1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim më i ngushtë në kohë kursimesh - nga takimi i ministrave të Mbrojtjes të BE-së

10 Dhjetor 2010

Në kohëra të vështira për buxhetet publike, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duan që në fushën ushtarake t'i bëjnë kursimet përmes forcimit të bashkëpunimit ushtarak. Këtë po synojnë ministrat e Mbrojtjes të BE-së.

https://p.dw.com/p/QUg0
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: AP

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duket se do të ndjekin propozimin e bërë më parë nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg dhe ai suedez, Sten Tolgfors që vendet e BE-së të kërkojnë në fushën e mbrojtjes në mënyrë sistematike mundësi kooperimi më të ngushtë. Në takimin e tyre në Bruksel ata ranë dakord për më shumë sintetizim të aftësive mbrojtëse të vendeve anëtare.

Bashkëpunimi ushtarak ka parakusht mirëbesimin

Por propozimi suedezo-gjerman ka një rrugë të gjatë për të bërë. Sekretari i Shtetit në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes, Christian Schmidt thotë: "Tanimë duhet të shohim me gjakftohtësi dhe qetësi: për çfarë kemi nevojë ne, çfarë munden të bëjnë të tjerët, dhe si ta sjellim këtë së bashku në një shinë. Mendoj se duhet të kapërcejmë njëherë këtë fazë, dhe pastaj të marrim në konsideratë edhe një faktor tjetër, që kush punon së bashku duhet të ketë edhe mirëbesim në këtë bashkëpunim.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes, Christian Schmidt
Sekretari i Shtetit në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes, Christian SchmidtFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo do të thotë që në qoftë se një vend do të jetë i gatshëm të marrë përsipër një kompetencë të caktuar, atëherë vendet e tjera duhet të jenë të sigurta që në rast nevoje, kjo aftësi të vihet në përdorim."

Do të dorëzohet mbrojtja në duart e të tjerëve?

Sipas dokumentit të përbashkët suedezo-gjerman, vendet e BE-së duhet të jenë të gatshme që në një fazë bashkëpunimi më të ngushtë, të heqin dorë edhe nga aftësi të caktuara mbrojtëse.

Gjermania dhe Suedia propozojnë që vendet e BE-së të bëjnë një listë me fushat që ato edhe në të ardhmen i cilësojnë si detyra kombëtare dhe duan t'i mbajnë si të tilla. Për shembull aeroplanët luftarakë, anijet luftarake edhe shërbimet sekrete edhe në të ardhmen do të mbeten detyra kombëtare. Ndërkohë që propozohet të shihen mundësitë e bashkëpunimit në fushën e trajnimit, logjistikës, kontrollit detar dhe ajror.

Qëllimi është një "ndarje e roleve dhe detyrave" ka kërkuar ministri gjerman i Mbrojtjes, zu Guttenberg më parë për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Me qëllim që Evropa në të ardhmen të reagojë në mënyrë të besueshme ndaj konflikteve dhe krizave, është i nevojshëm një ndryshim mentaliteti, ka kërkuar Guttenberg.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW/AP

Ndërkohë ministrat e Mbrojtjes të BE-së në takimin e Brukselit konsideruan si shembull të një kooperimi të mirë në nivel evropian bashkëpunimin francezo-britanik për kooperim ushtarak, të vulosur në fillim të nëntorit. Të dyja këto vende duan të testojnë së bashku armët atomike në qendra studimore si edhe të përdorin po së bashku aeroplanmbajtëset luftarake. Një fryt tjetër i bashkëpunimit francezo-britanik është projekti për ngritjen e një trupe të përbashkët ushtarake prej disa mijëra ushtarësh.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti