1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim i cunguar i opozitës së majtë në Tiranë

Ani Ruci1 Shtator 2008

Vetëm tri nga pesë parti opozitare zyrtarizojnë daljen së bashku në zgjedhjet parlamentare të verës 2009.

https://p.dw.com/p/F8i3
Kryetari socialist, Edi RamaFotografi: DW

Proverbi i njohur "Bashkimi bën fuqinë" nuk është tani i lehtë për t´u vënë në jetë nga opozita e majtë në Tiranë, e ndarë thellë nga mosmarrëveshje, inate dhe mëri. Nga pesë partitë e koalicionit që u formua pas humbjes së zgjedhjeve të verës 2003 vetëm tri Partia Socialiste, Partia Social-Demokrate dhe Partisa Demokracia Sociale - arritën sot, më 1 shtator, të zhvillojnë një takim dhe të bien dakord për të dalë së bashku në zgjedhjet parlamentare të verës 2009. Dy të tjerat do të ndjekin rrugë të ndryshme: Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë e vetme kurse "Aleanca Demokratike" ka gjasa të bashkohet me të djathtën, nga ku u shkëput para 13 vitesh.

Koalicionin e ri socialistët e vlerësojnë si fitore

Lideri i socialisteve Edi Rama pas këtij takimi, të zhvilluar në selinë e PS, në Tiranë e cilësoi atë si "takim të fitores". " Ky bashkim është përtej kufijve të partive, përtej kufijve të politikës së vjetër, të traditës dhe stereotipeve të saj," tha të hënën në Tiranë kryetari socialist, Edi Rama.

Skënder Gjinushi, kryetar i socialdemokrateve të Shqipërisë u shpreh pro koalicioneve, që lejon kodi i ri elektroral. "Çdo hapësirë që rrit bashkëpunimin është vetëm demokratike dhe pozitive. Ato janë të tilla ku çdo parti mat forcat e veta dhe jep kontributin që votat e elektoratit të majtë të mos shkojnë djathtas dhe e majta të fitojë zgjedhjet e verës 2009," tha Gjinushi pas takimit.

LSI ftohet indirekt sërish në koalicion

Qëndrim pro bashkëpunimit të së majtës opozitare dhe sheshimit të mosmarrveshjeve deklaroi kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. "Kjo frymë bashkëpunimi nuk duhet të përjashtojë asnjë aleat të së majtës " tha Milo, duke lënë hapur portën e negociatave të mëtejshme me LSI të Ilir Metës.

Por ky i fundit e refozon me forcë bashkëpunimin me PS. Ilir Meta është kundër daljes në zgjedhjet 2009 me koalicione të përbëra që do të thotë me koalicionin e udhëhequr prej tij të "Koalicioni për Integrimin Europian" dhe atë te drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij koalicionet e përbëra nuk mbështeten mbi principe morale por mbi një arithmetikë votash që dëmton partitë e vogla.

"Ilir Meta është miku im dhe më vjen keq kur shoh se ai po futet çdo ditë dhe më thellë në batakun e dasisë dhe duke bërë që Sali Berisha, të shohë tek ai shpresën e tij të fundit," tha lideri socialist Edi Rama.

Sistemi i ri zgjedhor i Shqipërisë - proporcional rajonal lejon daljen në zgjedhje me koalicione të përbëra.