1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkësia ndërkombëtare heq dorë nga afati për dorëzimin e sovranitetit Bosnje-Hercegovinës

Bernd Riegert / DW Brüssel28 Shkurt 2008

Sa vështirë mund të jetë krijimi i një shteti në Ballkan e dëshmon rasti i Bosnje-Hercegovinës. Në këtë vend ende është i ngarkuari ndërkombëtar që thotë fjalën e fundit. PIC anullon afatin e dorëzimit të sovranitetit.

https://p.dw.com/p/DEr2
Sarajevë, stacioni i policisë shkurt 2008
Sarajevë, stacioni i policisë shkurt 2008Fotografi: DW/Zoran Pirolic

Për shkak të situatës së paqëndrueshme në Bosnje-Hercegovinë, vendi ballkanik do të vazhdojë të mbetet nën administrimin e të ashtuquajturit përfaqësues i lartë ndërkombëtar Miroslav Lajçak, i cili është njëkohësisht edhe përfaqësuesi i BE-së në Sarajevë. Ky post në fakt duhej të ishte shkrirë prej kohësh, por drëzimi i pushtetit përfaqësuesve të qeverisë boshnjake është shtyrë herë pas here për shkak të grindjeve të brendshme mes grupeve të popullsisë boshnjako-myslimane, kroatëve dhe serbëve.

Christian Schwarz-Schilling i shtrëngon dorën Miroslav Lajcakut
Christian Schwarz-Schilling i shtrëngon dorën Miroslav LajcakutFotografi: AP

Afati i caktuar për qershorin e 2008 është anulluar


Në të ardhmen nuk do të ketë më plane kohore, tha përfaqësuesi i lartë Miroslav Lajçak në Bruksel, por dorëzimi i sovranitetit do të kryhet pasi të jenë përmbushur një sërë kushtetsh. Këtë e vendosi këshilli ndërkombëtar (PIC) për zbatimin e marrëveshjes së vitit 1995 të Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën. Pas mbledhjes së këshillit, që shkurt quhet PIC, Miroslav Lajçak, i cili është si të thuash një guvernator për Bosnje-Hercegovinën deklaroi: "Sapo të përmbushen kushtet dhe të realizohen qëllimet do të jetë e hapur rruga për shkrirjen e postit të përfaqësuesit të lartë. Deri atëherë ky post do të mbetet për të garantuar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Dejtonit."

Sarajevë
SarajevëFotografi: DW/Zoran Pirolic

Kushtet nuk janë plotësuar

Ndër kushtet që duhen plotësuar për sovranitetin e Bosnje-Hërcegovinës janë ndarja e qartë e pasurive të patundshme të shtetit dhe të ushtrisë, një rregullim i qartë i raporteve financiare mes republikave të pjesshme dhe e drejta e sovranitetit ndaj të gjitha pjesëve të vendit. Përveç kësaj duhet të nënshkruhet marrëveshja e stabilizim-asocijimit me Bashkimin Evropian. Tani për tani ky proces ka mbetur pezull, sepse politikanët e grupeve të ndryshme të popullsisë nuk bien dakord mbi reformën e policisë dhe kompetencat e përbashkëta.

Ushtarë të EUFOR-it
Ushtarë të EUFOR-itFotografi: DW/Zoran Pirolic

Asnjë republikë nuk ka të drejtë shkëputjeje

Vendet antare të këshillit ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën, që përbëhet nga shtetet evropiane si dhe Turqia, SHBA e Rusia, kritikuan kërkesat e parashtruara së fundi nga republikat e pjesshme, veçanërisht nga serbët në Bosnje-Hercegovinës, që duan të zgjerojnë rolin e tyre të veçantë duke iu referuar themelimit të shtetit të ri në Ballkan, Kosovës. Përfaqësuesi ndërkombëtar Lajçak i hodhi poshtë këto kërkesa duke theksuar: "Këshilli i paqes është i shqetësuar për kërkesat zyrtare për ndarje. Eshtë e qartë, që asnjëra prej republikave të pjesshme në Bosnje-Hercegovinë nuk ka të drejtën e shkëputjes. "