1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkësia ballkano-egjipitiane në Shqipëri do t'i mbrojë interesat e saj përmes Partisë Toleranca e Re

14 Prill 2009

Sadiku: Ideja është që përpjekja për mbrojtjen e njerëzve me ngjyrë në Shqipëri të ngrihet në nivelin e strukturës politike, pasi kështu do të ketë më shumë zë e përkrahje kauza e tyre

https://p.dw.com/p/HWqz
Behar Sadiku, përfaqësues i komunitetit ballkano-egjipitian në Shqipëri.
Behar Sadiku, përfaqësues i komunitetit ballkano-egjipitian në Shqipëri.Fotografi: DW

Behar Sadiku është përfaqësues i komunitetit ballkano-egjipitian në Shqipëri. 47 vjeçari ka kryer studimet e larta ne Akademinë e Arteve te Bukura në Tiranë, për menaxhim arti. Ka një eksperiencë të gjatë me shoqatat joqeveritare, kryesisht ato që mbrojnë interesat e minoriteteve dhe pakicave dhe tani ka vendosor të hyjë në politikë. Në ditët e para të fillimit të këtij muaji gjykata e Tiranës ka miratuar Partinë Toleranca e Re, PTR.

Dhe njëri prej nismëtarëve dhe mbështetsve kryesorë është Behar Sadiku. Në postin e sekretarit të përgjithshëm të PTR-së, ai thotë për DW-në, se ideja është që përpjekja për mbrojtjen e njerëzve me ngjyrë në Shqipëri të ngrihet në nivelin e strukturës politike, pasi, sipas tij, kështu do të ketë më shumë zë e përkrahje kauza e tyre. Ai nënvizon se synimet e PTR-së do të mbrohen që në garën elektorale të 28 qershorit.

"Të integrojmë dhe të përfaqësojmë popullatën me ngjyrë në të katër pushtetet kryesore nëpërmjet mekanizmit të të menduarit politikisht. Duke u futur dhe qënë prezente në këtë garë, ndoshta dhe jo shumë e favorizuar nga ana ligjore. Por ne jemi të bindur se do të arrijmë të futemi në parlament nëpërmjet koalicionit".

Për vetë kohën e shkurtër që ka mbetur deri sa të hapet zyrtarisht fushata elektorale, Sadiku thotë se prioritare është përkatësia në një koalicion të madh, pasi kjo është shtrëngesë që ta dikton dhe ligji. Pas kësaj vjen përcaktimi i listave të kandidatëve që do të përqendrohen më shumë në rreth gjysmën e 12 qarqeve që ka vendi. Përfaqësuesit e Partisë Toleranca e Re nuk do të jenë vetëm nga komuniteti ballkano-egjiptian.

"Në mënyrë të veçantë do të jenë nga ky komunitet, sepse ne ato i kemi gati. Por do te ketë përfaqësues dhe nga komuniteti rom, por dhe nga minoritetet e tjera, grekë, arumunë deri dhe boshnjakë, të cilët na janë afruar shumë së fundi. Këto do të jenë me prioritet në zonën e caktuar për personin e caktuar".

Roma in Shkodra, Albanien
Romë në qytetin e ShkodrësFotografi: DW

Një nga aksionet e PTR-së është dhe pajisja e të gjithë komunitetit ballkano-egjiptian me kartat e identitetit. Sipas drejtuesve të kësaj partie duke parë gjendjen e dobët social-ekonomike të këtyre familjeve, kartat duhet të jepen falas. Javën e kaluar, në ditën botërore të romëve, kryeministri ju premtoi atyre se do t'ua jepte falas kartat e identitetit.

"Qeveria ka vendosur që komunitetit tuaj t'ua japë kartat e identetit falas. Por ju duhet të bashkëpunoni për procesin e regjistrimit që po kryhet".

Për këtë çështje reagoi dhe shefi i opozitës Edi Rama, që i sugjeroi qeverisë shtrirjen e procesit të dhënies se kartave falas dhe për kategori te tjera.

"Ka përveç romëve edhe egjiptianë, që po ashtu si romët janë pa punë, janë të varfër dhe nuk marrin dot kartat. Të gjithë duhet t'i marrin kartat për të votuar".

Behar Sadiku, nga Partia Toleranca e re beson se qeveria do ta marrë në konsideratë kërkesën për pajisjen falas me kartat e identitetit. Ai shprehet se kryeministri nuk i ka ndarë asnjëherë në trajtim romët nga egjiptianët, ndaj dhe shpreson për një zgjidhje pozitive.

"Me një kërkesë që do t'i bëjmë kryeministrit do t'i propozojmë ngritjen e një grupi pune dhe të vemë në punë të gjitha shoqatat që i njohin mirë banorët, që njohin mirë organizimin në qendra votimi, për të dalluar njerëzit me ngjyrë, që të pajisen me karta të identitetit".

Sipas drejtuesve të PTR-së ky do të ishte një hap konkret që autoritetet i shikojnë me seriozitet problemet dhe mangësitë që kanë shtresat e varfëra dhe të papërfillura në vend.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj