1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim në fushën e drejtësisë mes Gjermanisë dhe Kosovës

28 Gusht 2010

Ministri kosovar i Drejtësisë Haki Demolli qëndroi gjatë javës së kaluar në Gjermani për t'u njohur me përvojën e institucioneve gjermane, por edhe për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në fushën e drejtësisë.

https://p.dw.com/p/OyRg
Haki Demolli, ministri i Drejtësisë së Kosovës
Haki Demolli, ministri i Drejtësisë së KosovësFotografi: DW

Njëra nga temat e bisedës mes ministrit të Drejtësisë Haki Demolli dhe sekretares së shteti Birgit Grundmann të mërkurën (25 gusht 2010) në Berlin ishte memorandumi për bashkëpunimin gjermano-kosovar në drejtësi. Ministri Haki Demolli thotë se ministria e Kosovës tashmë e ka përpiluar dhe se ky dokument po shqyrtohet nga komisionet teknike, e pritet të nënshkruhet në fund të vitit. Sipas Demollit ky memorandum do të lehtësojë bashkëpunimin në disa fusha, siç është ajo e ekstradimit, transferimit dhe ekzekutimit të sanksioneve penale, ndihma juridike, si edhe luftimi i terrorizmit dhe menaxhimi i pasurisë së konfiskuar.

Udhëtimi i delegacionit kosovar në Gjermani (23 - 27 gusht 2010) ishte pjesë e një projekti binjakëzimi me emrin “Standardet e BE-së për Kosovën”, ku marrin pjesë krahas Kosovës dhe Gjermanisë edhe Austria e Sllovenia. Realizimin e projektit, që kap shumën prej 2,4 milionë Euro, me një kohëzgjatje prej 30 muajsh nga pala gjermane e ka marrë përsipër Fondaconi Gjerman për Bashkëpunim Juridik me qendër në Bonn (IRZ).

Ministria gjermane e Drejtësisë
Ministri gjermane e DrejtësisëFotografi: picture-alliance/ ZB

Pavarësisht dallimeve, institucionet homologe duhen të zhvillohen në pozita të barabarta

Projekti ka filluar nga puna në shtator 2009. Bernd Messerschmidt, këshilltar në kuadër të projektit vëren, se me rëndësi është që gjithçka të bëhet nën udhëheqjen e institucioneve kosovare.

Janë kosovarët ata që duhet t'i dallojnë problemet e tyre e jo të presin t'ua diktojnë ekspertët,” - thotë ai.

Një gjyqtare në Kosovë, Zahide Gjonaj
Një gjyqtare në Kosovë, Zahide GjonajFotografi: DW

Prandaj dhe dialogu me institucionet homologe në vendet evropiane duhet të zhvillohet nga pozita të barabarta. Edhe pse natyra e punës së ministrisë së Kosovës ndryshon nga ajo e homologëve në Evropë:

Problemi qëndron se si e përcaktoj unë rolin e Ministrisë së Drejtësisë. Në në Gjermani presim nga Ministria e Drejtësisë që të formulojë dhe çojë përpara politikën në fushën e drejtësisë. Ndërsa Ministria kosovare e Drejtësisë është më shumë administrative” , thotë Messerschmidt.

Një punë kolosale në fushën e drejtësisë, sepse mungon përvoja


Por fillimisht ministria e drejtësisë së Kosovës ka një sërë problemesh konkrete për të zgjidhur, para se të kalojë në një politikë aktive. Ka shumë sektorë ku pothuajse mungon përvoja, si për shembull ai i ndihmës juridike për institucionet shtetërore. Në kohën e ish-Jugosllavisë atë e ka kryer federata, ndërsa më vonë UNMIK-u. Messerschmidt jep si shembull edhe një sërë lëndësh që kanë mbetur të pazgjidhura nëpër gjyqet komunale, e ku me ndihmën e projektit të BE-së ministria e Kosovës po përpiqet që t'i zgjidhë ato me sa më pak burokraci.

E tëra nuk është e lehtë”, shton Messerschmidt. “Është një punë kolosale e cila nuk mund të bëhet brenda natës.”

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi