1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfitime dypalëshe

24 Shkurt 2012

Komunat ndërkufitare të Maqedonisë e Shqipërisë, rajoni i Pollogut dhe rajoni i Korçës për herë të parë aplikojnë për projekte të përbashkëta në fondet IPA të BE-së. Bashkëpunimi ndërkufitar ka përparësi në këtë drejtim.

https://p.dw.com/p/149N9
Fotografi: AP

Për herë të parë dy komuna nga Shqipëria dhe Maqedonia, konkurrojnë bashkarisht për të fituar nga fondet evropiane IPA. Komuna e Drenovës në Korçë dhe Komuna e Tetovës në Maqedoni, do të konkurrojnë  me një projekt në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar në komponentën e dytë  të fondeve IPA, për  hartimin e planeve urbanistike që do të ndikojnë drejpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit në këto rajone.

Fatmir Izairi, kryetar i Këshillit të Rajonit të Pollogut vlerëson këtë bashkëpunim. "Rajoni i Korçës, bashkë me rajonin e Pollogut do të aplikojnë bashkarisht për një shumë prej 400 mijë eurosh për hartimin  e planeve urbanistike. Kusht për përfitimin e fondeve është që vendet të jenë të urbanizuara. Komponente është zhvillimi ekonomik me theks të veçantë zhvillimin e turizmit”.

Tetova
TetovaFotografi: DW/S.Toevski

Mungon përvoja për aplikimet

Komunat si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni nuk e njohin mirë punën përgatitore për aplikimet me projekte konkrete për thithjen e fondeve IPA. Përvoja në këtë drejtim mungon. Iniciativa e Qendrës rajonale për zhvillim  të Pollogut, është e para e këtij lloji që i hap rrugën edhe projekteve të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkufitar. “Komuna e Tetovës me ekspertët e saj urbanistikë, do të veçojë zonat turistike, në të cilat ka mungesë të planifikimit hapësinor, për ato zona duhet të hartohet plani urbanistik dhe kështu do të kemi impaktin e dëshiruar të zhvillimit ekonomik dhe  turistik në rajonin e Sharit”, thotë Abdyl Emini, drejtor i Qendrës së Pollogut.

Kryetarët e komunave vlerësojnë se bashkëpunimet e tilla ndërkufitare janë mënyra e vetme për të përfituar fonde evropiane. Bashkëpunimi i tillë thyen barierat ndëkufitare mes vendeve të  rajonit dhe për ne është mjaft i rëndësishëm, sepse në këtë rast, në të dyja anët e kufirit jetojnë shqiptarë, është i mendimit Sadi Bexheti kryetar i Komunës së Tetovës. "Ky bashkëpunim në struktura të gjëra, jep mundësi për qasje më të madhe në fondet e IPA-s, ku bashkëpunimet ndërkufitare kanë përparësi. Kjo i hap rrugë bashkëpunimit të domosdoshem të Maqedonisë edhe me Shqipërinë dhe Kosovën”.

Nga bashkëpunimi ndërkufitar qytetarët shpresojnë shumë
Nga bashkëpunimi ndërkufitar qytetarët shpresojnë shumëFotografi: DW

Shpresat nga bashkëpunimi ndërkufitar të mëdha

Ndërsa Flamur Sala, kryetar i Komunës së Drenovës, kritikon faktin që në Shqipëri nuk kan plan urbanistik, pas ndryshimit të ligjit për urbanizëm dhe komunat në përgjithësi. Një nga qëllimet e ardhjes në Tetovë është përfitimi në projektet e përbashkëta Maqedoni-Shqipëri“, thotë Sala. Maqedonia shpreson që realizimi i këtij projekti të parë t'u hapë dritën jeshile projekteve edhe nga komunat e tjera të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, jo vetëm në zhvillimin e turizmit, por edhe në të gjitha komponentet  e tjera që kërkohen nga IPA. Komunat e rajonit të Pollogut janë të interesuara për tërheqjen e mjeteve financiare ngaa fondet evropiane përmes bashkëpunimit ndërkufitar.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi