme, André Bank. Ai flet për shkaqet sociale dhe për pasojat në politikën e jashtme të kryengritjes.

https://p.dw.com/p/18nIX
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Zoti Bank, protestat në Turqi po zgjasin që prej një jave dhe disa vëzhgues po flasin tashmë për një "Pranverë Turke". A e quani të justifikuar vendimin?

Bank: Dallimi është se kërkesat e pjesës më të madhe të demonstruesve nuk kanë synim rrëzimin e regjimit, por më tepër kërkesat për liri më të mëdha politike. Ngjashmëri me pranverat arabe ka në simbolika: që pushtohet një shesh qendror në kryeqytet, që është një atmosferë feste popullore dhe që atje ndodhen para së gjithash turq dhe turkesha të rinj, të shkolluar mirë, nga zonat urbane. Partitë opozitare deri tani luajnë më tepër një rol periferik.

DW: A është dobësuar pozicioni i kryeministrit Rexhep Erdogan nga protestat?

Në një farë mënyre, po. Sepse disa nga të besuarit e tij më të afërt, si për shembull zëvendëskryeministri kërkuan falje për dhunën policore. Edhe presidenti Abdullah Gül ndërhyri në mënyrë moderuese. Pra është e qartë që në establishmentin e partisë në pushtet, AKP ka mendime të ndryshme. Pra pakënaqësia në Turqi e kalon shtresën e vogël dhe urbane të mesme. Një moment qendror pas së gjithës kësaj është që në variantin turk të neoliberalizmit gjithnjë e më shumë njerëz mbeten jashtë. Kjo prek para së gjithash të rinjtë, por edhe pjesë të bazës së AKP-së.

Eksperti André Bank
Eksperti André BankFotografi: GIGA

DW: A ka kryengritja edhe shkaqe ekonomike dhe sociale?

(Kështu është.) Nga njëra anë kemi një kryengritje sociale kundër hendekut ekonomik, që po hapet gjithnjë e më shumë në Turqi - megjithë rritjen zyrtare ekonomike. Nga ana tjetër është fjala edhe për forcimin e tendencave autoritare. Këtu situata në Turqi ngjan mjaft edhe me Pranverën Arabe, por edhe me Lëvizjen Occupy, edhe me lëvizjet e protestave në Greqi, Spanjë, Itali dhe Portugali. Kemi të bëjmë pra nga njëra anë me luftën kundër pasojave të një reforme neoliberale, të cilat ndihen veçanërisht fort në Turqi. Dhe që protestat manifestohen në parkun e vetëm që ka mbetur në qendër të Stambollit, kjo tregon që kemi të bëjmë edhe më çështje ekologjike.

DW: Cilat pasoja të tjera në politikën e brendshme konsideroni të mundura?

Ka dalë në pah pa asnjë dyshim, që dominanca absolute e partisë në pushtet AKP dhe kontrolli i politikës së brendshme turke, siç ka qenë prej vitit 2012, është thyer ose ka marrë të paktën çarje të thella. Imazhi i një "sulltani neoosman", i cili sundon mbi një vend me ambicie në bum ekonomik, tani është vënë seriozisht në pikëpyetje.

André Bank është ekspert për Turqinë i Institutit GIGA për Studimet e Lindjes së Mesme.