1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

241111 EZB Staatsanleihen

25 Nëntor 2011

Gjithnjë e më shumë politikanë dhe ekonomistë në Eurozonë, kërkojnë që Banka Qendrore Evropiane (ECB) të garantojë të gjitha obligacionet shtetërore. Gjermania kundërshton. Por edhe për sa kohë ende?

https://p.dw.com/p/13H6I
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: picture-alliance/dpa

Para plot një muaji, agjencia e vlerësimit të riskut të kreditimit, Moody's, deklaroi se do të shqyrtonte me hollësi bonitetin e Francës, vlerësuar deri tani me notën më të lartë. Ky ishte një nga shkaqet përse ekonomia e dytë më e fuqishme e Evropës, duhet të paguajë rreth 2 për qind më shumë interesa se Gjermania, për obligacionet e saj shtetërore. Tani agjencia e vlerësimit e përsëriti paralajmërimin ndaj Parisit: nota e lartë është e rrezikuar, pasi kostot e rifinancimit janë shumë të larta. Kështu nervoziteti në tregjet financiare u rrit edhe më tej.

Gjeografia e krizës së euros zgjerohet

Mund ta shohësh si një komplot ose jo, por fakt është se kriza e borxheve është zgjeruar nga periferia e Eurozonës, drejt zemrës së Evropës. Jo vetëm Franca por edhe Holanda, Finlanda dhe Austria duhet të llogarisin me rritje të normave të interesit për shkak të shtimit të primeve të riskut. Normat e interesit që duhet të paguajnë titujt shtetërorë italianë apo spanjollë të borxhit, janë rritur aq shumë, se barra e interesave nuk mund të përballohet për kohë të gjatë.

Prof. Rolf J. Langhammer, zëvendëspresident i institutit të Kiel-it për Ekonominë
Prof. Rolf J. Langhammer, zëvendëspresident i institutit të Kiel-it për EkonominëFotografi: picture-alliance/ dpa

A mund të merrte fund kjo dramë nëse ECB do të njoftonte: "ne blejmë të gjitha obligacionet shtetërore, që tregu nuk i do"? Pikërisht kjo politikë e financimit të shtetit praktikohet nga banka qendrore FED në SHBA apo Bank of England. Për këtë arsye Britania e Madhe paguan interesa thuajse po aq të ulëta sa Gjermania, megjithëse situata atje është e krahasueshme me vendet problematike të Eurozonës. Gjithnjë e më shumë politikanë dhe ekonomistë në bashkimin monetar evropian, kërkojnë që ECB të marrë më në fund rolin e kredidhënësit të fundit (lender of last resort), për të gjitha vendet e eurozonës.

"Një politikë e keqe nuk duhet marrë shembull", thotë Rolf Langhammer, zëvendëspresident i institutit të Kiel-it për Ekonominë. "Nga të gjitha palët, edhe nga banka qendrore amerikane, thuhet gjithnjë: është një masa emergjente, e kufizuar në kohë, e cila nuk praktikohet vazhdimisht."

Situata emergjente si vazhdimësi?

Problemi është që një situatë emergjente shumë shpejt mund të kthehet në një situatë afatgjatë. Pikërisht kjo ka ndodhur me programin e ECB-së për blerjen e obligacioneve. Si masë emergjente për stabilizimin e tregjeve financiare banka qendrore filloi në maj të 2010 të blente obligacione shtetërore greke, portugeze dhe irlandeze. Në gusht 2011 ajo e zgjeroi programin me Italinë dhe Spanjën.

Ndërkohë ajo ka në bilancin e saj obligacione të vendeve me borxhe të larta në Eurozonë, në vlerë prej 200 miliardë eurosh. Në shenjë proteste kundër këtij kursi, dy gjermanë dhanë dorëheqjen: ish shefi i Bankës Federale gjermane, Axel Weber dhe ish kryeekonomisti i ECB-së, Jürgen Stark.

Edhe Rolf Langhammer mendon se ECB me këtë politikë ka kapërcyer "vijën e kuqe": "Ajo që është derdhur nuk mblidhet më. Nëse një qëndrim themelor inflacionist forcohet, e pikërisht në një vend si Gjermania, që është vend kreditor, për të cilin kursimi është i rëndësishëm, atëherë efektet janë shkatërrimtare ndaj vendimeve për investime, qendrimit ndaj kursimeve etj."

Frika gjermane ndaj zhvlerësimit të pasurisë së tyre

Në fund njerëzit nga frika e zhvlerësimit të parasë, do të blenin ar në vend që të investonin. Për frikën e gjermanëve nga inflacioni tregoi mirëkuptim edhe shefi i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker. Shekullin e kaluar gjermanëve iu desh dy herë të shihnin shkatërrimin e pasurisë së tyre, tha ai pak kohë më parë për mediet gjermane.

Hiperinflacioni pas Luftës së Parë Botërore dhe reforma monetare pas Luftës së Dytë Botërore, i patën detyruar gjermanët dy herë të fillonin nga zero. Respekt për historinë gjermane shprehu edhe ministri francez i Financave Francois Baroin, javën e kaluar. Thënë më thjesht: sipas tij në thelb, frika e gjermanëve nga inflacioni është e tepruar. Në fund të fundit ekonomia botërore rrezikohet nga një recesion i ri.

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel
Nicolas Sarkozy dhe Angela MerkelFotografi: dapd

Por për ekspertin Langhammer, kjo frikë është e përligjur: "Ne kemi një inflacion bazë prej tre për qind, dhe rritja ekonomike është në rënie. Inflacioni mund të konsolidohet. Unë nuk mendoj se inflacioni do të shmangej, vetëm sepse po hyjmë në një fazë rënieje ekonomike."

Ashtu si Langhammer, mendojnë edhe ekonomistë të tjerë në Gjermani. Sipas tyre vendet me deficite nuk do të kishin më aq shumë trysni për zbatimin e reformave, nëse ECB do të jepte një garanci të përgjithshme për të gjitha obligacionet shtetërore të vendeve të Eurozonës.

Statuti i Bankës Qendrore Evropiane

Përvoja të tilla nuk janë të reja. Kur në gusht 2011 ECB filloi blerjen e obligacioneve shtetërore italiane, qeveria e Berlusconit, tërhoqi menjëherë mbrapsht një program ambicioz kursimesh. Për të mbajtur të pandryshuar trysninë e ndaj vendeve debitore, kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdon të refuzojë një rol të ri të ECB-së, si financuese të shteteve.

Ngjashëm parashikohet edhe në statutin e Bankës Qendrore Evropiane. Sipas tij banka ka prioritet kryesor stabilitetin e monedhës. Por statutet mund të ndryshohen thonë politikanët dhe ekonomistët, që e shohin ECB si shpëtimtaren e fundit. Gjermanët vazhdojnë të luftojnë për kulturën e tyre të stabilitetit. Por trysnia po shtohet - nga dita në ditë.

Autor: Zhang Danhong/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi