1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

101111 Europa Schuldenkrise

11 Nëntor 2011

Komisari i Monedhës i BE-së, Olli Rehn flet tani edhe për rrezikun e recesionit në Evropë. Ndërkohë, presidenti i KE, Jose Manuel Barroso përpiqet që me një fjalim në Berlin të pengojë një ndarje të Evropës.

https://p.dw.com/p/138lY
Jose Manuel Barroso duke folur të enjten në Berlin
Jose Manuel Barroso duke folur të enjten në BerlinFotografi: dapd

Komisari i Monedhës i BE, Olli Rehn personalisht kishte diçka për të festuar. Atë e zgjodhën zëvendëspresident të Komisionit të BE, sepse sektori i tij konsiderohet me rëndësi absolute kyçe për zgjidhjen e krizës së euros. Por në prezantimin e prognozës së vjeshtës në Bruksel ai erdhi sikur po shkonte në varrim. Kostumit të zi që kish veshur i përshtatej humori i hidhur:

"Ju lutem mos e vrisni atë që sjell lajmin e keq! Unë e pres me gëzim ditën, kur mund të sjellë sërish lajme të mira, por për momentin, parashikimet për ekonominë evropiane për fat të keq janë të errëta. Shlodhja ekonomike në BE është ndalur në vend dhe ekziston rreziku i një recesioni të ri, po të mos veprojmë me vendosmëri."

Italia duhet të stabilizojë financat

Rehni paralajmëroi një sërë shtetesh, të cilat nuk po i stabilizojnë shpejt sa duhet buxhetet. Nëse ato nuk do ta bëjnë këtë, ai do të propozojë sanksione. Kjo në një kohë kur me këto fjalë ai nuk mban parasysh dy fëmijët problematikë, Greqi dhe Itali, borxhet e të cilave kanë kapur shifra astronomike.

Por në dallim nga Greqia, Italia përpiqet të ndihmojë vetveten. Por fillimisht duhet të sqarohen rrethanat politike pas lajmit se do të japë dorëheqjen kryeministri Silvio Berluskoni. "Më e rëndësishmja për Italinë është rivendosja e stabilitetit politik dhe e aftësisë për vendimmarrje, për të ecur paralelisht me këtë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me vendosmëri për arritjen e synimeve të politikës financiare dhe për të nxitur reforma strukturore që mbështesin rritjen ekonomike."

Olli Rehn jep lajme të këqija
Olli Rehn jep lajme të këqijaFotografi: dapd

Interesat shumë të larta për huatë dhjetëvjeçare shtetërore italiane prej rreth shtatë përqind Rehni nuk i konsideron ende problematike, sepse suplemente të tilla rreziku duhet të paguhen vetëm për huatë e reja. Por megjithatë që në vazhdim të vitit të ardhshëm ai druhet se do të kemi të bëjmë me përqindje të padurueshme. Prandaj duhet të veprohet me shpejtësi.

Barroso kërkon veprime evropiane dhe jo kombëtare

Ndërkohë, në Gjermani po shtohen ndërkohë dyshimet për mënyrën se si është menaxhuar deri tani kriza. Nga njëra anë, një numër gjithnjë e më i madh ekspertësh të ekonomisë dhe politikanësh e quajnë të mundur që shtete josolide të largohen nga bashkimi monetar. Qeveria gjermane zyrtarisht i hedh poshtë këto plane. Ajo e kërkon shpërtimin në një integrim dhe disiplinë më të madhe të vendeve të euros, edhe nëse kjo kërkon ndryshime të marrëveshjeve evropiane. Në këtë kuadër, "Fjalimi për Evropën i Berlinit" i Presidentit të Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso (të mërkurën në mbrëmje 9.11.) ka një rëndësi të veçantë. Një gjë është e qartë: Barroso është pro hapave të tjerë integrues.

"Shpejtësia e BE dhe aq më tepër ajo e Eurozonës nuk mund të jetë shpejtësia e anëtarit të saj më të ngadalshëm dhe më të lëkundur. Vërtet që ekzistojnë siguri - dhe ato duhet të ekzistojnë - për ata që nuk duan të marrin pjesë. Por është një gjë mosmarrrja pjesë, dhe është diçka krejt tjetër pengimi i të tjerëve për të ecur përpara."

Por Barroso është President i Komisionit të të gjithë BE dhe kohët e fundit ai dëgjon shpesh që BE kërcënohet nga përçarja. "Marrëveshjet nuk e përkufizojnë eurozonën si diçka, e cila dallohet nga Bashkimi Evropian. Marrëveshjet e përcaktojnë eurozonën si thelbin e BE. Bërja pjesë në eurozonë ose synimi i saj duhet të paraqesë gjendjen normale në Evropë. Mosbërja pjesë në të është përjashtimi nga rregulli."

Gjermania dhe Franca marrin vendimet më shumë së bashku

E qartë edhe për të është që asnjë vend, as Greqia nuk mund të përjashtohet nga Eurozona. Por Barroso sheh edhe një rrezik tjetër: që disa shtete, si Gjermania dhe Franca të marrin frenat në dorë në Evropë, në vend që të mbështeten tek institucionet. Kjo rrugë është e gabuar, beson Barroso.

Megjithatë, besimi te metoda komunitare duket se është në shuarje. Në vështirësitë e shkaktuara nga kriza, aktualisht vërehet një tendencë e fortë për veprime nacionale, kjo mund të thuhet pikërisht edhe për Gjermaninë.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: